Lidhje

Greva e urisë: Vetëflijohet Lirak Bejko


Grevistët e urisë thonë se nuk po bëjnë grevë për vete, por për mijëra ish të dënuar të regjimit komunist, që nuk janë integruar në shoqëri.

Një tjetër ish i burgosur politik i diktaturës komuniste, Lirak Bejko, ndezi lëndë djegëse mbi trupin e tij në afërsi të grevës së urisë në shenjë proteste ndaj vonesave në plotësimin e kërkesave ekonomike të protestuesve.

Bejko ka dalë nga çadrat e grevës së urisë, është lyer me benzinë dhe ndezi shkrepsen në teshat e veta. Mjekët pohuan se ai ka pësuar plagë të shkallës së tretë dhe afro gjysmën e trupit të djegur. Pamjet i transmetoi drejtpërdrejt TVNews24.

Ky është i dyti rast brenda pak ditësh që ish të burgosurit politikë kryejnë akte vetëflijimi pranë grevës së urisë. Disa ditë më parë kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca, u përpoq të vetëflijohej duke djegur veten me benzinë. Greva e urisë është sot në ditën e 19.

Një grup të ish të burgosurish politikë të diktaturës komuniste po zhvillojnë në Tiranë një grevë urie me kërkesa ekonomike mbi dëmshpërblimet që atyre ua njeh ligji për burgimin e padrejtë. Pasi kanë fituar pafajësinë grevistët kërkojnë të zbatohet neni 44 i Kushtetutës dhe neni 57 i Kodit Penal për masën e kompensimit. Ata thonë se formula matematikore e dëmshpërblimit është e paprecedent, dhe se ligji nuk u njeh ditët e hetuesisë si një ditë e gjysmë burgim.

Grevistët kërkojnë gjithashtu që letrat me vlerë shpërndarë vite më parë t’u merren nga shteti dhe t’u kthehen në para, shtëpitë e tyre të vlerësohen si gjithë banorët e tjerë dhe që pensionet e tyre të rishikohen, duke u bërë të krahasueshme me invalidët e Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa greva e urisë vazhdon, zyrtarë të ministrisë së financave dhe të drejtësisë pohuan se po vazhdojnë të plotësojnë kërkesat e ish-të dënuarve politikë sipas ligjit me dëmshpërblime në shuma të konsiderueshme.

Sipas të dhënave zyrtare, në ministrinë e drejtësisë janë dorëzuar rreth 25 mijë kërkesa për dëmshpërblime nga të përndjekurit, dhe afro gjysma rreth 12 mijë dosje, janë kaluar në ministrinë e financave dhe kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit, ndërsa 1 mijë e 600 vetë kanë marrë edhe këstin e dytë.

Grevistët kërkojnë kushte minimale jetese për vete dhe fëmijët e tyre që jetojnë ende në varfëri. Sipas tyre, greva do të vazhdojë pa afat derisa të zbatohet Kushtetuta dhe ata të shpërblehen në përputhje me Kodin Penal. Grevistët e urisë thonë se nuk po bëjnë grevë për vete, por për mijëra ish të dënuar të tjerë të regjimit komunist, që nuk janë jetojnë mirë dhe nuk janë integruar në shoqëri. Ky grup ish të burgosurish politikë po zhvillojnë një grevë urie prej 19 ditësh duke kërkuar dëmshpërblimet e burgimit të padrejtë nga diktatura komuniste, për të cilën kanë marrë pafajësinë.

Dy ditë më parë kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca ndërmori një akt vetëflijimi duke lyer veten me benzinë dhe u përshi nga flakët në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve mbi kërkesat e grevës së urisë, e cila tashmë është në ditën e 19. Tani ai është jashtë rrezikut për jetën, por grevistët e tjerë thonë se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën e urisë.

Presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Sali Berisha kanë deklaruar se kjo grevë urie ka nota dhe deklarata të theksuara politike, dhe se qeveritë e PD-së, si asnjë qeveri tjetër, kanë bërë maksimumin që ish të përndjekurit politikë të dalin nga burgjet, të integrohen në shoqëri, të strehohen, të shkollojnë fëmijët dhe të rehabilitohen deri në një jetesë normale.

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, dhe ambasadori i BE-së Etore Sequi u kanë bërë thirrje palëve për dialog dhe zgjidhje me mirëkuptim të problemeve, duke vizituar herë grevistët e herë spitalin ushtarak. Ata u kërkuan grevistëve të shmangin akte të tjera lënduese ndaj vetvetes, ndërkohë kur përpiqen që zëri i tyre të dëgjohet.

Thirrje për dialog me grevistët ka bërë edhe LSI, pjestare e koalicionit qeveritar, ndërsa PS e opozitës fajësoi qeverinë si shkaktare të kësaj gjendjeje të ish të përndjekurve politikë, dhe kërkoi që qeveria të mbajë premtimet që i ka bërë kësaj shtrese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG