Lidhje

Maqedoni, bojkoti, partive të vogla nuk u hiqet mandati


Parlamenti i Maqedonisë nuk arriti t’ua marrë sot mandatet tridhjetë e një deputetëve opozitarë të Lidhjes Social Demokrate dhe partive më të vogla maqedonase.

Parlamenti nuk pati kuorumin e nevojshëm për këtë; Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim shprehën indiferencë lidhur me çështjen, ndërkohë që ata të Partisë Demokratike Shqiptare nuk u paraqitën fare në seancë.

Dy të tretat e deputetëve duhet të votojnë për heqjen e mandateve të kolegëve të tyre opozitarë, të cilët po e bojkotojnë institucionin ligjvënës që nga konstituimi i tij, pas zgjedhjeve të pranverës, me arsyetimin se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Ndërkohë, sot, për të tretën herë, protestuan studentët e disa universiteteve të Maqedonisë dhe profesorë të tyre, duke kundërshtuar projekt-ligjin e qeverisë lidhur me provimin shtetëror për studentët kur mbarojnë studimet.

Kundërshtarët e këtij projekti sa vjen e shtohen. Sot u themelua një plenum i profesorëve universitarë që e quan antikushtetues provimin shtetëror.

Qeveria, nga ana tjetër, po përpiqet që me çdo kusht ta kalojë këtë masë me anë të së cilës synohet cilësia, sipas saj, në arsimin e lartë, duke pamundësuar, në këtë mënyrë, marrjen e diplomave nga ata studentë të cilët nuk kanë marrë dijet e nevojshme.

XS
SM
MD
LG