Lidhje

McCain: SHBA të përdorin ndikimin e tyre në Egjipt


Mideast Egypt US

Mideast Egypt US

Senatori amerikan John McCain thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin ndikimin e tyre për t'i dhënë fund dhunës në Egjipt. Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Japoni. Dje, Presidenti Barak Obama u takua me ekipin e sigurimit kombëtar për të rishikuar ndihmën amerikane ndaj Egjiptit. Por zyrtarët amerikanë hodhën poshtë njoftimet se ndihma për aleatin e vjetër është pezulluar.

Duke folur me gazetarët gjatë një vizite zyrtare në Japoni, zoti McCain reagoi ndaj komenteve të kryeministrit të përkohshëm egjiptian, Hazem el-Beblawi, i cili tha se çdo veprim i Shteteve të Bashkuara për të prerë ndihmën ushtarake ndaj vendit të tij do të ishte një "shenjë shumë e keqe."

Senatori McCain tha se komentet e zotit el-Beblawi tregojnë se Shtetet e Bashkuara mund të kenë një efekt mbi situatën në Egjipt.

"Ata po marrin shumë para nga vendet arabe, por pajisjet e tyre ushtarake janë amerikane, pjesët e këmbimit dhe mirëmbajtja janë amerikane. Amerikanët shkojnë atje për turizëm. Kreditë e Fondit Monetar Ndërkombëtar kërkojnë pëlqimin e Shteteve të Bashkuara, në qoftë se ata duan kredi të tilla. Unë e respektoj pikëpamjen e Kryeministrit egjiptian, por Shtetet e Bashkuara kanë ndikim".

Senatori McCain tha se deri tani, Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh shumë të paqartë atyre që shkaktuan kaos në rrugët e Kajros.

Zoti McCain ndodhet në Japoni, ku sot u takua me Kryeministrin Shinzo Abe për të diskutuar mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kryeministri i përkohshëm egjiptian, Hazem el-Beblawi tha në një intervistë për televizionin ABC News se humbja e fondeve amerikane do të ndikojë në ushtrinë e Egjiptit "për një farë kohe."

Por ai tha gjithashtu se ushtria ka "mbijetuar" më parë për dekada me radhë me mbështetjen ushtarake ruse.

Zoti Beblawi tha se Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për njëri-tjetrin, po ashtu si vendi i tij ka nevojë për marrëdhëniet me vendet evropiane dhe aziatike.

Komentet e tij vijnë ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mbështetjen e tyre financiare për Egjiptin.
XS
SM
MD
LG