Lidhje

Kryeministri Berisha viziton Malin e Zi


Kryeministri Berisha viziton Malin e Zi
Kryeministri Berisha viziton Malin e Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Igor Llukshiq, dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, vlerësuan edhe njëherë marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve fqinje si dhe biseduan për mundësitë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta në takimin që zhvilluan në Podgoricë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, zoti Llukshiq tha se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë tregojnë përkushtimin ndaj bashkëpunimit të mirë fqinjësor.

Ai vlerësoi se Qeveria e Malit të Zi siguron standardet më të larta të mundshme në mënyrë që të gjithë qytetarët të ndjehen mirë në Mal të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi tha se Qeveria nuk e ka trajtuar kurrë si qëndrim jolegjitim kërkesën e qytetarëve të Malësisë për fitimin e statusit të komunës së plotë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Shqipëria vlerëson përparimin e ndjeshëm dhe real të shqiptarëve në Mal të Zi në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut dhe pakicave.

“Vlerësoj dialogun konstant dhe konstruktiv që kjo pakicë ka me institucionet malazeze”, tha ai.

Berisha tha më tej se interesi kombëtar i shqiptarëve sot është integrimi në Bashkimin Evropian.

Para konferencës për gazetarë, ambasadorët e Malit të Zi dhe Shqipërisë në Tiranë dhe Podgoricë, Zhelko Peroviq dhe Tonin Beci, nënshkruan Marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit Grabon – Cemi i Triepshit.

Duke folur për këtë marrëveshje, Berisha tha se të dy vendet po bëjnë përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës.

Sipas tij, Shqipëria dhe Mali i Zi paraqesin zonat turistike më të bukura, më të pasura dhe më tërheqëse në Evropë.
Ai tha se projekti i ardhshëm i madh ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi është kompleksi i përbashkët turistik i Bjeshkëve të Nemuna.
Kryeministri malazez Igor Llukshiq tha se Marrëveshja përbën një parakusht të rëndësishëm për ndërtimin e aksit të ardhshëm rrugor Plavë – Podgoricë, i cili e shkurton ndjeshëm largësinë ndërmjet këtyre dy qyteteve.

Gjatë vizitës së tij njëditore në Mal të Zi, kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta edhe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Zhelko Shturanoviq dhe kryetarin e PDS-së, Millo Gjukanoviq.

Ai u takua edhe me deputetët e partive shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, Vasel Sinishtaj, Genci Nimanbegu dhe Mehmet Zenka.

Berisha vizitoi po ashtu Komunën Urbane të Tuzit, ku është pritur nga kryetari i saj, Nikollë Gegaj dhe përfaqësues të Kuvendit të KU të Tuzit.

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë u përmbyll me takimin që ka zhvilluar në Ulqin me kryetarin e kësaj komune, Nazif Cungu.

XS
SM
MD
LG