Lidhje

Mbrojtja e përbashkët në krye të axhendës së NATO-s


28 vendet anëtare të NATO-s janë duke u përgatitur për takimin e nivelit të lartë në Uells në fillim të shtatorit. Në materialin në vazhdim, korrespodenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera, shqyrton çështjen kryesore që do të diskutohet, parimin e mbrojtjes së përbashkët, pas situatës së re të krijuar nga veprimet e fundit të Rusisë kundër Ukrainës.

E thënë thjesht, parimi i mbrojtjes së përbashkët do të thotë se një sulm ndaj një prej 28 vendeve anëtare të NATO-s, është një sulm ndaj të gjithëve.

Në një artikull së fundmi në gazetën The Wall Street Journal, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u shpreh se aleanca “duhet të qëndrojë e gatshme dhe në gjendje për të mbrojtur popullsinë e saj prej pothuajse 1 miliardë banaorësh.”

Zoti Rasmussen vazhdoi më tej duke u shprehur se udhëheqësit e NATO-s duhet të ndërmarrin hapa për ta bërë aleancën “më të aftë, më të shpejtë, dhe më elastike për t’iu përgjigjur sfidave të ardhshme nga kudo që ato mund të vijnë.”

Doktrina e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s është tashmë në qendër të vëmendjes për shkak të veprimeve të fundit të Rusisë kundër Ukrainës: aneksimin e gadishullit të Krimesë dhe mbështetjen për separatistët rusë në pjesën lindore të vendit.

Admirali në pension James Stavridis, ish-Komandant Suprem i Aleancës, thotë se sjellja agresive e Presidentit rus Vladimir Putin do t’i kthehet kundër.

“Strategjia e Presidentit Putin do të dështojë. Në realitet ai po e forcon NATO-n; po shkakton më shumë vendosmëri brenda aleancës dhe do të krijojë edhe më shumë bashkërendim sesa kishte përpara ngjarjeve në Ukrainë.”

Sjellja e Rusisë gjithashtu ka shkaktuar shqetësime, madje edhe frikë në disa vende, si p.sh. në ato balltike, se Moska mund të përpiqet të pushtojë një vend të NATO-s.

Sean Kay, një ekspert për NATO-n në Universitetin Wesleyan në Ohio, bën vlerësimin e forcave ushtarake.

“Për sa i përket mbrojtjes së aleatëve në NATO nga Rusia, këto vende kanë një avantazh ushtarak shumë të madh, për shkak të aftësive të tyre të kombinuara. Po ashtu balanca e pushtetit anon nga perëndimi. Pyetja që ngrihet është se çfarë forme do t’u japin ato marrëdhënieve me Rusinë, për shkak të sjelljes së saj të kohëve të fundit.”

Ish komandanti superem i Natos, James Stavridis shprehet në këtë mënyrë:

“Aftësia e Rusisë që të pushtojë një vend të NATO-s për mua nuk përbën shqetësim serioz.”

Por, për të ulur frikën e atyre vendeve që ndjehen të kërcënuara prej sjelljes së Rusisë, zoti Stavridis thotë se në takaimin e NATO-s, udhëheqësit duhet të ndërmarrin veprime të vendosura.

“Duhet të shtohet numri i avionëve që patrullojnë kufijtë e aleancës. Duhet të kemi forca më të mëdha dhe më të fuqishme detare në veri në Detin Balltik dhe në jug në Detin e Zi. Në pikëpamjen time, ne duhet të mbështesim forcat e armatosura të Ukrainës me paisje, trajnim, mbështetje kibernetike, si dhe ti ndihmojmë që të përgatiten në rast se Rusia hedh hapin tjetër, që do të ishte pushtimi i hapur i Ukrainës.”

Për sa i përket së ardhmes, ish komandanti i NATO-s parashikon tension në rritje ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, por jo një rikthim në periudhën e Luftës së Ftohtë.

“Gjatë Luftës së Ftohtë, 6 milionë njerëz qëndronin përballë njëri-tjetrit. Forca detare të mëdha patrullonin në të gjithë rruzullin, në gadishmëri të menjëhershme. Armët bërthamore ishin të drejtuara në objektiva të caktuara dhe të gatshme për të goditur. Për të provuar forcën, kishte luftëra në të gjithë botën, ishte aktiviteti dominues politik dhe ushtarak për 20 deri në 30 vjet. Jo, ne nuk po kthehemi prapë në atë gjendje.”

Ish-komandanti i lartë i NATO-s thotë se takimi i ardhshëm i NATO-s do të diskutojë gjithashtu për rolin e aleancës në Afganistan pas më shumë se 10 vitesh angazhimi, si dhe për mënyrën e shpërndarjes më të barabartë të shpenzimeve ndërmjet vendeve anëtare.

XS
SM
MD
LG