Lidhje

Transportimi i marijuanës në kufirin shqiptaro-grek


Policia greke dhe ajo shqiptare po gjejnë gati çdo ditë raste të transportimit të marijuanës nga kufiri shqiptar drejt kufirit grek.

Sasitë e shtuara të kultivuara këtë vit në Shqipëri dhe fillimi i sezonit të transportimit kanë nxitur policitë e të dy vendeve, jo vetëm të shtojnë kontrollet në kufi, por edhe në segmentet rrugore të rajoneve fqinje.

Policia greke thotë se trafikantët shqiptarë po përdorin paketime në sasi të vogla për t`u shpëtuar kontrolleve në kufi, por edhe në pikat e ngritura nga policia greke.

Dhjetëra raste të zbuluara kohët e fundit flasin se lënda narkotike përgatitet në masa nën një kilogramë, të cilat më pas shpërndahen edhe më lehtë nga rrjetet e vogla deri tek përdoruesit.

Ekspertë të policisë greke kanë vlerësuar se kjo është një strategji e re e trafikantëve për të futur përmes “korrierëve” sasi që në dukje janë të vogla, por që paraqesin vështirësi për t`u zbuluar.

Hetimet paraprake të policive të të dy vendeve në kufi nga rastet e zbuluara dëshmojnë se krahas autobuzëve, mjeteve të vogla të udhëtimit, trafikantët përdorin edhe korrierët në brezin e gjelbër kufitar, të cilët i dorëzojnë sasitë e marijuanës në pika të përqëndruara afër kufirit grek.

Hetimet greke kanë treguar se më pas lënda narkotike shpërndahen ose nga shtetas shqiptarë ose nga shetas grekë drejt thellësisë së vendit. Greqia, sipas rasteve te zbuluara, është destinacioni i dytë pas Italisë i marijuanës nga Shqipëria.

Ndonëse shteti grek ka ligje të ashpra, sidomos ndaj transportimit të narkotikëve, dukuria është mjaft e përhapur në zonat kufitare.

Ndërkaq, në anën shqiptare krahas përmirësimit të pajisjeve kontrolluese dhe zbuluese, policia ndjek regjime të ashpra kontrolli, sidomos ndaj linjave të udhëtarëve.

Kohët e fundit, si rezultat i këtyre masave, janë shtuar edhe zbulimet e sasive të vogla në kufi prej disa gramësh marijuanë. Për këto sasi personat e implikuar ndëshkohen njëlloj si për sasitë e mëdha të kësaj lloj droge, ngaqë legjislacioni shqiptar në fushën e drogës nuk ka cilësime për sasitë e bimëve të kultivuara, apo për sasitë e lëndës së bllokuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG