Lidhje

Maqedoni, Parlamenti voton për dy ministrat e rinj


Parlamenti i Maqedonisë votoi të mërkuren për dy ministrat e rinj në qeverinë e vendit, pas dorëheqjeve të Gordana Jankullovskës nga posti i Ministres së Brendshme dhe Mile Janakievskit nga Ministër i Transportit.

Ndryshime në qeverinë e Maqedonisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:23 0:00

Ministër i Rendit tani është Mitko Çavkov, i cili ka një karrierë të gjatë në polici. Në dy vitet e fundit ai ka qenë drejtor i Byrosë për Siguri Publike.

Vllado Misajllovski është ministri i ri i Trasportit dhe Lidhjeve. Që të dy, nga opozita shikohen si njerëz të besueshëm të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, pas trysnive nga komuniteti ndërkombëtar, u detyrua të bëjë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar: të pranojë dorëheqjet e bashkëpunëtirëve më të ngushtë, Ministres së Brendshme, atij të Transportit dhe të Drejtorit të Shërbimit Sekret.

Por, opozita, e cila po e bojkoton punën e Parlamentit, thotë se do të kthehet aty kur të largohet Nikolla Gruevski. Ndërkaq, partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se nuk largohet nga koalicioni qeveritar dhe ministrat e saj nuk japin dorëheqje.

Situata e re me dorëheqjet e tre zyrtarëve, të cilët ishin aktorët kryesorë në skandalin e përgjimeve, të publikuar nga opozita që prej para tre muajsh, jep shpresë për fundin e krizës në Maqedoni. Megjithatë, pakënaqësitë vazhdojnë.

Emrat e rinj që zëvendësojnë bashkëpunëtorët e vjetër të kryeministrit maqedonas, nuk priten me entuziazëm nga opinioni publik. Mitko Çavkov është drejtor i Byrosë për Sigurinë Publike. Edhe ai dyshohet se dëgjohet në një prej përgjimeve telefonike me Ministren e Rendit duke folur për manipulime zgjedhore. Ndërsa Vllado Misajllovski, Ministri i ri i Transportit, sipas medias kritike, është vëllai i pronarit të një portali në internet, i vlerësuar si mbështetës i zjarrtë i pushtetit.

Ministrja e dorëhequr e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, i shkruan kryeministrin Nikolla Gruevski se ka punuar në mënyrë profesionale dhe me përkushtim ndaj interesave të qytetarëve të vendit. “Në këtë periudhë krize të thellë politike, vlerësoj, shkruan më tej ajo, se është koha për t’u larguar me besimin se kjo do t’i kontribuojë kapërcimit të krizës”.

Ministri tjetër i Transportit, Mile Janakievski shkruan për montazh, prerje dhe ngjitje të shiritave nga opozita të bisedave të përgjuara dhe nuk dëshiron të ndikojë në procedurat që pasojnë.

Ndërkohë, Shefi i Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov, i cili është në lidhje të ngushtë familjare me kryeministrin Gruevski, i shkruan në një letër më të gjatë këtij të fundit se vazhdon të veprojë në bazë të parimeve dhe bindjeve të veta, ndërsa i shpreh atij mbështetjen e plotë. “Gjithmonë do të jem i gatshëm për Maqedoninë dhe në radhët e para luftarake kur t’i duhem atdheut”, - shkruan ai, ndërkohë që akuzon opozitën maqedonase ta ketë “imponuar krizën me sjelljen e saj joshtetërore”.

Kryeministri Nikolla Gruevski në seancën Parlamentare për miratimin e dy ministrave të rinj, foli për angazhimet dhe sakrificat, siç u shpreh, të zonjës Jankullovska, drejtorit Mijallkov dhe ministrit Janakievski.

Ai theksoi sukseset e tyre ndërkohë që, në këtë kuadër u ndal tek operacioni i fundit në Kumanovë, të cilin e quajti si tepër të sukseshshëm.

Nikolla Gruevski tha se Jankullovska e Mijallkov treguan si i dilet në mbrojtje atdheut, “duke neutralizuar një grup të armatosur, terrorist, siç u shpreh, serioz dhe me shumë përvojë”.

Por, një deputete opozitare maqedonase, e cilësoi si skandaloz operacionin në Kumanovë, ku mbetën të vrarë tetë policë dhe katërmbëdhjetë vetë të dyshuar si pjesëtarë të grupit të armatosur, si dhe disa shtëpi të shkatërruara.

Nga ana tjetër, drejtuesi opozitar Zoran Zaev thotë se nuk është koha për triumfalizëm dhe se dorëheqjet e tre zyrtarëve nuk paraqesin synimin e fundit të opozitës. Ai shprehet se dorëheqjet i sheh vetëm si një hap drejt fundit të kryeministrit Gruevski. “Gjithçka që kemi folur u vërtetua; kjo është provë për përgjimin dhe për autenticitetin e bisedave telefonike, dhe kjo dëshmon kriminalitetin dhe shkeljen e ligjeve nga Nikolla Gruevski”, - thekson ai.

Ndërkaq, zyrtarë të partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se partia vazhdon të qëndrojë në kolicionin qeveritar me VMRO-në.

Zërat për dorëheqjen e kryeminsitrit Gruevski po shtohen edhe nga shoqëria civile, e cila ka vazhduar të organizojë protesta para institucioneve më të larta shtetërore.

Nga Parlamenti Evropian ka ardhur kërkesa e parë e një zyrtari të lartë për dorëheqjen e kryeminisrti maqedonas. Alxander Graf Lambsdorff, Nënkryetar i Parlamentit Evropian kërkon që zoti Gruevski të japë dorëheqje, duke i kontribuar kështu dhënies fund të krizës në Maqedoni.

Media citon zyrtarin evropian të ketë thënë, se zoti Gruevski duhet patjetër të largohet, në mënyrë që tensionet ndëretike në vend të zvogëlohen dhe të mbahen zgjedhje të reja në kushte demokratike.


XS
SM
MD
LG