Lidhje

Shkup, dështon marrëveshja për zgjedhjet

  • Isak Ramadani

Takimi i drejtuesve të katër partive më të mëdha, me ndërmjetësimin e komisionerit europian Johannes Hahn nuk arrin të përcaktojë një datë për zjedhjet e parakohshme

Pas 8 orë bisedimesh, drejtuesit e katër partive më të mëdha nuk arritën marrëveshje lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Takimi i ndërmjetësuar nga komisioneri evropian për zgjerim dhe politika fqinjësore Johannes Hahn rezultoi në dështim. Shkak për këtë është opozita maqedonase, e cila thotë se mungon realizimi i reformave të parashikuara që paraqesin kusht për mbajtjen e zgjedhjeve.

Komisioneri evropian Johannes Hahn është shprehur se do të sigurohet mbështetje për zgjedhje të ndershme dhe demokratike edhe përkundër dështimit të bisedimeve të gjata natën midis së premtes dhe të shtunes në Shkup. Komisioneri e ka postuar këtë shkrim në twitter pasi drejtuesit e katër partive kryesore nuk u pajtuan mbi datën e zgjedhjeve të parakohshme që është 24 prilli. Në të vërtetë, kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev është ai që kërkon shtyrjen e kësaj date për shkak të mospërmbushjes së kushteve dhe reformave që dalin nga marrëveshja politike e 2 qershorit. Lidhja Social Demokrate thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato mbahen më 24 prill, ndërsa tri partitë tjera, VMRO, BDI dhe PDSH, sipas komisionerit Hahn, pajtohen me datën e caktuar që më parë dhe kanë garantuar respektimin e marrëveshjes.

Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së hedh akuza ndaj rivalit të tij politik, Zoran Zaev.“Vetëm një njeri përpiqet ta vazhdojë krizën në Maqedoni dhe ta thellojë atë, sepse me sjelljen e tij kriza nuk zgjidhet por vetëm se thellohet”, ka thënë zoti Gruevski.

Kriza politike në Maqedoni shpërtheu pas skandalit të përgjimeve, kur opozita maqedonase nxorri në publik qindra biseda telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë që dëgjoheshin duke folur për manipulime në fusha të ndryshme. Çështja pritet të hetohet nga Prokuroria Speciale, e cila u formua enkas për trajtimin e disa lëndëve që ndërlidhen me skandalin e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG