Lidhje

Ekspozita ngjall debate rreth naftësjellësit


Artistja kanadeze Mia Feuer është bërë pjesë e kësaj çështjeje kontradiktore me një ekspozitë në Galerinë e Arteve Corcoran këtu në Uashington

Mes vendimeve të rëndësishme të mjedisit që përballet administrata Obama në javët e ardhme është nëse do ta miratojë apo jo ndërtimin e naftësjellësit Keystone XL, nëpër të cilin do të kalojë nafta nga Kanadaja nëpër Amerikën Veriore drejt rafinerive bregdetare në Luiziana. Debati ka vënë përballë ata njerëz që thonë se ndërtimi i këtij naftësjellësi do të krijojë vende pune dhe siguri energjie dhe të tjerët që thonë se nxjerrja e naftës do të dëmtojë mjedisin, ndërkohë që një raport i fundit i Departamentit të Shtetit nuk ngre kundërshtime të mëdha mjedisore ndaj ndërtimit të këtij naftësjellësi, megjithëse raporti nuk bën asnjë rekomandim lidhur me ndërtimin apo jo të tij. Por një artiste është bërë pjesë e kësaj çështjeje kontradiktore me një ekspozitë në Galerinë e Arteve Corcoran këtu në Uashington.

Kjo natyrë e qetë është vepër e artistes kanadeze Mia Fojër.

“Kjo pjesë në veçanti, të cilën e krijova në përgjigje të vizitës që bëra në një pikë restaurimi,” thotë ajo.

Kujtimi i saj rreth një fushe nafte në Kanada varet nga kubeja prej qelqi e kupolës së muzeut. Ajo nuk lejohet të botojë fotografi të pikës kanadeze, prandaj ajo rikrijoi në art përvojën e saj. Aty ishte mbjellë grurë për të pastruar tokën pas nxjerrjes së naftës, por gruri tërhoqi një numër të madh minjsh. Më pas kompania vendosi pemë kokë poshtë si fole për shpendët grabitqarë. Ky mjedis tërhoqi shumë sorra.

“Ishte e pabesueshme. Ishte si një fidanishte e çuditshme,” thotë Feuer.

Poshtë kësaj pamjeje të vështirë, Mia Fojër krijoi një pistë akulli, simbol i vendlindjes së saj, ku spsorti i hokeejit është shumë i përhapur.

“E zeza i referohet ngjyrës së naftës, po edhe momentit të errët e të zymtë po të kesh parasysh prirjen tonë ndaj naftës,” thotë artistja.

Dhe kjo pamje nuk e gëzon aspak vizitorin e muzeut, Justin Bolanda.

“Skulptura mbi ne është me të vërtetë e tmerrshme,” thotë ai.

Vepra të tjera në ekspozitë janë të frymëzuara nga udhëtimi i saj me anije në Arktik.

“Ndjeheshe sikur ishe aty në një moment që kalonte menjëherë. Ishte një prej vendeve më të bukura që kam parë ndonjë herë në jetën time,” tha Feuer.

Gjatë atij udhëtimi, Mia Fojër grumbulloi mbeturina plastike, që dalin në breg. Ajo përdori copa letre dhe litar për të krijuar një slitë qensh në kuvertën e anijes.

Ajo krijoi pjesën artistike të quajtur "Dielli i Mesnatës" me poça të ngjyrave të ndryshme, replikë e një sahati që gjendet në një qytet qymyrguri të braktisur. Një pjesë tjetër arti pasqyron një minierë qymurguri të rënuar e ndërthurur me një ngjyrim blu të akullit arktik.

Mia Fojër thotë se synimi i saj nuk ishte që të bënte ndonjë deklaratë. Ajo e pranon se ka lidhje me naftën po aq sa kushdo tjetër sepse materialet plastike që ajo përdor, kanë përbërje nafte. Synimi i saj është që të krijojë vepra arti të lidhura me jetën në ditët tona.

“Unë dua që njerëzit që vijnë në ekspozitë të kenë një reagim. Nuk e di nëse është puna ime t’u them njerzve se çfarë duhet të ndjejnë kur shikojnë ekzpozitën time dhe veprat e mija të artit”.

Ekspozita ishte e fuqishme për George Bozzini-n, profesor anglishteje në pension.

“Kjo duket si të gjitha fotografitë e shkatërrimeve që shikojmë çdo ditë në Irak, Siri apo Afganistan, një shkatërrim total”.

Sarah Newman, kuratore e artit bashkëkohor në Galerinë Corcoran, thotë se çdo vizitor përjeton ndjenja të ngjashme.

“Mund të shikosh që artistja me veprat e saj bën që vizitorët të përshkohen nga emocione. Ajo krijon lidhje dhe evolon një mjedis, të cilin nuk mund ta përjetosh në një mënyrë tjetër. Lidhjet e saj janë poetike, emocionale dhe shpesh të tmerrshme”.
XS
SM
MD
LG