Kryeministri i Libisë, Ali Zeidan, u kthye sot në gjendje të mirë në zyrën e tij në Tripoli, menjëherë pas lirimit nga ish-kryengritësit, të cilët e rrëmbyen dhe e mbajtën për disa orë.
Persona të armatosur e kapën zotin Zeidan sot në mëngjes në hotelin ku ai banon dhe e mbajtën për gjashtë orë.
Një deklaratë e qeverisë tha se ai ishte marrë nga persona të armatosur “në një vend të panjohur për arsye të paditura.”
Në fjalimin televiziv pas lirimit të tij, zoti Zeidan i tha kabinetit të tij se ai shpresonte se rrëmbimi i tij të mos krijojë tensione në Libi. Ai falënderoi disa anëtarë të milicisë të cilët ndihmuan për lirimin e tij.
Është e paqartë se kush e kreu rrëmbimin. Një grup që njihet si “Dhoma Operative e Revolucionarëve Libianë,” mori përgjegjësinë për të, por më pas mohoi përfshirjen.
Ky grup e ka fajësuar qeverinë e zotit Zeidan se luajti rol në sulmin e forcave speciale amerikane të shtunën në Libi, që çoi në arrestimin e operativit të lartë të Al-Kaidës, Abu Anas al-Libi. Al-Libi po mbahet në një anije të marinës amerikane.