Lidhje

Maqedoni: Debate pas raundit të dytë të zgjedhjeve


Raundi i dytë i zgjedhjeve dje në Maqedoni kaloi i qetë, por opozita ankohet për parregullsi dhe manipulime nga ana e partive në pushtet. Partia VMRO-DPMNE ka fituar postet e kryetarëve të 55 komunave dhe të qytetit të Shkupit, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim në 14 komuna. Partia Demokratike Shqiptare në dy komuna dhe Lidhja Social Demokrate në tetë komuna. Kjo e fundit i quan zgjedhjet jolegjitime, kurse Maqedoninë një vend jo të lirë dhe as demokratik.

Zgjedhjet në Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00
Partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim janë fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve vendore në Maqedoni. Në një kohë kur as ato vetë nuk dukej se prisnin fitore kaq të thellë qoftë për shkak të disponimit paraprak të elektoratit për shpenzimet e mëdha të pushtetit në projekte jofitimprurëse apo për shkak të perceptimeve rreth sjelljes së njërës ndaj partisë tjetër në pushtet, VMRO-ja ka fituar vendet e kryetarëve të 55 komunave nga tetëdhjetë sa ka Maqedonia, përfshirë qytetin e Shkupit si njësi e veçantë administrative, ndërsa BDI 14 komuna dhe në një komunë rurale ku nuk ka përfunduar procesi, shkon në balotazh. LSD e opozitës maqedonase do të drejtojë tetë komuna, kurse Partia Demokratike Shqiptare – dy komuna.

Prefektët nga radhët e BDI-së do të drejtojnë dy komunat më të mëdha shqiptare në Maqedoni, Tetovën dhe Gostivarin. Partia Demokratike Shqiptare për herë të parë do ta ketë qytetin e Strugës nën drejtimin e një kuadri të saj.

Në Strugë sikurse edhe në Gostivar e shumë komuna të tjera mbrëmë vonë pati festime me eufori. Balotazhi në Strugë, ku ka rreth 57 përqind shqiptarë, kësaj radhe u shndërrua në një garë etnike dhe përfundimi i saj ka nxitur tensione në një fshat të zonës ku si pasojë një shqiptar ka marrë lëndime nga një grup maqedonasish. Drejtuesit partiakë kanë shprehur mirënjohje lidhur me procesin apo edhe janë ankuar:

“Falënderoj të gjithë aktivistët që kanë siguruar fitoren më të thellë në historinë e veprimtarisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

"Në raundin e dytë të gjithë u bashkuan kundër nesh dhe votuan fort.. si VMRO-DPMNE, si LSDM-ja, si RDK-ja... të gjithë kanë një përcaktim dhe ai nuk është eliminimini i PDSH-së por eliminimi i opsionit të vërtetë kombëtar të shqiptarëve këtu në Maqedoni”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Lidhja Social Demokrate e opozitës i quan jolegjitime këto zgjedhje vendore për shkak të kërcënimeve, sipas saj, të votuesve, vjedhjes së votës dhe manipulimeve të shumta nga ana e VMRO-DMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski.
Drejtuesi opozitar Branko Cërvenkovski tha se Maqedonia përfundimisht nuk është një vend i lirë as demokratik e as juridik dhe nuk mund të jetë i tillë sepse këtu keqëpërdoren institucionet shtetërore dhe se në këto zgjedhje u shfaq kulminacioni i totalitarizmit, sipas tij.
Por partia VMRO vlerëson se qytetarët votuan opsionin më të mirë dhe se ky proces ishte më i qetë dhe i drejtë që ka pasur ndonjëherë vendi.
Pas afateve të caktuara për ankesa eventuale, rezultatet brenda pak ditësh pritet të bëhen zyrtare
XS
SM
MD
LG