Lidhje

Johannes Hahn të martën në Shkup


Komisionari i Bashkimit Evropian për politika të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, shkon të martën në Shkup bashkë me një grup euro parlamentarësh, në një përpjekje për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë e cila edhe pas më shumë se tre muajsh pas zgjedhjeve ende është pa qeveri.

Zyrtarët evropian thanë se ai do të përsërisë thirrjet për respektimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe formimin e shpejtë të qeverisë.

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’u ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ai nuk ka shpalosur hollësi të dokumentit që sipas tij, "nuk favorizon asnjë parti politike ndërsa ruan karakterin unitar të shtetit".

Në Lidhjen Social-Demokrate thonë se nga ish kryeministri Gruevski presin vetëm që të lëshojë rrugë për themelimin e qeverisë së re.

Nikolla Gruevski, ka përsëritur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme, por edhe gatishmërinë që t’i jep mbështetje LSDM-së për themelimin e qeverisë "nëse ajo heq dorë nga mbështetja për platformën e partive shqiptare". Ai tha se këtë kërkesë do t'ia paraqesë të martën edhe komisionarit Hahn.

Protestues të mbështetur nga VMRO-DPMNE vazhdojnë të dalin çdo natë para qeverisë dhe parlamentit në Shkup për të kundërshtuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe për të shprehur pakënaqësi me atë që ata e quajnë një hap drejt federalizimit apo ndarjes së Maqedonisë.

Zgjedhjet e parakohshme i sheh si një nga rrugëdaljet e mundshme nga situata në vend edhe presidenti Gjorgje Ivanov, i cili është gjetur nën trysninë ndërkombëtare për të rishqyrtuar refuzimin për t'i dhënë mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një rajon të trazuar, siç është Ballkani perëndimorë.

XS
SM
MD
LG