Lidhje

Rama: "Asgjë nuk e justifikon këtë barbari nga ISIS".


Qeveria shqiptare shprehu edhe një vendosmërinë e saj për të frenuar elementët që angazhohen për luftimet përkrah terroristëve në Siri. Kryeministri Edi Rama tha se forca më e madhe deradikalizuese përballë këtyre njerëzve është vetë Bashkimi Europian. Zoti Rama deklaroi për televizionin Top Channel nga samiti i Natos në Uells se Shqipëria do të jetë e prerë në raport me këta elementë.

“Padyshim ne do të jemi shumë të prerë në raport me këta elementë, sepse asgjë nuk e justifikon këtë barbari. Ndërkohë kjo barbari ka nevojë për një përgjigje të prerë dhe kompakte të të gjithë komunitetit ndërkombëtar që përfaqëson botën e lirë të atyre vlerave dhe parimeve që këto forca të përbindshme të errësirës kërkojnë ta përmbysin” - tha zoti Rama.

Kryeministri Rama tha se fakti që i gjithë komuniteti ndërkombëtar, forcat perëndimore me bindje ndryshe nga ato të ekstremistëve, kërkon t’i ndalë këto rryma, i jep Shqipërisë vendosmërinë për t’i luftuar me çdo mjet të mundshëm të tilla rreziqe që kanosen. Ai tha se edhe vizita e Papa Franceskut në Shqipëri, si vizita e tij e parë zyrtare në Europë, jep mesazhe shumëplanëshe në këtë drejtim. Zoti Rama theksoi se edhe më parë ka kërkuar që Europa ta vlerësojë dhe ta mbështesë harmoninë fetare të Shqipërisë, dhe të dyja kanë nevojë për njëra-tjetrën.

“Me miq dhe partnerë të Shqipërisë kemi nisur kohë më parë diskutimin mbi domosdoshmërinë që Shqipëria të mbështetet, të shihet si një pasuri e posaçme kulturore pikërisht për shkak të bashkëjetesës së shkëlqyer fetare dhe të përbërjes së saj fetare. Për këtë të ndihmohet jashtëzakonisht për të mos lejuar që problemet që e ushqejnë ekstremizimin, që lidhen me varfërinë, me margjinalizimin dhe izolimin social të mund të rriten dhe të na kthehen në një problem më të madh pastaj” - tha zoti Rama.

Shqipëria po godet dukurinë e luftëtarëve të rekrutuar në emër të xhihadit apo të ashtuquajturit shtet islamik i Irakut dhe Sirisë. Shqipëria është një nga vendet, që po dërgojnë armë dhe municione në mbështetje të luftës së autoriteteve të Irakut kundër terroristëve të ISIS-it. Po ashtu edhe ligjet shqiptare kundër terrorizmit janë ashpërsuar mjaft. Jozyrtarisht mendohet se disa dhjetëra shqiptarë janë përfshirë në ato luftime. Autoritetet ndaluan pak muaj më parë një grup, i cili rekrutonte besimtarë muslimanë për t’i dërguar në Irak. Krahas masave policore, po aq të rëndësishme shihen edhe ato ekonomike, sepse dukuria e rekrutimeve është më e shtrirë në disa vende dhe grupime sociale të Ballkanit me vështirësi ekonomike.

XS
SM
MD
LG