Lidhje

Marijuanë dhe armë në Skrapar

  • Raimond Kola

Policia tha se arrestoi në Skrapar 11 persona të cilët akuzohen për kultivim të marijuanës në parcela të ndryshme. Policia tha se gjatë ndërhyrjes policore janë asgjësuar rreth 15 mijë rrënjë vetëm në një zonë malore,në fshatin Dobrenjë. Të arrestuarit janë nga 6 rrethe të ndryshme të vendit që nga Saranda, Fieri, Gramshi, Tepelena, Vlora dhe Tirana dhe akuzohen se në bashkëpunim kanë mbjellë bimë narkotike.

Policia tha se gjatë kontrollit të ushtruar në “kampingjet” e ngritura në këto parcela u gjetën dhe sekuestruan 140 kg lëndë narkotike marijuanë si dhe dy armë zjarri automatike. Sipas burimeve policore nuk janë gjetur bashkëpuntorë nga banorët e zonës në këtë aktivitet. Policia po provon përmes aksioneve të përditshme dyshimet se grupe nga zona të tjera të vendit shfrytëzojnë lugina dhe terrene malore për të mbjellë marijuanë duke investuar në sipërfaqe toke të hapura rishtazi. Policia thotë se është në hetime se si këta persona kanë lëvizur pa u zbuluar në territore të tilla të vogla. Forca pune, infrastrukturë ujitëse, kampingje dhe plehra organikë janë sipas policisë pjesë e këtij bashkëpunimi, kryesisht të rinjsh nga zona të ndryshme të vendit. Njësitë vendore nuk kanë ende kontrolle në territoret e tyre administrative ndonëse edhe ato kanë efektiva të policive bashkiake. Këto toka që happen rishtaz dhe ku kultivohet marijaunë, vlerësohen nga policia “si toka pa pronarë” por, sipas bazës ligjore, territoret u përkasin bashkive të reja që dolën nga zgjedhjet vendore të qershorit të vitit të shkuar. Më parë, në zonën e Lumit të Vlorës policia kishte arrestuar për kultivim të disa mijëra bimëve marijaunë shtetas nga Korça dhe Fieri. Oficerët e antidrogës i shohin me mjaft shqetësim këto forma kultivimi dhe shtrirjen e plantacioneve të marijuanës sidomos në ato zona ku nuk kultivoheshin më parë.

Komunitetet vendase sipas tyre janë të frikësuar dhe nuk i raportojnë rastet në polici. Kultivimi i marijuanës është përhapur gjerësisht këtë vit në Shqipëri dhe sipas analistëve rrezikon të kthehet në një sfidë serioze për zhvillimin e vendit për shkak të pasojave shumëplanëshe. Vetëm të enjten policia shkatërroi nga veriu në jug dhjetëra parcela me rreth 40 mijë bimë narkotike duke sekuestruar edhe armë dhe sasi marijuane ne gjendje te thare. Krahas lulëzimit të krimit dukuria rrezikon të implikojë pjesëtarë të policisë dhe të drejtësisë duke dekurahjuar goditjen e trafikantëve.

Kultivimi ka nisur të ketë sipas ekspertëve të shëndetit public edhe pasoja më të dukshme në shoqëri pasi viteve të fundit vihet re një rritje e dukshme e përdoruesve të drogës,sidomos tek të rinjtë. Në disa zona përhapja e marijuanës po dekurajon edhe zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla bujqësore dhe blekorale të cilat kishin marrë nxitje dy tre viteve të fundit edhe për shkak të investimeve të emigrantëve të kthyer nga Greqia.

XS
SM
MD
LG