Lidhje

Ish presidenti Klinton do të paraqesë zyrtarisht kandidaturën e presidentit Obama


Zyrtarët në Kuvendit Kombëtar Demokrat kanë vendosur të lëvizin fjalimin e Presidentit Barack Obama në ambiente të mbyllura për shkak të kërcënimit të motit, një problem me të cilin u përballën edhe republikanët në kuvendin e tyre javën e kaluar.

Organizatorët e kuvendit thanë se fjalimi i pranimit të emërimit nga zoti Obama do të mbahet brenda stadiumit Time Warner Cable Arena për shkak të mundësisë së stuhive të fuqishme në Sharlot dhe rajonin e Karolinës së Veriut. Ai ishte planifikuar të fliste në stadiumin e hapur të Bank of America.

Në një deklaratë, organizatori i kuvendit Steve Kerrigan tha se grupi ndan “zhgënjimin e mbi 65 mijë njerëzve” të cilët kishin marrë kredencialet për të ndjekur drejtpërdrejt ngjarjen. Ai tha se zoti Obama do të flasë me ta sot përmes një konference telefonike.
Ish presidenti amerikan Bill Clinton do të jetë në qendër të vëmendjes sot në Kuvendin Kombëtar Demokrat në Sharlot të Karolinës së Veriut, duke shtuar kështu mbështetjen e figurave të shquara për rizgjedhjen e presidentit Barack Obama.

Zoti Clinton, presidenti i 42-të amerikan do të paraqesë zyrtarisht emërimin e presidentit të 44-të si kandidat gjatë një fjalimi që do të trasmetohet në mbarë vendin. Marrëdhëniet mes dy demokratëve janë përmirësuar gjatë viteve që kur zoti Obama fitoi ndaj bashkëshortes të ish presidentit, Hillary Clinton, gjatë fushatës për kandidaturën e vitit 2008.

Zoti Klinton vazhdon të mbetet një figure popullore mes shumë amerikanëve për shkak të prosperitetit ekonomik gjatë dy mandateve të tij në zyrë në vitet 1990. Analistët thonë se ai mund të ndihmojë zotin Obama të fitojë mbështetjen e amerikanëve të bardhë të klasës punëtore.

Fjalimi kryesor mbrëmë ishte ai i zonjës së parë Michelle Obama, e cila foli rreth karakterit të bashkëshortit të saj dhe aftësisë për të marrë vendime të vështira politike.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara u paraqiti amerikanëve arsyet se përse, sipas saj, ata duhet të zgjedhin përsëri bashkëshortin e saj Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Zonja e Parë, Michelle Obama, ofroi për audiencën që kishte mbushur sallën e kuvendit një vështrim të veçantë rreth bashkëshortit të saj, i cili katër vjet më parë erdhi në Shtëpinë e Bardhë në një kohë kur vendi përballej me recesionin më të thellë që nga Depresioni i Madh i viteve 30.

Me një fjalim që krijoi emocione në sallë, ajo përshkroi problemet ekonomike me të cilat vendi ende ndeshet edhe sot. Por ajo u kujtoi amerikanëve se ata janë megjithatë të privilegjuar që jetojnë, siç tha ajo, në vendin më të bekuar të botës.

Ajo tha se kishte patur rastin të shihte nga afër se ç’do të thotë të jesh president dhe shtoi se ndonëse Barak Obama u zgjodh president katër vjet më parë, kjo nuk i ndryshoi vlerat e tij si njeri dhe si bashkëshort:

“Sot, pas kaq betejash dhe fitoresh si dhe momentesh që e kanë vënë provë bashkëshortin tim në aspekte që nuk i kisha përfytyruar më parë, unë kam parë nga afër se të jesh president nuk e ndryshon karakterin e njeriut por tregon se cili është ai”.

Ajo tha se një president përballet me sfida ndër më të vështirat dhe merr këshilla nga njerëz ndër më të ndryshmit.

“Por në fund të fundit, kur vjen puna për të marrë vendimin, si president, ajo që e udhëheq njeriun janë vlerat e tij, vizioni i tij dhe përvojat e tij njerëzore”, tha zonja Obama.

Ajo përshkroi ato që demokratët i quajnë arritje të administratës Obama në aspektin ekonomik ku republikanët kanë drejtuar kritikat e tyre kryeore. Ajo përmendi shkurtimet e taksave për bizneset e vogla dhe përpjekjet e Presidentit Obama për të mëkëmbur industrinë e automobilëve që përballej me falimentim.

Zonja e Parë Michelle Obama tha se bashkëshorti i saj arriti ta nxirrte ekonominë nga pragu i falimentimit dhe shtoi se kur erdhi puna për kujdesin shëndetësor ai refuzoi t’u vinte veshin zërave që e këshillonin ta linte reformën shëndetësore për një ditë tjetër, për një president tjetër, megjithëse politikisht kjo mund të kishte qenë gjëja më e lehtë që ai mund të kishte bërë.

Ajo tha se kujdesi shëndetësor apo lehtësimi i edukimit për të rinjtë me anë të ndihmës financiare, për bashkëshortin e saj nuk janë thjesht çështje politike por më tepër personale.

“Prandaj kur njerëzit më pyesin nëse jeta në Shtëpinë e Bardhë si president e ka ndyshuar bashkëshortin tim, unë mund të them ndershmërisht se, kur fjala është për karakterin e tij dhe bindjet e tij, Barak Obama është ende po ai njeri të cilin dashurova shumë vite më parë.

Zonja Obama u bëri thirrje amerikanëve të mos mungojnë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve më 6 nëntor dhe të mbështesin përsëri zotin Obama si katër vjet më parë.

Kuvendi demokrat do t’i vazhdojë sot punimet me një fjalim të ish presidentit Bill Clinton.
XS
SM
MD
LG