Lidhje

Fondacioni "Martin & Mirash Ivanaj" në Tiranë

  • Ilirian Agolli

“Nuk mund të kishte kohë më të mirë për të hapur dyert e këtij fondacioni se sa 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë” - thotë Drita Ivanaj.

Fondacioni “Martin dhe Mirash Ivanaj” çeli dyert edhe në Tiranë si një organizatë jofitimprurëse për të mbështetur shkollimin e rinisë shqiptare. Fondacioni është vendosur në vilën Ivanaj, dhe pronarja e saj Drita Ivanaj, thotë se tashmë shtëpia është e hapur për të gjithë shqiptarët. Drita iku foshnje nga Shqipëria në 7 prill 1939, shtëpinë e konfiskuan fashistët italianë, më vonë komunistët shqiptarë dhe tani, që ju rikthye, ajo e shndërroi në një fondacion kulturor të hapur për të gjithë.

“Ideja për çelur fondacionin nuk është thjesht një ide por një diçka që jetoi brenda meje gjatë gjithë jetës - thotë Drita. - Nuk mendoja se do të kthehesha më këtu, por kur Shqipëria u hap në vitet 1990 mendimi im i parë ishte; erdhi koha për t’u kthyer”.
Drita është vajza e Martin Ivanajt, kryetarit të parë të Gjykatës së Lartë shqiptare me kulturë perëndimore. Martini përfundoi studimet shkëlqyer në universitetin italian La Sapiensa. Atij iu ofrua një pozitë shumë e mirë në Romë, por ai nuk pranoi dhe kthye menjëherë në atdhe. Punoi si gjykatës në Korçë dhe në Shkodër, pastaj erdhi në Gjykatën e Lartë. Puna e tij nuk është aq shumë e njohur për publikun, megjithatë ai punoi mjaft për vendosjen e shtetit ligjor përmes shumë ligjeve të reja në të gjitha fushat; në arkivat dhe themelet e institucioneve shqiptare gjenden ende plot shkrime dhe studime të tij.

Ajo është mbesa e Mirash Ivanajt, ministrit të arsimit që themeloi i pari shkollat publike shqiptare në vitet 1930. Drita thotë se ndjeu detyrimin që të vazhdojë rrugën e tyre, duke edukuar të rinjtë e Shqipërisë.

“Ata punuan shumë dhe i kushtuan jetën këtij vendi duke shërbyer në gjykata dhe arsim. Të dy këta vëllezër ishin juristë, dhe fondacionet me emrat e tyre në Nju Jork dhe në Tiranë i kushtohen rinisë shqiptare. Rinia shqiptare ka gjithë cilësitë e mrekullueshme dhe nuk i mungon asgjë në raport me vendet e tjera; ka inteligjencën, dëshirën dhe vullnetin, por duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara. Ka plot mësime që na sjell e kaluara për të ecur përpara” - thotë Drita.

Ajo tregon se si një ditë Mbreti Zog e thirri Mirashin në zyrë dhe i tha: “Unë e di që nuk më pëlqen mua, por ti je njeriu i duhur për të reformuar arsimin shqiptar”. Para se Mirash Ivanaj të ishte ministër arsimi Shqipëria nuk kishte shkolla publike. Mirashi u bë i njohur me “reformën Ivanaj”, sepse ngriti të parat shkolla publike në Shqipëri. Deri në atë kohë mësuesit nuk shpjegonin lëndët në gjuhën shqipe dhe shumë prej tyre nuk ishin shqiptarë. Ai angazhoi qeverinë shqiptare që të ngrinte sistemin arsimor kombëtar dhe në shkolla të jepej edukim qytetar, duke lënë mënjanë shkollat e huaja. Të dy vëllezërit e lanë Shqipërinë e pushtuar nga fashistët italianë në 7 prill 1939 dhe shkuan në Stamboll ku Martin Ivanaj vdiq i sëmurë.

“Mirashi mbeti në Stamboll deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, dhe u kthye në Shqipëri në shtator 1945. Ai u prit me nderime nga Enver Hoxha, të cilit i kërkoi që të punonte si mësues i thjeshtë në Shqipëri. Pas pak kohe ai u arrestua dhe u torturua disa muaj, dhe vdiq në qeli 4 ditë pasi u shpall vendimi i burgosjes. Diktatori nuk e kishte harruar që ministri Ivanaj i kishte ndërprerë bursën franceze, sepse nuk po studionte dhe ngelte në shumë provime” - tregon Drita Ivanaj.

Ajo thotë se solli eshtrat e babait nga Stambolli dhe i vendosi pranë të vëllait në Tiranë, dhe siç ishin të bashkuar në jetë, tani dy vëllezërit janë varrosur pranë e pranë në Sharrë të Tiranës, të bashkuar edhe në vdekje.

“Nuk mund të kishte një kohë më të mirë për të hapur dyert e këtij fondacioni kulturor se sa 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Unë kam besim se njerëzit do të binden që babai dhe xhaxhai im punuan për Shqipërinë dhe çdo shqiptar tjetër sot mundet dhe duhet të veprojë njëlloj” - thotë Drita Ivanaj.

Krahas bibliotekës dhe muzeumit me shumë foto, dokumenta dhe libra, Fondacioni “Martin dhe Mirash Ivanaj” ka hartuar programe për trajnime nga të gjitha fushat e dijes, veçanërisht në fushën e arsimit dhe kulturës. Në të ardhmen fondacioni synon të bëhet qendër kulturore e Shqipërisë, ku intelektualët, studentët, mësuesit dhe madje edhe zyrtarët publikë mund të takohen në mënyrë të organizuar për kërkime shkencore dhe zhvillimin e projekteve të ardhshme arsimore dhe kulturore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG