Lidhje

Në Kosovë do të hapet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës


Në Kosovë do të hapet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës
Në Kosovë do të hapet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Në Kosovë, qeveria ka vendosur të themelojë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili do të grumbullojë, përpunojë, klasifikojë dhe arkivojë lëndët për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare, duke filluar nga viti 1990, deri në vitin 1999. Autoritetet thanë se puna e këtij instituti do të dokumentonte pasojat e luftës, të cilat Kosovën e lanë me mbi 10 mijë të vrarë, ndërsa edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 800 peronave.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të themelojë një Institut për studimin e krimeve të luftës. Ky institut i cili do të ngrihet 12 vjet pas përfundimit të luftës, do të regjistrojë siç thuhet krimet e kryera gjatë viteve 1990-1999, në kohën kur Kosova ishte nën sundimin serb. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi, njëherësh ministër i drejtësisë, tha se në këtë institut do të përfshihen ekspertë vendas e ndërkombëtarë të cilët do të bashkëpunojnë me organizata humanitare të kohës dhe me arkivat vendas e ndërkombëtarë.

“Në Kosovë, kanë ndodhur krime që nga viti 1990 - 1999 në veçanti dhe është kohë e rezistencës, nëse më lejohet të them kështu. Duhet të evidentohen krimet dhe momentin kur ne i përgatisim edhe aspektet tjera juridike e mundësitë legale, në mënyrë që të mos thotë dikush që kemi mundësi të ngremë padi ndërsa nuk i kemi letrat. Qëllimi ynë është që në mënyrë profesionale të pasqyrojmë kuptimin juridik, politik, historik, ekonomik, ushtarak dhe sociologjik ato që kanë ndodhur në Kosovë në vitet 1990 – 1999”, tha ai.

Rezultatet e punës së këtij instituti, sipas zotit Kuqi do të mund të shfrytëzohen edhe për ndonjë padi kundër Serbisë, një kërkesë kjo e cila shpesh është shtruar nga organizata humanitare por edhe familjarët e viktimave të luftës. Zoti Kuqi tha se një gjë e tillë kërkon edhe përmbushje të kushteve juridike.

“Për ta paditur një shtet duhet të plotësohen dy kushte, të jeni anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të jeni nënshkrues i statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ne nuk jemi as në njërën e as në tjetrën. Por, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të jemi. Ne duhet të jemi të përgatitur me një institut profesional nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe punë e cila do të kërkojë kohë për të finalizuar”, tha zoti Kuqi.

Shkalla e krimeve të ndodhura në Kosovë posaçërisht gjatë luftës së viteve 1998 1999, për vite me radhë ishte çështje e vlerësimeve të përafërta. Sipas një studimi të Gjykatës Ndërkombëtare për krime, në periudhën ndërmjet 24 Marsit dhe 22 qershorit të vitit 1999, vlerësohet se në Kosovë janë vrarë 10,356 veta dhe brenda të njëjtës periudhë nga Kosova janë dëbuar të paktën 700,000 shqiptarë.

Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd vlerëson se prej vitit 1998 deri në vitin 2000, në Kosovë kanë pësuar rreth 13 mijë e 500 veta nga të cilët 10 mijë e 500 janë shqiptarë. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 819 personave nga të cilët 500 janë serbë, romë dhe joshqiptarë tjerë. Sipas statistikave të këtij fondi që nga viti 1999 deri në fillim të 2011-s në Kosovë janë akuzuar, gjykuar apo liruar nga akuzat për krime lufte 49 persona shqiptarë dhe serbë.

Ndërsa, sipas EULEX-it që nga vendosja e tyre në Kosovë në vitin 2008, prokurorët e këtij misioni kanë ngritur shtatë aktakuza, katër prej të cilave kundër shqiptarëve, ndërsa tri kundër serbëve. Gjykatësit e këtij misioni kanë shpallur 13 aktgjykime për krime lufte, 11 kundër shqiptarëve e dy kundër serbëve.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG