Lidhje

Ushtrimi i kujtesës dhe i të menduarit


Kujtesa dhe aftësitë e të menduarit dobësohen në mënyrë të natyrshme me kalimin e moshës. Por një studim i ri tregon se ushtrimet në përmirësimin e këtyre aftësive mund të ndihmojë për të mbajtur mendjen e mprehtë tek të moshuarit, dhe efekti i këtyre ushtrimeve mund të vazhdojë për shumë vite.

Hulumtuesit në Universitetin Johns Hopkins donin të zbulonin se sa afatgjatë dhe i qëndrueshëm ishte përmirësimi për më të moshuarit që marrin trajnim që synon përmirësimin e kujtesës, aftësitë e të menduarit si dhe ato për të kryer detyrat e jetës së përditshme.

Më shumë se 2.800 vullnetarë, duke filluar që në të 70at, morën pjesë në studimin 10 - vjeçar. Ata morën një nga disa lloje të ndryshme të kurseve të shkurtra të trajnimit që kanë për qëllim ruajtjen e aftësive mendore. Një grup tjetër nuk mori asnjë trajnim.

Më parë, studiuesit kishin zbuluar se këto ushtrime njohëse ishin të efektshme deri në pesë vjet . Tani, në këtë studim të ri, autori George Rebok thotë se studiuan rezultatet një dekadës pas trajnimit fillestar .

"Po përpiqeshim të zbulonim nëse këto efekte do të vazhdonin dhe a do të ishin ende të pranishme 10 vjet pas trajnimit, dhe në fakt ndodhi pikërisht kështu."

Dhjetë vjet më pas, pjesëmarrësit e studimit të cilët u trajnuan në arsyetim dhe shpejtësinë e përpunimit të informacionit shënuan pikë më të larta në teste sesa pjesëmarrësit e grupit që nuk mori trajnim . Efekti në kujtesë dukej të mos ishte aq afatgjatë, megjithatë, vullnetarët që morën të paktën një nga tre kurset e trajnimit në përgjithësi njoftuan më pak vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme të jetesës në krahasim me grupin që nuk mori trajnim.

Kurset u drejtuan nga instruktorë të certifikuar në grupe të vogla . Por për të ulur koston, Rebok dhe kolegët e tij janë në kërkim të mënyrave më të lira për trajnimin e kujtesës.

"Ne po përpiqemi për ta bërë trajnimin më të disponueshëm. Për shembull, ne kemi një grant nga Instituti Kombëtar për Plakjen (pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit) për të bërë një version në internet për trajnimin aktiv të kujtesës".

Një pyetje e hapur ende për t'u studiuar është se si ushtrimi relativisht i shkurtër - vetëm 10 deri në 15 orë - ende mund të ketë një ndikim të tillë një dekadë më vonë .

Studimi i kryer nga George Rebok në Universitetin Johns Hopkins dhe kolegët e tij është botuar në Revistën e Shoqatës Amerikane të Gjeriatrikës.
XS
SM
MD
LG