Lidhje

Mijëra përkrahës të opozitës zhvillojnë tubim proteste në Tiranë

  • Armand Mero
  • Tiranë

Mijëra përkrahës të opozitës zhvillojnë tubim proteste në Tiranë

Mijëra përkrahës të opozitës zhvillojnë tubim proteste në Tiranë

Mijëra përkrahës të opozitës zhvilluan të premten një tubim proteste në Tiranë përpara ndërtesës së kryeministrisë. Protesta e paralajmëruar e opozitës për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjidhje politike, u shndërrua në një përleshje të fortë mes manifestuesve dhe policisë. Gjatë protestës së sotme u vranë tre persona, u plagosën 31 civilë dhe 27 policë.

Pjesëmarrësit u mblodhën para selisë së qeverisë nga ora 14 me parrulla kundër korrupsionit dhe më pas shkëmbyen goditje me forcat e shtuara të policisë, të cilat shpërndanë fillimisht protestuesit me pompa uji dhe gazlotsjellës. Shkopinjtë e posterave dhe gurët e një sheshi në rindërtim para piramidës u përdorën nga protestuesit për të goditur forcat e rendit.

Protestuesit e irrituar u vunë zjarrin një automjeti të policisë dhe 4 automjeteve të tjera private në afërsi të kryeministrisë.

Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot në mbrëmje opozitën se sipas tij “ishte përpjekur të vinte në jetë një skenar të ngjashëm me atë të Tunizisë”. Në një kofrencë për shtyp, kryeministri tha se “nga të dhënat e para arma me të cilën janë qëlluar tre viktimat e përleshjeve të pasdites “nuk bën pjesë në inventarin e armatimeve të policisë apo Gardës së Republikës”, duke shtuar se “arma mund te këte qenë me silenciator. Sidoqoftë – tha ai më tej – do të jetë ekspertiza e specializuar ajo që do ta përcaktojë saktësisht”. Më tej kryeministri fajësoi drejtëprdrejt kryetarin socialist Edi Rama, si organizator i protestës në të cilën “opozita kishte angazhuar elementë kriminalë, banditë dhe trafikantë”, tha kryeministri. Zoti Berisha deklaroi se “asnjë institucion nuk do të preket” dhe se “kushdo që do të tentojë ta bëjë këtë do të ndëshkohet nga ligji”.

Kryetari socialist Edi Rama tha sot në mbrëmje se “opozita do t’i rikthehet protestave pas ditës së nesërme e cila është një ditë zie për ne”, deklaroi ai duke akuzuar sërish qeverinë se “provokoi manifestuesit paqësorë e më pas qëlloi duke i vrarë. Protestuesit kishin në duar vetëm pankarta e çadra”, tha zoti Rama i cili garantoi se demonstratat e opozitës do të jenë paqësore për të detyruar “këtë rregjim që të ikë”. Kreu i opozitës kërkoi nga presideti i republikës dhe Prokuroria që të garantojnë provat dhe “të mos vonohet në hetime për gjëra që populli i ka parë dhe dëgjuar”. Ai kërkoi nga organet e Drejtësisë që të rindërtojnë të gjithë skenë e protestës dhe “provokimit e më pas dhunës së ushtruar ndaj manifestuesve”.

Presidenti i vendit Bamir Topi është shprehur i shqetësuar për situatën në vend dhe iu ka bërë thirrje palëve politike për qetësi, duke kërkuar prej tyre që të qetësojnë protestuesit dhe të garantojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur rikthimin e rendit publik për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, por mbi të gjitha sigurinë e jetës së qytetarëve.

Në apelin e tij presidenti Bamir Topi i bëri thirrje faktorit politik që t’i kthehen urgjentisht dialogut e të marri përgjegjësitë politike për kthimin e stabilitetit të vendit. “Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët e jo të hapë plagë të reja”- tha presidenti Topi.

Ambasada e SHBA, delegacioni i BE-së dhe prania e OSBE-së në Tiranë dolën me një deklaratë të përbashkët. Të treja këto institucione shprehën në deklaratën e tyre keqardhjen e thellë që demonstrata nuk ishte paqësore dhe shkaktoi disa viktima. Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk duhet të justifikohen dhe duhen shmangur. “Shqipëria është një vend demokratik i cili aspiron për anëtarësim në BE, dhe i ka institucionet e nevojshme demokratike” thuhet në deklaratë. Tre institucionet ndërkombëtare bënë sërish thirrje për dialog konstruktiv dhe kompromis për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ekzistuese.

Pasditja dukej relativisht e qetë në kryeqytetin shqiptar, i cili për 4 orë përjetoi tronditjen e përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit. Policia ka marrë nën kontroll bulevardin qendror të Tiranës ndërsa njerëzit janë larguar nga sheshi qendror i Tiranës.

Partia Socialiste organizoi protestën për disa ditë me radhë, duke mobilizuar edhe një grup të madh njerëzish që u sollën me autobusa nga gjithë vendi. Partia kryesore opozitare kishte deklaruar paraprakisht se nuk do të mbaheshin fjalime në këtë tubim, dhe se ishte detyrë e policisë të ruante qetësinë dhe ligjin.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG