Lidhje

Nju Jork, NAAC organizon mbrëmjen për 100-vjetorin

  • Ilir Ikonomi

Komuniteti shqiptar i Nju Jorkut pati mbrëmë mes tij presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët folën për sukseset e dy vendeve, lidhjet me komunitetin e shqiptarëve të Amerikës dhe marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara.

Ata i bënë komentet në darkën tradicionale të NAAC-ut, Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë që merret me programe edukimi dhe trajnimi për shqiptarët në Ballkan.

Mbrëmja e përvitshme e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dje i kushtohej 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ky ishte një rast që pjesëmarrësit të reflektonin për ecurinë e Shqipërisë dhe të Kosovës gjatë disa dekadave të kaluara.

Sot, shqiptarët në Ballkan kanë kapërcyer shumë sfida dhe megjithë vështirësitë, kanë realizuar disa arritje kyçe. Shqipëria është shumë afër marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, ndërsa në Kosovë sapo ka përfunduar faza e mbikqyrjes së pavarësisë.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ka ardhur në Nju Jork për të folur në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe për takime me komunitetin shqiptar, kujtoi rrugën e përshkuar nga Shqipëria në dy dekadat që nga shëmbja e komunizmit:

“Vendi, i cili në të kaluarën njihej për shkeljet më absurde të të drejtave të njeriut, të krahasueshme vetëm me Korenë e Veriut, sot mban kryesinë e radhës në Këshillin e Evropës. Energjia që ka sjellë liria dhe ekonomia e tregut, si dhe mësimet e nxjerra nga mungesa e përvojës, e kanë vënë Shqipërinë brenda një kohe të shkurtër në listën e vendeve që tërheqin investime të huaja”, tha Presidenti Nishani.

Presidenti i Shqipërisë, përsëriti premtimin se gjatë mandatit të tij presidencial Kosova do të jetë përparësia kryesore e aktivitetit të tij, në përpjekje për të shtuar njohjet e saj ndërkombëtare.

Ai inkurajoi shqiptaro-amerikanët që të pasurojnë veprimtaritë e tyre në Shtetet e Bashkuara, për veten e tyre por edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo ku janë. Presidenti Nishani uroi dy shqiptaro-amerikanë të suksesshëm, Mark Gjonaj dhe Ken Biberaj, që po konkurojnë për poste politike në qytetin dhe shtetin e Nju Jorkut.

Ambasador Frank Wisner, ish negociator ndërkombëtar për Kosovën, paraqiti presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila foli për rrugën e përshkuar nga shqiptarët në Ballkan.

“Nëse shekulli i njëzetë do të mbahet mend për shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, shekulli i njezetenjë shënohet me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Këto dy vepra madhore patën sukses falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentëve Wilson, Klinton dhe Bush si dhe miqve ndërkombëtarë”, tha zonja Jahjaga.

Republika e Kosovës, tha ajo, dëshiron të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse kështu përmbyllet me sukses dhe në mënyrë të drejtë një kapitull i historisë.

Senatori Charles Schummer, i cili u nderua me çmimin Duart e Shpresës, dërgoi një mesazh të regjistruar në video:

“Jemi mjaft krenar për komunitetin shqiptar, i cili është shumë i rendësishëm për Nju Jorkun dhe kjo nuk është habi sepse shqiptarë janë njerëz mjaft punëtorë. Ata lënë gjurmën e tyre të suksesit kudo që shkojnë. 100-vjetori i pavarësisë është një rast për të festuar. Edhe 100 të tjera!” uroi senatori Schummer.

Zëvendësndihmës sekretari i shtetit, Philip Reeker, lexoi një mesazh që u dërgoi pjesmarrësve Sekretarja Hillary Clinton:

“Komunitetet e diasporës kanë mundësi të jashtëzakonshme për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e shanseve në vendet e origjinës. Duke përdorur përvojën dhe energjinë tuaj, ju mund të frenoni largimin e trurit, që ngadalëson përparimin, dhe të ofroni përfitimet që sjell procesi i kundër,” thuhej në mesazhin e Sekretares së Shtetit.

Mbrëmja që organizon çdo vit Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan mbledh në një sallë personalitete politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, ambasadorë, njerëz të biznesit si dhe të botës së argëtimit

Mbrëmja u mbyll me një koncert me muzikë shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG