Lidhje

Meta: Përmirësimi i transparencës dhe lufta kundër korrupsionit, mbeten prioritet në Shqipëri

  • Arben Xhixho

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, Shqipëria ka një treg të vogël dhe për pasojë nuk e ka aq të lehtë të tërheqë investime të mëdha. Në kushte të tilla, aq më i rëndësishëm bëhet sundimi i ligjit dhe funksionimi transparent i qeverisjes. Para se të marr mendimin tuaj, për klimën e biznesit në Shqipëri, po citoj një pjesë nga fjalimi i djeshëm i zëvendës ndihmës sekretarit të shtetit, i cili tha se:

“Në se qeveritë e rajonit dëshirojnë të tërheqin investimet e huaja të drejtëpërdrejta që u duhen për të ndërtuar ekonomitë e tyre, për të hapur vende pune, ato duhet të bëjnë më shumë për të forcuar sundimin e ligjit. Pa u luftuar korrupsioni nuk mund të ketë transparencë dhe mbajtje përgjegjësie. Ish Sekretari i Shtetit Colin Powell ka thënë se “kapitali është frikacak”, ai shkon vetëm në ato vende ku ka qartësi ligjore, ku shoqëria dhe qeveria mbështeten tek kuadri ligjor, ku ka qeveri të përgjegjshme, kapitali largohet nga korrupsioni, largohet nga vendet me politika të këqia, largohet nga ato shoqëri e vende që kanë mbetur në sistemet e kaluara të korruptuara dhe me politika të gabuara”.

Z. Meta, çfarë ndikimi mendoni se ka imazhi i Shqipërisë si një vend me korrupsion të lartë, mbi klimën e investimeve?

Ilir Meta: Mendoj se Shqipëria e ka arritur të tërheqë me sukses investimet e huaja, sidomos gjatë viteve të fundit, pavarësisht se kanë qenë vite të vështira në përgjithësi për ekonominë botërore por edhe për ekonominë globale dhe rajonale. Absolutisht që përmirësimi i transparencës, lufta kundër korrupsionit, shkurtimi i të gjitha barrierave administrative dhe burokratike ka qenë një prioritet dhe do të vazhdojë të jetë prioritet. Sikurse u vu re edhe në propozimet që tashmë janë ndërmarrë nga Task Forca për reformën rregullatore e asistuar edhe nga USAID-i të cilat kanë përmirësuar dhe do të përmirësojnë edhe më tej klimën e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë që konferenca e organizuar nga Universiteti “Xhon Hopkins” këtu në Uashington evidentoi një problem të rëndësishëm që është pikërisht përpjekja e të gjithë vendeve të rajonit për të krijuar një treg rajonal, jo thjesht një treg individual të çdo vendi, pasi dimensioni, madhësia e tregut është përcaktuese për të tërhequr investitorë të huaj serioz, në rastin konkret investitorë të mëdhenj amerikanë.

Zëri i Amerikës: Do të doja të ndalesha tek tema e korrupsionit, e konkretisht për rastin tuaj…! Në procesin për korrupsion që u hap ndaj jush, gjykata ju nxori të pafajshëm; por për politikanin, për vlerësimin e tij, për karrierën e tij ka dhe një kriter tjetër të rëndësishëm që është perceptimi që ekziston për të. Pra ndonëse gjyqi ju dha pafajësinë në rezultatin 5 me 0 , mendoni se është e saktë të thuhet se si politikan ju keni humbur në këtë rast?

Ilir Meta: Unë këtë pyetje nuk arrij dot t’a kuptoj për arsye sepse nuk besoj se ka pasur ndonjë që nuk patur iluzion që e gjithë kjo lojë ka qenë një lojë vetëm politike, e pabazuar mbi ligj, e pabazuar mbi legjislacionin shqiptar, legjislacionin evropian dhe atë ndërkombëtar. Megjithatë ka qenë një lojë që unë e kam pranuar përderisa kam një përgjegjësi publike. Kjo do të thotë që edhe pse kam qenë i bindur për gjithçka të paligjshme politike kam dhënë dorëheqjen pikërisht për shkak të kësaj ndjeshmërie që mund të ekzistojë në përgjithësi për politikanët për tu paraqitur përpara ligjit pa funksione qeveritare, si çdo qytetar shqiptar. Njëkohësisht të gjithë këtë proces i cili është demontuar hap pas hapi prej gati një viti, absolutisht që unë kam kërkuar që t’i shkoj deri në fund dhe që kjo çështje të mos pushohej për procedura pavarësisht se gjykata i konsideroi shumicën e veprimeve të kryera nga prokuroria si veprime të paligjshme, në kundërshtim me ligjin shqiptar, me Kodin e Procedurës Penale dhe me Konventat Europiane ku Shqipëria aderon. Ndërsa për sa i takon aspektit moral, ky aspekt ka përfunduar përpara gjyqit sepse më 8 maj, në zgjedhjet e përgjithshme vendore të cilat ishin do të thosha mëse politike për shkak të politizimit të qasjeve që iu bë, natyrisht jo nga ana ime apo e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI pati një rritje prej 50% të votave dhe rritja më e madhe u shënua në Tiranë, ku beteja ishte edhe më politike.

Zëri i Amerikës: Ju jeni ndër politikanët e paktë në Shqipëri që keni dhënë dorëheqjen për të lejuar procesin gjyqësor që të vazhdojë… Tashmë që procesi ka përfunduar dhe keni marrë pafajësinë, a keni ndërmend të ktheheni përsëri në qeveri?

Ilir Meta: Kjo nuk aspak një çështje e rëndësishme apo një prioritet për mua. Për mua prioritet është përshpejtimi i integrimit evropian ptë Shqipërisë. Kjo është edhe një nga temat kryesore që kam diskutuar edhe këtu në Uashington, në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në shumë institucione të tjera, edhe në Kongres, edhe në Senat, me drejtuesit më të rëndësishëm që merrem me marrëdhëniet e Kongresit dhe Senatit me Europën. Ajo që është e rëndësishme është se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas përkrahjes së jashtëzakonshme që i dhanë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, tani gjithë prioritetin e tyre kryesor në raport me Shqipërinë, por edhe me rajonin e kanë në drejtim të përshpejtimit të axhendës integruese, gjë që u theksua edhe nga zëvendëssekretari i shtetit zoti Reeker, edhe në takimin me mua, por edhe në konferencën të cilës edhe iu referuat. Në këtë drejtim, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit mbeten një prioritet. Kjo ishte edhe një nga arsyet e takimit tim me administratorin e Agjencisë së luftës kundër trafikut të drogës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam i sigurt që Shqipëria do të shënojë progres të vazhdueshëm edhe me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Zëri i Amerikës: Ju me zotin Prifti keni shpallur “armëpushim”, por ka kritikë në Shqipëri që thonë se kjo është një marrëveshje e heshtur, një lloj bashkëfajësie pas së cilës palët mundohen të fshehin diçka. Cili është komenti juaj për këto kritika?

Ilir Meta: Nuk kam shpallur as “luftë” as “armëpushim” me asnjë politikan dhe nuk kam asnjë raport personal me askënd. Unë kam kërkuar që kjo çështje të hetohet dhe të hetohet deri në fund dhe natyrisht dëshmitari i vetëm, praktikisht nga 20 dëshmitarë që solli prokuroria në gjyq, bëri punën e tij deri në fund. Kjo është çështje e tij. Unë nuk kam ndërmend të merrem me çështje të cilat nuk kanë të bëjnë as me vizionin tim për të ardhmen e vendit dhe as me çështjet e tjera, për më tepër me çështjet që janë pjesë e punës që do të bëjë drejtësia dhe gjykata.

Zëri i Amerikës: Për sa i përket reformës zgjedhore, ju keni bërë dy propozime konkrete të cilat mund të realizohen pa ndërhyrje në Kushtetutë, njëri ka të bëjë me ndryshimin e ndarjes administrative dhe tjetri me modifikim të sistemit aktual, me korrektim kombëtar. Për këto propozime, a keni mirëkuptimin e Partisë Demokratike me të cilët jeni aleatë në qeveri?

Ilir Meta: Për Lëvizjen Socialiste për Integrim çështja e Reformës Zgjedhore, nuk është çështje e ngushtë as e dy partive, qofshin këto, le të themi të mëdha siç ju pëlqen vetë të quhen Partiaa Demokratike dhe Partia Socialiste. Unë mendoj se kjo është çështje e qytetarëve shqiptarë sepse bëhet fjalë për respektimin e të drejtës së votës së tyre. Në këtë drejtim qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar për të respektuar dhe këtë parim kushtetues që ka të bëjë me barazinë e votës dhe që është shprehur në mënyrë shumë të qartë, e cila praktikisht është cenuar dhe cenohet nga i ashtuquajturi model spanjoll i sistemit tonë proporcional rajonal. Ne i kemi bërë disa propozime, partitë e tjera kanë bërë propozime të ndryshme. Besojmë që ky proces të ecë përpara pa paragjykime.

Zëri i Amerikës: A mendoni se do të arrihet të përmbyllet në kohë ky proces dhe të mos ketë vonesa, sikurse ka ndodhur në të kaluarën në Shqipëri?

Ilir Meta: Është një proces që duhet të eci më shpejt, është një proces i rëndësishëm edhe për të përparuar me procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat nga ana e vendit tonë. Gjithashtu, zgjedhjet nuk janë shumë larg. Pra, sa më shpejt të përfundojnë ndryshimet në kod, aq shumë kohë do të kemi të gjithë së bashku për të inflementuar këto ndryshime mbi gjithë infrastrukturën e administrimit të zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit dhe nëse po, cilat janë çështjet më të mprehta që duhen të realizohen deri atëherë?

Ilir Meta: Për mendimin tim do të ishte një padrejtësi e madhe nëse Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat.

Zëri i Amerikës: Padrejtësi në drejtim të kujt?

Ilir Meta: Padrejtësi edhe në drejtim të qytetarëve shqiptarë, edhe në drejtim dhe të raportit Shqipëri-Bashkim Europian, në drejtim dhe të asaj që Shqipëria ka bërë, bën për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit përmes një politike shumë të vlerësuar.

Zëri i Amerikës: Nuk besoj se ju po e kaloni fajin tek Bashkimi Europian…!?

Ilir Meta: Nuk është ky qëllimi im, t’ia lë fajin dikujt, aq më tepër në drejtim të paditur. Por, Shqipëria përsa i takon kriterit ekonomik i ka përmbushur thuajse të gjitha detyrimet dhe është një vend që është vlerësuar e vlerësohet sa i takon të gjitha këtyre reformave. Shqipëria dhe përsa i takon dhe përafrimit të legjislacionit ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe kjo është vlerësuar. Përsa i takon disa çështjeve të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me dialogun politik kuptohet që nuk ka qenë vullneti këtu për të miratuar disa gjëra, që u miratuan muajt e fundit, por që mund të ishin miratuar dhe para dy vjetësh apo dhe gjëra të tjera që pritet të miratohen, por që duhet të ishin miratuar dy vjet më parë sikurse është dhe rasti i Gjykatës Administrative, e cila ka të bëjë edhe me rritjen e transparencës, ka të bëjë dhe me luftën kundër korrupsionit, edhe me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me shumë elementë të tjerë. Ndaj unë besoj se Shqipëria duhet ta marrë statusin dhe angazhimi ynë është që ne t’i plotësojmë të gjitha këto angazhime, të gjitha këto prioritete, ndërkohë që duhet të kuptojmë që ka dhe prioritete, të cilat do të jenë për një kohë të gjatë si të tilla.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG