Lidhje

Video e re mbi vajzat e rrëmbyera në Nigeri


Dy vjet pasi militantët islamikë rrëmbyen më shumë se 200 vajza në Nigerinë veriore, një video e re që thuhet se tregon vajzat e zhdukura, e realizuar vetëm katër muaj më parë u ka dhënë prindërve të tyre shpresë se fëmijët e tyre janë ende gjallë.

Deri tani, nuk ka patur pothuajse asnjë lajm mbi 219 vajzat e rrëmbyera nga militantët e grupit Boko Haram në vitin 2014 nga një shkollë në qytetin Çibok. Rrëmbimi i vajzave në atë kohë nxiti reagime të shumta globale, protesta në Nigeri dhe oferta për ndihmë për gjetjen tyre nga aleatët e vendit.

Videoja që u shfaq të mërkurën dhe tregon 15 vajza dhe mund të jetë filmuar në dhjetor, shënon herën e parë që ato janë shfaqur që nga videoja propagandistike e grupit Boko Haram menjëherë pas rrëmbimit të tyre.

"Po, ato janë vajzat tona," i tha Zërit të Amerikës Yana Galang. Vajza e saj, Rifkatu Dalamg është në mesin e të zhdukurve. Ajo tha se kishte parë videon, por vajza e saj nuk ishte në mesin e 15 vajzave të shfaqura në video.

Në video shfaqen vajza që flasin në gjuhët Hausa dhe Kibaku, duke iu përgjigjur pyetjeve të një hetuesi të cilit i dëgjohet vetëm zëri. Ai pyet vajzat për emrat e tyre dhe për vendin ku ato janë rrëmbyer.

Por Ministri nigerian i Informacionit dhe Kulturës Lai Muhamedi tha se ai ishte i kujdesshëm për vërtetësinë e videos, e cila për herë të parë u transmetua nga kanali televiziv CNN. Qeveria ka marrë shumë informacione të pavërteta rreth vendndodhjes së vajzave që nga rrëmbimi i tyre, duke përfshirë edhe një video të ngjashme korrikun e kaluar.

Ndërsa një vajzë në video thotë se ato janë duke u filmuar më 25 dhjetor të vitit të kaluar, zoti Mohammed thotë se është e paqartë se kur është realizuar kjo video.

"Ne jemi gjithashtu pak të brengosur dhe të shqetësuar që pas dy vjetësh në robëri, ato nuk duken aspak të stresuara dhe nuk kanë ndryshuar nga pikëpamja fizike", tha ai, duke iu referuar vajzave të shfaqura në video. "Por pavarësisht kësaj, ne po përpiqemi të gjejmë më shumë prova mbi besueshmërinë e kësaj video".

Videoja e re nuk është e vetmja shenjë e kohëve të fundit nga vajzat. Që nga janari, dy prindër të vajzave të zhdukura kanë marrë telefonata nga numrat celularë të vajzave të tyre të rrëmbyera, thotë Yakubu Nkeki, kryetar i Lëvizjes së Prindërve për Shpëtimin e Vajzave të Rrëmbyera të Çibokut.

Telofonatat janë bërë nga burra të panjohur, të cilët u thanë prindërve se telefonat vinin nga gratë e tyre, thotë zoti Nkeki.

Por në Chibok, disa të afërm kanë dyshime rreth zhvillimeve të fundit. Dy vitet e fundit kanë qenë të mbushura me thashetheme se vajzat ishin parë diku në verilindje të Nigerisë, ose në një nga vendet fqinje, thotë Philip Yama, vëllai i Margaret Yama-s, e cila ishte në grupin e vajzave të rrëmbyera.

"Unë nuk mund të besoj deri sa t’i shoh vajzat me sytë e mi", thotë Philip Yama, i cili nuk e ka parë videon e fundit.

Një raport i organizatës Human Rights Watch i publikuar këtë javë, thotë se Boko Haram ka shkatërruar më shumë se 2000 shkolla, ka vrarë 611 mësues dhe u ka mohuar shkollimin më shumë se një milion fëmijëve që nga viti 2009.

Në vitet e fundit, grupi ka filluar të mbështetet tek fëmijët për të mbushur radhët e sulmuesve të tij vetëvrasës. Një raport i Fondit të OKB-së për Fëmijët i publikuar këtë javë thotë se 44 fëmijë janë përfshirë në sulmet vetëvrasëse të vitit të kaluar, nga vetëm katër në vitin 2014.

Qyteti Çibok ka qenë objekt i këtyre sulmeve. Një sulm vetëvrasës i trefishtë në këtë qytet shkaktoi vrasjen e të paktën 10 personave në muajin janar.

XS
SM
MD
LG