Lidhje

Gruevski: Nuk do të tërhiqem

  • Isak Ramadani

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, drejtoi një tubim të dhjetëra mijëra mbështetësve të tij, në një demonstrim force kundrejt tubimit të së dielës të opozitës që kërkon dorëheqjen e tij

Mijëra njerëz morën pjesë në mitingun e partisë VMRO-DPMNE të hënën në mbrëmje, në bulevardin para Parlamentit të Maqedonisë. Me moton “Maqedonia e fuqishme”, mitingu tuboi mbështetësit nga mbarë vendi, të partisë më të madhe në pushtet, për të shfaqur përkrahjen ndaj politikave të kryeministrit Nikolla Gruevski, në këtë periudhë krize që ka përfshirë vendin dhe kur ai po përballet me kërkesat e opozitës për dorëheqje.

Në miting u vërejtën, krahas flamujve shtetëror maqedonas, edhe flamuj të Serbisë dhe të Rusisë.

Media e afërt me VMRO-në vlerëson se përkrahësit e zotit Gruevski në këtë miting arritën shifrën prej 90 mijë njerëzve që tregon, sipas tyre, se populli i Maqedonisë është në anën e kryeministrit.

Drejtuesit e VMRO-së thanë se “askush nuk guxon të mohojë vullnetin e votuesve dhe të mos respektojë votën për atë se kush do ta udhëheqë shtetin dhe kush do t’i realizojë projektet”.

Kryetari i partisë dhe kryeministër, Nikolla Gruevski u tha të pranishmëve se Maqedonia nuk ka potencial për një konflikt dhe për destabilizim sepse populli nuk e dëshiron këtë. “Të gjitha komunitetet etnike, shtoi ai, dëshirojnë paqe dhe mirëqenie” dhe kjo, sipas tij, “u dëshmua në Kumanovë, ku edhe përkundër thirrjeve të shumta për ndihmë terroristëve, askush nuk iu dha mbështetje. Atje pati përleshje në mes të policisë dhe një bande kriminale terroriste”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Nikola Gruevski u tha pjesëmarrësve në tubim se “Maqedonia nuk ka nevojë për udhëheqës që e vënë vetën në shërbim të shërbimeve të huaja të zbulimit”, duke ju referuar udhëheqësit të opozitës Zoran Zaev.

“Mesazhi ynë është se ne nuk do të tërhiqemi. Ata po kërkojnë dorëheqjen time kundër vullnetit të popullit”, tha Nikola Gruevski

Ai tha se numri i pjesëmarrësve të tubimit është “disa herë më i madh se ai i opozitës”.

Kritikët, ndërkaq, vërejnë se pushteti, si qendror edhe ai vendor u kanë bërë trysni punonjësve të administratës që me doemos të dalin në miting duke sjellë me vete edhe anëtarë të familjes ose miq të tyre.

Organizatorët, madje kanë hequr një semafor në bulevard për të zgjeruar skenën ku do të flisnin oratorët.

Në anën tjetër, protestuesit e opozitës të cilët kanë vendosur tendat para ndërtesës së qeverisë për të kaluar netët, thonë se do të rrinë aty deri sa kryeministri Gruevski dhe qeveria e tij të japin dorëheqje.

Kriza në Maqedoni, që filloi menjëherë pas zgjedhjeve të prillit, 2014, pasi Lidhja Social Demokrate nuk i njohu rezultatet dhe ngriti akuza për manipulime, duke bojkotuar si rrjedhojë edhe punën e Parlamentit, u shkallëzua edhe më tej me skandalin e përgjimeve. Opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të vendit të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike. Në këtë kuadër, opozita posedon përgjime edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët dëgjohen, nga sa është publikuar, duke biseduar për manipulime të ndryshme si në gjyqësor, në zgjedhje, biznese, media, etj.

Dështojnë bisedimet e partive politike në Maqedoni

Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni u takuan të hënën në një raund të dytë për të kërkuar një zgjidhje të krizës politike që ka kapluar vendin, por pa rezultat. Në takimin e ndihmuar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, Jess Baily dhe Aivo Orav, ende nuk janë hapur temat e bisedimeve; madje drejtuesi opozitar Zoran Zaev ende nuk i quan bisedime.

Zoti Zaev bëri të ditur se nuk ka ndonjë përparim. Ai thotë se fillimisht duhet sqaruar disa gjëra si parimi i barazisë së paraqitjes së propozimeve nga të gjithë pjesëmarrësit në takim: “...Dhe të garantohet zbatimi i gjithë asaj që do të arrihet si marrëveshje”, thotë ai.

Ndërkohë, të marten në Strazburg do të mbahet një takim midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtuesit opozitar Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian. Pastaj më 26 maj, përsëri do të takohen të katër drejtuesit e partive më të mëdha në Shkup.

Zoran Zaev bëri të ditur se nuk është arritur të hapen bisedimet lidhur me çështjen eventuale të një qeverie teknike, ose kalimtare. “Kërkesat tona, tha ai, janë të qarta, por nuk janë hapur në takim”.

Kërkesa e opozitës maqedonase ka të bëjë me një qeveri, e cila mund të jetë e përbërë nga ekspertë, nga administrata ose mund të jetë dhe politike, që do ta kthejë vendin drejt normalitetit dhe të krijojë kushte për zgjedhje të parakohshme, siç tha zoti Zaev.

Sipas burimeve të afërta me drejtuesit politikë nga takimi, mësohet që partitë e pushtetit VMRO dhe BDI të kenë shprehur gatishmëri për një riformatim të qeverisë, por kjo është e papranueshme për opozitën maqedonase. BDI, thuhet të ketë kërkuar formimin e një komisioni për hetimin e skandalit të përgjimeve.

Ndërkohë, ngjarjet e Kumanovës, edhe pse u bënë shkak për këto takime të shpejta të politikanëve me ndikim, megjithatë nuk jane fare temë e bisedës.

Gjatë një pushimi nga takimi, zotërinjtë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kaluan rreth gjysmë ore bashkë, çaste të rralla këto kur dy drejtuesit politikë shqiptarë të Maqedonisë mund të duken bashkë në publik.

Qindra përkrahës të opozitës e kaluan natën jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup nën kërkesat e vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit konservator Nikola Gruevski.

Protestuesit, të cilët thonë se kanë në plan të qëndrojnë aty për ditë me rradhë, po ashtu kanë bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Mbështetësit e opozitës e kaluan natën në tenda pas protestës së të dielës ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz.

Në këtë rajon të njohur për historinë e përgjakshme të konflikteve ndëretnike dhe paqëndrueshmërisë politike, zhvillimet kanë shkaktuar alarm si brenda ashtu edhe jashtë atij vendi.

XS
SM
MD
LG