Lidhje

Çfarë parashikon ligji për sigurimet shëndetësore


Një pjesë e konsiderueshme e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore miratuar në vitin 2010, hyn në fuqi më 1 tetor, duke i dhënë mundësi amerikanëve të kenë më shumë qasje në planet e sigurimeve shëndetësore. Por çfarë parashikon ky ligj dhe pse ka ngjallur kaq shumë debate? Të ndjekim materialin.

Shumë amerikanë kanë sigurime për të mbuluar nevojat e tyre shëndetësore. Ato sigurime, shpesh janë pjesërisht të subvencionuara nga punëdhënësit. Amerikanët e moshuar marrin kujdes shëndetësor që paguhet kryesisht nga një fond qeveritar. Rreth 40 deri 50 milionë të tjerë, shumica punonjës me të ardhura të pakta, nuk kanë sigurime shëndetësore.

Për shumë prej atyre që janë të siguruar, kostoja në rritje e kujdesit shëndetësor është një barrë dhe çfarë mbulohet dhe çfarë jo nga sigurimet është vështirë të parashikohet. Shumë mjekë thonë se pagesat që ata marrin nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore nuk mjaftojnë që ata të përballojnë shpenzimet e tyre.

“Kostoja e kujdesit shëndetësor ka kohë që po rëndon mbi ekonominë tonë dhe mbi ndërgjegjen tonë. Prandaj nuk ka dyshim që reforma e kujdesit shëndetësor nuk mund të presë dot më”.

Sipas Ligjit për Kujdesin Shëndetësor, kompanitë e sigurimeve nuk do të jenë më në gjendje t’u mohojnë shërbimin e tyre amerikanëve, për shkak të sëmundjeve ekzistuese.

Jonathan Weiner është profesor i politikave të shëndetit në Fakultetin për Shëndetin Publik të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore. Ai thotë se sfida më e madhe është që askush të mos përjashtohet nga sigurimet shëndetësore për shkak të një sëmundjeje ekzistuese, apo të ardhurave të ulëta.

“Kjo është çështja kryesore, mbulimi me sigurime shëndetësore. Pa një kartë sigurimesh, kujdesi shëndetësor është sporadik dhe shpesh i paplotë”.

Pronarët e bizneseve të vogla thonë se duan që të mbulojnë me sigurime punonjësit e tyre por thonë se nuk e përballojnë dot koston në rritje. Amy Millstead Ellzey menaxhon një ofiçinë për riparimin e makinave.

“Ne nuk e përballojmë dot një rritje prej 44 për qind të kostos së sigurimeve, kështuqë kjo na detyron të kërkojmë për plane të tjera shëndetësore dhe mbase edhe të shkurtojmë disa nga subvencionet”.

Tregu i ri i kujdesit shëndetësor që hapet nesër (të martën) ka si synim që t’i zgjidhë këto probleme. Tregu i sigurimeve ofron qasje tek sigurimet private me disa garanci për mbulim. Atyre që kanë një sëmundje, nuk mund t’i refuzohen sigurimet.

“Ky do të jetë një nga ndryshimet më pozitive në kujdesin shëndetësor që mendoj se çdo amerikane duhet ta vlerësojë, që kompanitë e sigurimeve duhet të të pranojnë pavarësisht se je i sëmurë”.

Familjet dhe individtë që nuk mund të përballojnë pagesat mujore për shërbimin do të subvencionohen nga qeveria. Bizneset e vogla do përfitojnë ulje taksash në shkëmbim të sigurimeve shëndetësore për punonjësit.

Kritikët e planit thonë se qeveria nuk duhet ta bëjë të detyrueshëm mbulimin me kujdes shëndetësor dhe se ndryshimet do të rrisin koston e këtij kujdesi.

“Nuk do të jemi kurrë në gjendje të balancojmë buxhetin nëse e mbajmë këtë ligj sepse është një katastrofë fiskale”.

Ekspertët paralajmërojnë se ligji i ri nuk do të zgjidhë të gjitha problemet në sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor.
XS
SM
MD
LG