Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Kroaci


Opozita konservatore në Kroaci fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare, por jo mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Të dyja partitë e mëdha nuk arritën të fitojnë shumicën e nevojshme dhe formimi i qeverisë së re do të varet nga partitë e vogla.

Komisioni elektoral tha sot se me 99 përqind të votave të numëruara, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) ka fituar 59 vende në parlamentin me 152 anëtarë.

"Kjo fitore na vë në pozicion për të marr përgjegjësinë për të drejtuar vendin, vendin që është në një gjendje të vështirë," tha Tomislav Karamarko i Bashkimit Demokratik Kroat.

Ish shefi i zbulimit Tomislav Karamarko bëri fushatë mbi një platformë mjaft kritike ndaj qeverisë së qëndrës së majtë të kryeministrit Zoran Milanoviç që lejoi qindra mijëra imigrantë nga Lindja e Mesme të kalonin lirisht përmes Kroacisë gjatë muajve të fundit.

Karamarko, pasuesit nacionalist të të cilit udhëhoqën Kroacinë drejt pavarësisë nga ish federate jugosllave e dominuar nga serbët, bëri gjithashtu fushatë duke e vënë theksi tek patriotizmi dhe premtimi për vende të reja pune në vendin kryesisht katolit me 4.4 milion banorë.

Social demokratët në pushtet morën 56 vende. Një parti më e re Most, fitoi 19 vende dhe do të jetë faktori kyç në negociatat për të formuar një qeveri të koalicionit.

Koalicion i zotit Milanoviç bëri fushatë me premtimet për një rritje të qëndrueshme ekonomike, ndërsa u përpoq përsëri të lidhte opozitën me korrupsionin.

Partia e zotit Karamarko u rrëzua nga pushteti në vitin 2011, pas një serie skandalesh të njerëzve me poste të larta, përfshi ish-kryeministrin Ivo Sanader.

Banorët e Zagrebit reaguan sot ndaj njoftimit se opozita konservatore ka fituar zgjedhjet e para që kur vendi hyri në Bashkimin Evropian në vitin 2013.

“Pres që Milanoviç dhe Bozo Petrov i partisë Most, të bashkojnë forcat pasi ata nuk kanë bashkëpunim politik me konservatorët,” thotë banori Anton Salopek.

“Shpresa ime e vetme është që konservatorët të mos formojnë qeverinë; kjo është shpresa ime e vetme. Gjithçka tjetër është e qartë,” shprehet një banor.

“Qeveria nuk do të formohet shpejt. Udhëheqësi i Mostit paraqiti para zgjedhjeve një premtim të partisë ku thuhet se nuk do të formojnë koalicion me asnjërën palë po qe se nuk zbatohen reformat që ata kanë kërkuar. Në këtë kontekst mendoj se ka më shumë të ngjarë që ata të zgjedhin konservatorët,” thotë një banor.

Programi elektoral i partisë Most u përqëndrua në rritjen ekonomike dhe reforma në shkallë të gjerë. Ata thane se janë të hapur për koalicion me këdo që pranon programin e tyre të reformave.

XS
SM
MD
LG