Lidhje

Shkaqet e krizës së emigrantëve

  • Keida Kostreci

Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë, kampet në vendet fqinjë janë të tejmbushura dhe miliona vetë po rrezikojnë jetën në përpjekjet për të përshkuar Mesdheun.

Ndërsa udhëheqësit evropianë përpiqen të gjejnë një zgjidhje për valën masive të emigrantëve, një nga debatet më të nxehta është ai për shkaqet bazë për krizën më të rëndë të refugjatëve në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Analistët janë në një mendje se dëshpërimi po i detyron dhjetra mijëra njerëz të lënë shtëpitë dhe vendet e tyre, por qëndrimet e tyre janë më komplekse lidhur me përgjegjësitë që dalin nga mungesa a hapave më të hershme për të parandaluar situatën e kirjuar.

Ivan Vejvoda, nënpresident i Fondit Marshall thotë se ndërhyrjet në Irak dhe Afganistan krijuan një situatë ku siguria u bë tejet e brishtë, Pranvera Arabe u pasua nga kaosi dhe më pas mungoi vullneti për të ndërhyrë në Siri.

“Do të thotë që veçanërisht pas kolapsit në Siri, askush nga aleanca perëndimore nuk veproi prandaj gjendja u përkeqësua dhe u ndërlikua edhe më tej nga emigrantët e Afrikës nënsahariane dhe sigurisht nga gjendja në Libi”.

William McCants që drejton Projektin për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Botën Islamike në Institutin Brookings, thotë se përgjegjësia nuk i takon vetëm perëndimit.

“Mendoj se bie direct mbi qeveritë që nuk dëgjuan popujt e tyre kur ata bënë thirrje për një ndryshim paqësor të regjimit. Bie më pas tek vendet fqinjë, veçanërisht ato më të pasurat dhe pastaj bie mbi komunitetin ndërkombëtar”.

Ai thotë se një pjesë e madhe e krizës së refugjatëve është shkaktuar nga sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve jo vetëm nga Shteti Islamik, por edhe nga regjimi i Asadit.

Zoti Vejvoda thotë se një zgjidhje diplomatike në vitin 2012 me një largim të mundshëm të Presidentit Bashar al-Assad, ose bisedime mes palëve luftuese mund të kishte qenë një masë parandaluese. Por ai shton se këto analiza bëhen me avantazhin e informacionit që kemi sot.

“Rrethanat e atëherëshme ishin krejtësisht të ndryshme dhe mendoj se njerëzit thjesht nuk e dinin se çfarë do të vinte më pas, që do të kishte një vale të tillë masive drejt Evropës”.

Mungesë e alternativave të qarta për zgjidhjen e krizës

Por Daniel Serwer, studiues në Institutin e Lindjes së Mesme thotë se fokusi duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje.

"Ju mund ta analizoni këtë çështje në të gjitha këto aspekte, por kjo nuk do t’ju ndihmonte për të zgjidhur problemin dhe sot nuk ka zgjidhje të lehta. Do të doja të shihja ndonjë zonë të sigurt, zonë të mbrojtur në pjesën veriore apo jugore të Sirisë, por nuk mendoj se këto gjëra do ta zgjidhnin shumë shpejt problemin."

Zoti McCants duke iu referuar disa prej vendeve të Gjirit, thotë se disa që kanë premtuar miliona dollarë për kampet e refugjatëve nuk i kanë mbajtur zotimet. Ai mendon se duhet të investohet më shumë për kampet, në zonat pranë konfliktit.

"Do të ishte shumë mirë nëse qeveritë evropiane dhe Shtetet e Bashkuara pranojnë më shumë refugjatë, por mendoj se ne duhet të fokusohemi shumë më tepër tek burimi nga vijnë këta refugjatë dhe tek vendi ku ndalen së pari në udhëtimin e tyre, që zakonisht janë këto kampe më pranë konfliktit.”

Zoti Serwer ka të njëjtin mendim, por thotë se kjo duket e pamundur dhe se ai nuk sheh zgjidhje të lehta.

Shqetësimi i depërtimit të elementëve radikalë

Zoti McCants, i cili sapo ka publikuar një libër mbi historinë dhe strategjinë e ISIS-it shpreh shqetësimin se elementët radikalë mund të hyjnë në Evropë bashkë me mijëra njerëzit që kalojnë kufijtë.

"Mendoj se në përgjithësi, shumica e njerëzve që vijnë thjesht duan t’i shpëtojnë kaosit, por kurrë nuk mund të thuhet me siguri se elementët e këqinj nuk do të përpiqen të kalojnë, aq më tepër që sulmet në Evropë janë përparësi për luftëtarët e Shtetit Islamik.”

Më shumë se 470 mijë njerëz kanë hyrë në Evropë këtë vit, rreth 40 për qind e tyre nga Siria, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin.

Shtetet e Bashkuara kanë në plan që, duke filluar nga viti 2017, të japin deri në 100 mijë viza në vit për refugjatët, nga 70 mijë që japin tani.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG