Lidhje

Bordi i FMN-së shpreh mbështetje për Lagarde


Një gjykatë franceze shpalli fajtore Drejtoreshën Ekzekutive të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, për neglizhencë pasi nuk kiundërshtoi pagesën prej 422 milionë dollarësh në favor të një industrialisti nga arbitrazhi i shtetit, kur ishte ministre e financës. Zonja Lagarde tha se nuk do ta apelojë vendimin, por do të vazhdojë të punojë me të njëjtin dedikim për institucionin financiar botëror.

Çështja lidhet me veprimet e zonjës Lagarde kur ishte Ministre e Financave në Francë, përpara se të punonte për FMN. Biznesmeni në fjalë është Bernarde Tapie, ish pronar i firmës Adidas, i njohur për për organizimin e mbrëmjeve të luksit me elitën franceze.

Tapie ishte ankuar se një institucion kredidhënës, pjesërisht në pronësi të qeverisë, e mashtroi kur u mor me shitjen e aksioneve të tij në kompaninë e veshjeve sportive në vitin 1993.

Shumë vjet më vonë dhe pas shumë procesesh gjyqësore, Lagarde e dërgoi çështjen në arbitrazh. Kritikët thanë se arbitrazhi dhe dështimi për të apeluar vendimin e panelit ishin një gabim serioz.

Lagarde mund të ishte dënuar me një vit burg dhe gjobë, por gjykata nuk dha ndonjë dënim. Pak pas shpalljes së vendimit nga gjykata franceze, Lagarde njoftoi se do ta pranonte atë:

"Nuk jam e kënaqur me vendimin, por vjen një moment kur duhet hequr dorë nga diçka, edhe pse nuk të pëlqen; do të vazhdoj të punoj me ata që kanë besim tek unë. Pra, ndjehem shumë e kënaqur pa e apeluar vendimin e gjykatës, për ta fokusuar të gjithë vëmendjen, kohën, përpjekjet, energjinë dhe entuziazmin tim tek misioni si drejtoreshë ekzekutive e FMN-së,”- tha zonja Lagarde.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të FMN-së u takua të hënën pasdite për të peshuar ndërlikimet që mund të sillte vendimi i gjykatës për zonjën Lagarde. Ata dolën me një deklaratë të përbashkët, ku shprehnin “besim të plotë” tek drejtimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar nga zonja Lagarde.

Christine Lagarde e filloi mandatin e saj të dytë 5-vjeçar në këtë post vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG