Lidhje

CEZ-i, Prifti akuzon sërish Metën

  • Armand Mero

Ish ministri i Ekonomisë: Ndikoi politikisht në kontratën mes CEZ-it dhe DIA-s. NGa paratë e DIA-s përfituan njerëz të afërt me Metën

Në Shqipëri, ish ministri i Ekonomisë Dritan Prifti iu rikthye sot akuzave për përfshirjen e kryetarit të parlamentit Ilir Meta në kontratën mes kompanisë Cez dhe asaj për mbledhjen e borxheve, DIA. Ky i fundit i ka hedhur poshtë këto akuza. Por sipas zotit Prifti kontrata e DIA-s është ndikuar politikisht nga zoti Meta dhe njerëz të afërt me të tha ai kanë përfituar para nga DIA.

​Ish ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, një armik i shpallur i kryetarit të parlametit Ilir Meta, ishte sot në Drejtorinë e policisë në Tiranë ku ai dha shpjegime lidhur me rolin e tij në situatën e krijuar pas debateve publike mbi dyshimet për një aferë korruptive mes kompanisë Cez dhe DIA-s, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike në vitin 2010. Zoti Prifti është akuzuar në një letër që kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho i ka drejtuar krerëve të institucioneve, se po përgatiste rrëmbimin e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt, pronarit të DIA-s.

Në deklaratat e tij, edhe sot zoti Prifti këmbënguli në përfshirjen e zotit Meta në këtë cështje: “Unë jam i bindur që kontrata mes CEZ-it dhe DIA-s ka qenë një kontratë korruptive e ndikuar politikisht nga Ilir Meta. Një kontratë e parealizuar në mënyrë të njëanshme nga DIA, nga e cila kanë përfituar politkisht njerëz të afërt me kryetarin e parlamentit. Unë kam dhënë dhe më parë fakte publike. Kam thënë që para nga DIA kanë shkuar te njerëz dhe miq të Ilir Metës”

Sipas zotit Prifti 350 mijë euro janë derdhur nga DIA për llogari të një kompanie të afërt me zotin Meta, apo se para të DIA-s kanë shkuar pranë politikanëve dhe njerëzve të tjerë të lidhur me të.

Kryetari i parlamentit i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat, ndërsa gjatë seancës së djeshme foli për një skenar mediatik, politik dhe financiar kundër tij. Edhe sot nënkryetari I LSI-së Ylli Manjani tha se sulmet ndaj zotit Meta synojnë të viktimizojnë pronarin e DIA-s gjë që sipas tij, do të mund të favorizonte këtë kompani në dëm të shtetit shqiptar në cështjen e arbitrazhit në Vjenë, ku ajo kërkon 135 milion euro.

Cështja Cez duket se do të jetë për një kohë të gjatë në qendër të debateve. Dje parlamenti votoi kundër kërkesës së opozitës që projektligji i saj për hetim ndërkombëtar të diskutohej me procedurë të përshpejtuar. Megjithatë cështja do të përfshihet sipas procedurës normale në diskutimet e parlamentit. Socialistët janë shprehur kundër, ndërkohë që zoti Meta ka mbështetur idenë e një hetimi ndërkombëtarë i cili të përfshijë të gjithë periudhën që nga momemnti I blerjes së kompanisë së shpërndarjes nga ana e CEZ-it.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG