Lidhje

Vullnetarët pastrojnë Lumin e Los Anxhelesit


Lumi i Los Anxhelesit është një kanal kullimi prej betoni në shumicën e gjatësisë së tij prej 80 kilometrash. Ai ka shërben si një kanal për kullimin e ujërave të stuhive dhe është bërë një vend i grumbullimit të plehrave të qytetit. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan, lumi dalëngadalë ka filluar të pastrohet me ndihmën e vullnetarëve, të cilët marrin pjesë në pastrimin vjetor të tij.

Lumi i Los Anxhelesit u shtrua me beton në fund të viteve 1930 dhe 1940, pas përmbytjeve të kohëpaskohshme në ato vite. Në një fundjavë të kohëve të fundit, mijëra vullnetarë morën pjesë në heqjen e mbeturinave të depozituara gjatë shirave të dimrit.
Sot, ai duket si lumë përsëri, të paktën në disa vende, thotë vullnetarja Carol Henning.

“Ka filluar të duket pak më mirë. Kujtimet e mia të lumit kanë qenë garat me makina që zhvilloheshin mbi shtratin e tij të betonuar”.

Lumi i Los Anxhelesit ka qenë skena e një gare të famshme makinash në filmin e vitit 1978, “Grease”. Sot, disa pjesë të lumit janë restauruar dhe janë kthyer në zona rekreative, edhe zogjtë janë kthyer në të. Lumi nuk është më një oborr i shëmtuar prapa qytetit, thotë poeti Lewis MacAdams. Ai themeloi grupin Miqtë e Lumit të Los Anxhelesit në vitin 1986.

“Tani lumi është një oborr i bukur para qytetit. Ky është 24 vjetori i pastrimit vjetor të Lumit të Los Anxhelesit. Deri tani ne kemi pastruar dhe kemi hequr rreth 450 mijë kilogramë plehra nga lumi”.

Gjërat që hidhen në lumë janë të çuditshme, thotë John Dubler, një vullnetar nga kompania Disney.

“Ne gjejmë çanta me ushqime, rroba dhe CD”.

Vullnetari Jack Lebic thotë se një artikull i veçantë gjendet pothuaj kudo.

“Numri i qeseve të plastikës që gjejmë është shumë i madh. Ato janë artikulli kryesor që gjejmë këtu, shpesh të mbuluara me dhe”.

Kjo është një përpjekje vjetore që po sjellë rezultate dhe lumi përsëri ka filluar të duket si një lumë.
XS
SM
MD
LG