Lidhje

Mesic: Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por nuk mund të pengojë të tjerët që bashkëpunojnë me të


Mesic: Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por nuk mund të pengojë të tjerët që bashkëpunojnë me të

Mesic: Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por nuk mund të pengojë të tjerët që bashkëpunojnë me të

Ish presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesic, tha se Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por ajo nuk guxon të pengojë të tjerët që të bashkëpunojnë me të. Ish presidenti kroat, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë, ka bërë thirje për thellimin e bashkëpunimit rajonal, ndërsa përmendi marrdhëniet e dikurshme ndërmjet dy Gjermanive, si një shëmbull bashkëpunimi të dy vendeve nuk njohin njëri tjetrin.

Në rajonin tonë, ne mund ta ndhmojmë njëri-tjetrin nëse bashkëpunojmë. Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët që bashkëpunojnë me të. As Gjermania Perëndimore nuk e ka njohur asnjëherë Gjermaninë Lindore, por Gjermania Perëndimore nuk i ka penguar asnjëherë asajë Lindore që të bashkëpunojë me vendet tjera”.

Zoti Mesic ka qënë presidenti i fundit i ish federatës jugosllave, me zhbërjen e së cilës siç tha ai, elementet përbërëse kanë pasur të drejtën për pavarësinë e tyre, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Në Prishtinë u promovua mbrëmë libri i tij me titull “Si u shkatërrua Jugosllavia”, që u cilësua si një përmbledhje e dëshmive autentike të procesit të shthurjes së federatës së dikurshme jugosllave. Ai tha se gjatë ekzistimit të federatës, çështja e Kosovës nuk kuptohej drejt nga komuniteti ndërkombëtar.

Bota nuk e ka kuptuar mjaft mirë çështjen e Kosovës. Mendohej se shqiptarët janë pakicë kombëtare, por unë kamë thënë se në Kosovë shqiptarët gjithnjë ishin shumicë. Ne sllavët vijmë në këtë pjesë në shekullin e shtatë ndërsa shqiptarët dhe ilirët ishin këtu”.

Ndërkohë, ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se presidenti Mesiç, ishte referencë për të gjitha zhvillimet ë kohës që janë pasqyruar edhe në librin e tij.

Nga faqja e parë deri në të fundit e gjejmë përkushtimin shpirtëror të dëshmisë së gjallë, të analizës së thellë dhe të saktë të Stjepan Mesiçit. E kemi ndjekë dhe e kemi përcjellë atë kohë dhe ka qenë kohë që emri i tij ka qenë referencë dhe them se siç ka qenë referencë për zhvillimet e atëhershme do të jetë për breza të tërë edhe pas nesh referencë ky libër me një përmbajtje të thellë”.

Ndërsa ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu, tha se presidenti Mesiç është mbështetës i madh i popullit shqiptar dhe ka dhënë një ndihmesë të madhe për qëndrueshmërinë në tërë Ballkanin.

Presidenti Stjepan Mesiç është njeriu më pro shqiptar, më pro kosovar, që unë kam njohur nga udhëheqësit e rajonit dhe këtë ai e ka treguar jo thjeshtë me dëshirat e tija, por e ka treguar në vazhdimësi me planin e drejtë për zgjidhjen e problemeve që ka pasur Kosova, që kanë pasur shqiptarët, por jo vetëm kaq. Presidenti Mesiç ka dhënë një kontribut të madh për rritjen dhe forcimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit”.

Kroacia ishte në mesin e vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës një muaj pas shpalljes së saj më 17 shkurt të vitit 2008. Në qershor të atij viti, Kroacia dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike. Ajo argumentoi në favor të pavarësisë së Kosovës, gjatë seancave dëgjimore mbi ligjshmërinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Roli i ish presidentit Mesiç, në Prishtinë është vlerësuar shumë i madh dhe për këtë arsye ai gjatë vizitës së parë në Kosovë në janar të vitit 2010 qe dekoruar me medaljen e pavarësisë dhe mori titullin qytetar nderi i Prishtinës. Sot ai do të shpallet “doctor honoris causa” nga Kolegji universitar privat AAB-Riinvest. Qëndrimi i tij ndaj Kosovës kishte nxitur reagime në Serbi e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG