Lidhje

Mijëra imigrantë që punojnë në Athinë shihen me zemërim


Mijëra imigrantë që punojnë në Athinë shihen me zemërim
Mijëra imigrantë që punojnë në Athinë shihen me zemërim

Në kushtet kur ekonomia greke ndodhet në prag të falimentimit, dhjetra mijëra imigrantët që punojnë në Athinë shihen me zemërim. Një numër i madh grekësh fajësojnë imigrantët për rritjen e ritmit të krimeve dhe papunësisë në vend. Grupe imigrantësh thonë se autoritetet shpesh i injorojnë, madje edhe nxisin sulme raciste kundër tyre. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell nga Athina, vrasja kohët e fundit e një qytetari grek nga një person i panjohur, ka shkaktuar një valë dhune kundër emigrantëve në mbarë qytetin.

Imigrantët afganë Hafiz, Muhamed dhe Sahil, janë duke studjuar anglisht në një shkollë nate në Athinë. Ashtu sikurse qindra të huaj të tjerë që jetojnë në Greqi, Hafiz kohët e fundit u sulmua nga turma njerëzish kundër imigrantëve nëpër rrugët e Athinës. Ai ka akoma në sy shenjat e rrahjes.

"Po shkoja në shtëpi. Kur po ecja, pashë 6-7 vetë që po vinin përballë meje. Kur më panë, nuk thanë gjë, pastaj kur m’u afruan, filluan të më godisnin, në fytyrë, në shpinë, në kokë, në të gjithë trupin”.

Greqia është shumë pranë falimentimit. Në kushtet e papunësisë së madhe dhe masave të ashpëra ekonomike, mes grekëve po shtohet përherë e më tepër zemërimi. Të huajt në Greqi janë shpesh viktima të këtij zemërimi.

Kjo demonstratë e javës së kaluar në Greqi është një nga ato që u kthyen në të dhunshme. Megjithatë, nuk duket ndonjë shenjë e ndalimit të fluksit të imigrantëve. Deri 300 vetë në ditë përpiqen të kalojnë lumin Evros që ndan Greqinë me Turqinë, për të shkuar në vendet e BE-së. Qendrat e ndalimit janë të mbipopulluara, prandaj shumica e imigrantëve lirohen pas rreth dy ditësh.

Nasim Lomani, vetë immigrant afgan, ka krijuar një organizatë që mbështet imigrantët në Athinë.

"Ata nuk gjejnë dot punë, nuk kërkojnë dot as strehim politik, janë pa dokumente. Prandaj, ata jetojnë nëper rrugë. Për të gjitha problemet e Greqisë, thuhet se është faji i imigrantëve dhe ata po paguajnë për këtë. Kjo është situata reale".

Greqia thotë se vendet evropiane duhet të bëjnë më tepër për të ndihmuar Greqinë nga fluksi i imigrantëve. Shumë grekë, si banori i Athinës Nikolaos Sofos, thonë se vendi nuk mund të pranojë më tepër imigrantë të tjerë.

"Grekët nuk e kanë të lehtë. Ata pagojnë taksa, kanë shumë shpenzime. Niveli i jetesës ka rënë në Greqi. - thotë Sofos. Imigrantët që vijnë nga Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, janë të shumtë dhe askush nuk mund ta kontrollojë situatën".

Sulmet kundër imigrantëve në Greqi u intensifikuan pasi në muajin maj, një sulmues i panjohur torturoi dhe vrau një shtetas grek. Të nesërmen, banda me elementë konservatorë filluan të sulmonin imigrantët, të cilët i mbajnë përgjegjës për shtimin e krimeve dhe papunësisë.

Imigranti afgan Lomani akuzon policinë për arrestimin e imigrantëve, ndërsa mbyll sytë para dhunës së grupeve konservatore.

Hafiz dhe shokët e tij janë mes rreth 50 mijë imigrantëve që presin përgjigje nga zyra e imigracionit për kërkesat që kanë çuar për strehim politik. Ai ka 5 vjet që pret për përgjigje.

Ne nuk jemi të sigurtë, jemi në rrezik. U larguam nga Afganistani për të shpëtuar jetën, tani shohim që nuk jemi të sigurtë, por jemi të rrezikuar dhe mund të vdesim.

Ndërsa qeveria greke përpiqet të bëjë shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve, emigrantët druhen se atmosfera armiqësore ndaj tyre mund të bëhet edhe më e rrezikshme në muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG