Lidhje

Interviste me presidentin Nishani

  • Armand Mero

Kreu i shtetit shqiptar analizon zhvillimet kryesore të vitit 2014: marrëdhëniet e vështira me shumicën e majtë, reformën në Drejtësi, apo kritikat për lidhjet me të djathtën që sipas tij “janë alibi e së majtës për t’i hequr kompetencat Presidentit”

Në Shqipëri, kreu i Shtetit Bujar Nishani thotë në një intervistë me Zërin e Amerikës se institucioni I Presidentit të Republikës si kurrë më parë, ka qenë gjatë vitit 2014 nën trysninë dhe sulmet e shumicës së majtë të cilat sipas tij kanë qenë të panevojshme. Zoti Nishani analizon zhvillimet e vitit të shkuar dhe sfidat që e presin vendin, ndërsa vë theksin te reforma e Drejtësisë, një sistem ndaj të cilit ka sipas tij, një ndikim në rritje të politikës.

Zëri i Amerikës: Zoti President, së pari ju falënderoj për mundësinë e kësaj interviste! Do të doja ta nisja me një pyetje rreth vitit 2014. Nëse do të bënit një vlerësim të përmbledhur të vitit që sapo lamë pas: ju si do ta përkufizonit?

Presidenti Bujar Nishani: “Ishte një vit, që pati dinamikën e zakonshme të shoqërisë shqiptare. Jam i bindur që ka qenë një vit më i mirë se çdo vit tjetër paraardhës. Ashtu siç besoj që çdo vit që do të vijë do të jetë më i mirë se ato që lëmë pas dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse vetë shoqëria synon të shkojë shumë më përpara dhe përvoja, pjekuria dhe arritjet gjithmonë ndihmojnë që të merren si referenca pozitive për të hedhur hapa përpara. Natyrisht ishte një vit që kishte dhe vështirësitë e veta, vështirësi kryesisht në aspektin ekonomik, të cilat u vunë re në ekonominë shqiptare, të ndikuar dhe nga kriza financiare dhe ekonomike globale në tërësi dhe rajonale të vendeve që kemi përreth e me të cilët ekonomia shqiptare është e lidhur. Por ajo që unë dua të vlerësoj ka të bëjë me një ngjarje shumë të rëndësishme siç ishte marrja e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian, që ishte në radhë të parë një vlerësim për çka shqiptarët dhe Shqipëria kishin arritur për të bërë të mundur marrjen e statusit, dhe së dyti si një moment i rëndësishëm inkurajimi për shoqërinë dhe institucionet shqiptare, për çdo qytetar dhe gjithë aktorët e shoqërisë për të ecur përpara në përmbushjen e detyrave të gjithsecilit dhe për të arritur ato standarde që kërkohen që edhe shoqëria shqiptare të formësohet si një shoqëri e standardeve evropiane.

Ishte një, vit i cili nuk shmangu debatet politike, shpesh herë edhe të panevojshme. Por gjithsesi ishte një vit, që la gjurmë të rëndësishme në të gjitha aspektet në jetën tonë si shqiptarë. Dhe mbi të gjitha besoj se është një moment tjetër i një eksperience të shtuar në vlerësimet dhe gjykimet tona si shoqëri.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju sapo përmendet debatet politike, të cilat realisht nuk i janë ndarë politikës shqiptare. Kam vënë re se viti 2014 ka qenë një vit i vështirë në marrëdhëniet tuaja si Institucion i Presidentit të Republikës me qeverinë apo shumicën. Ka pasur një sërë polemikash dhe një sërë madh ligjesh që ju i keni kthyer pas si dhe akuza që ju i keni drejtuar qeverisë, por edhe ajo nga ana e saj. Kujtoj këtu që Kryeministri Rama ka thënë se për herë të parë kemi një President që sulmon qeverinë. Përse kjo lloj marrëdhënieje?

Presidenti Bujar Nishani: Është e vërtetë ajo që thatë ju se ka qenë një marrëdhënie e vështirë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës, më shumë se çdo herë tjetër në historinë e pluralizmit shqiptar është ndierë i trysnuar, i presuar, madje edhe i agresuar në kuptimin legjislativ nga një shumicë, e cila nuk ka asnjë arsye të përdorë atë forcë që ka në Parlament, e cila i është dhënë në fakt për të punuar për jetën e qytetarëve, për të përmbushur përgjegjësitë në raport me shoqërinë dhe aspak për të vendosur në pozicione të vështira institucionet e vendit, qofshin ato në varësi apo përbërje të Ekzekutivit, dhe aq më tepër atyre që janë të pavarura, siç është dhe Institucioni i Kreut të Shtetit shqiptar. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar kemi konstatuar që gjatë një viti janë ndryshuar një numër i madh ligjesh me synimin e vetëm për t’i hequr kompetencat kushtetuese madje, Presidentit të Republikës dhe një sërë prej tyre t’i kalojnë qeverisë dhe Kryeministrit, çka nuk ka ndodhur asnjëherë në 25 vite të pluralizmit shqiptar, pavarësisht debateve që ka pasur mes institucioneve edhe në të shkuarën. Por kurrë nuk ka pasur një praktikë të tillë, që Presidenti i Republikës, pavarësisht se nuk ka pushtet ekzekutiv, por që krahas rolit të tij protokollar dhe simbolik ka dhe disa kompetenca emërtesash, të cilat jo pa qëllim i janë dhënë nga Kushtetuta e vendit, pikërisht për të ruajtur balancat, kryesisht garancitë kushtetuese të mosndërhyrjes së pushteteve të tjera në këto emërtesa gjatë funksionimit dhe përmbushjes së detyrës nga ana e tyre. Pikërisht kjo balancë është prishur, duke ia hequr këto kompetenca Presidentit të Republikës dhe ky ka qenë i vetmi reagim dhe qëndrim i pandryshueshëm i Presidentit të Republikës, së pari për të nënvizuar shqetësimin e një ndërhyrjeje të tillë të paprecedent më parë, së dyti, rëndësinë e madhe që ka ruajtja e balancave mes pushteteve dhe institucioneve kushtetuese në Shqipëri, dhe së treti, frenimin e politizimit të këtyre institucioneve gjatë funksionimit të tyre, pasi një politizim i tyre nuk i shërben askujt. Dhe jam i sigurt se nuk i shërben as vetë shumicës, qytetarëve jo e jo, por do ta vendosë dhe vetë shumicën në një të ardhme shumë të afërt, në një pozitë shumë të vështirë në raport me qytetarin dhe me dimensionin e demokracisë në vend. Nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë objektiv nga Presidenti i Republikës, – për fat të mirë, nuk ka as mekanizma për të penguar punën e një shumice, punën e qeverisë. Përkundrazi, është përgjegjshmëri edhe e Institucionit të Presidentit që të jetë maksimalisht i angazhuar dhe mbështetës i të gjithë punës që bën qeveria, por këtu e kam fjalën për punë dhe jo për akte të tilla, që nuk kanë lidhje me impaktin që duhet të marrin qytetarët shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti President, Gjykata Kushtetuese, disa nga ligjet që ju i keni ankimuar, i ka kthyer ose i ka pranuar ato vetëm pjesërisht…

Presidenti Bujar Nishani: Natyrisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime detyruese për gjithkënd. Madje ky ka qenë ndër shqetësimet e mia, e që mbetet ende një shqetësim, edhe në komunikimet e fundit që kam pasur me shumicën parlamentare, zbatimi dhe respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse këto vendime dhe këto raste duhet të gjykohen dhe duhet të vlerësohen në mënyrë të njëjtë nga të gjitha institucionet. Duhet të shmangim në çdo rast standardet e dyfishta, pra kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese na pëlqejnë politikisht dhe na kërkojmë t’i zbatojmë, dhe kur nuk na pëlqejnë politikisht, ne nuk i zbatojmë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbeten për t’u respektuar nga të gjitha institucionet e tjera, pavarësisht pastaj këndvështrimit dhe bindjes që mund të ketë çdo institucion në vetvete. Kjo është një çështje krejt tjetër. Ajo që mbetet e padiskutueshme është zbatimi dhe respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ekzistenca e këtij mekanizmi është e rëndësishme, dhe natyrisht pavarësisht defekteve që mund të ketë, është një mekanizëm që garanton, le të themi, pjesën proceduriale të funksionimit të institucioneve të shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, shumica asnjëherë nuk e ka fshehur mosbesimin ndaj prejardhjes tuaj politike. Madje kritikët tuaj shprehen se as ju nuk keni bërë asgjë gjest për të dëshmuar të kundërtën, dhe jeni akuzuar se në disa raste keni mbajtur linjën e opozitës së sotme

Presidenti Bujar Nishani: Në fakt kjo ka qenë alibia e vetme që ka pasur shumica për të justifikuar marrjen e kompetencave të Presidentit të Republikës dhe mua kjo më ka shqetësuar dhe vazhdon të më shqetësojë, standardi apo stili i një kulture politike që të gjitha pushtetet duhet të kontrollohen dhe duhet të menaxhohen nga një pushtet i vetëm. Që të gjitha institucionet duhet të kontrollohen dhe duhet të menaxhohen nga një pushtet i vetëm, pasi nuk është ky thelbi i demokracisë, nuk janë këto parimet e demokracisë. Madje asnjë shumicë nuk votohet për këtë e për këto lloj deformimesh, ashtu siç është votuar dhe shumica aktuale. Por duke parë se Presidenti i Republikës, qëlloi “i pabindur” për të qenë një pjesë e noterizimit të akteve, apo veprimeve dhe objektivave të caktuara të shumicës, rruga më e thjeshtë apo më e lehtë ka qenë për ta identifikuar dhe sulmuar atë si një person me ngarkesa politike.

Po të marrim historinë e Presidentëve në Shqipërinë e pas diktaturës, asnjëri prej tyre nuk ka qenë pa një “background” të caktuar politik, madje disa prej tyre kanë në një pozicion politik shumë herë më të lartë se ai që kam pasur unë përpara se të bëhesha President i Republikës. Dhe kurrë nuk i kam gjykuar dhe nuk mund t’i gjykoj për pozicionet që gjithsecili ka pasur në karrierën e tij politike. E rëndësishme është se si sillet institucionalisht personi që merr një përgjegjësi dhe një nderim kaq të madh, që të jetë President i Republikës. Nuk ka pasur në asnjë rast, argumente dhe fakte të provuara për të justifikuar artikulimet politike. Është e vërtetë që kemi pasur akuza politike, artikulime politike, duke e vënë Presidentin në qendër të targetit të artikulimit publik, në besimin tim, pikërisht për ta dekurajuar dhe për të justifikuar aktet e shumicës, dhe nga ana tjetër këto qëndrime të pretenduara si politike nga ana e Presidentit të Republikës, nuk kanë qenë të provuara as me akte dhe as me evidenca.

Unë jam i bindur që gjithnjë e më shumë, me kalimin e kohës, opinion publik është bindur në diferencën mes këtyre dy çështjeve, pra ka pasur akuza politike, por nuk ka pasur prova për ta faktuar këtë pretendim. Dhe jam i kënaqur që në raport me opinionin publik, të paktën ky është besimi im, është dëshmuar që artikulimet politike, mbeten pjesë e një beteje politike, të cilën unë vazhdoj ta konsideroj si të panevojshme nga ana e shumicës.

Gjithsesi ajo që unë kam garantuar dhe dëshiroj të garantoj opinionin publik, është që Presidenti i Republikës, dhe unë që kam fatin dhe nderin ta përfaqësoj në një mandat të caktuar, do të vijojë të jetë shumë korrekt sa i takon respektimit të Kushtetutës dhe kuadrit ligjor, por natyrisht një detyrë dhe përgjegjësi e Presidentit të Republikës është të ruajë dhe dimensionin e integritetit të këtij institucioni.

Zëri i Amerikës: Zoti President, prej gati një viti kandidaturat tuaja për në Gjykatën e Lartë janë rrëzuar nga shumica. Së fundmi, përfaqësuesit e saj, kryetarët e dy grupeve parlamentar, ju kanë kërkuar që ju të nisni procedura të reja në bazë të ndryshimeve të ligjit për Gjykatën e Lartë të miratuara në fund të dhjetorit të kaluar, për të cilat ju jeni shprehur kundër në mos gaboj. Si do të ecë përpara ky proces? Si do të tejkalohet ky ngërç?

Presidenti Bujar Nishani: Së pari nuk ka asnjë ligj të ri që ka hyrë në fuqi. Kemi një ligj i cili është ende në fuqi, dhe si President i Republikës jam i detyruar së pari të zbatoj kohën e parashikuar në ligj dhe në kushtetutë për procesin, ato kritere që ka ligji.

Në këtë rast vazhdoj të konstatoj me keqardhje mungesën e vullnetit të shumicës për të zbatuar vendimet e Gjykatës kushtetuese, pasi ka një vendim që përcakton qartë se çfarë do të thotë konsultë midis Presidentit dhe Parlamentit për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Pra ka një interpretim dhe një dispozitiv shumë të detajuar të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Keqardhja është që nuk zbatohet dhe nuk respektohet ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. Është kompetencë e Presidentit, jo propozim, por emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Pra ka një dallim të madh mes propozimit dhe emërimit. Do të vazhdoj të respektoj të drejtën kushtetuese, përderisa ligjvënësi do të vendosë të ndryshojë Kushtetutën. Në momentin që do të vendosë të ndryshojë Kushtetutën, pa diskutim që dhe unë do të zbatoj Kushtetutën. Por ajo që unë konstatoj me një shqetësim të veçantë, veçanërisht në raport me drejtësinë, ka të bëjë me faktin se po shoh një vendosje të një ndikimi gjithnjë e më të madh mbi drejtësinë. Çka për mua është shqetësuese.

Zëri i Amerikës: Megjithatë Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit ju falënderoi për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve. Çfarë është përmirësuar?

Presidenti Bujar Nishani: Unë e vlerësoj shumë gatishmërinë dhe qasjen e qeverisë për të ndërtuar marrëdhënie më korrekte me Institucionin e Presidentit dhe me çdo institucion tjetër. Gatishmëria e përgjegjshmëria dhe detyra e Presidentit është e tillë që duhet të ofrojë vazhdimisht këtë bashkëpunim. Unë shpresoj që të shoh në vazhdim një reflektim në këtë lloj marrëdhënie.

Zëri i Amerikës: A ishte një sinjal pozitiv qëndrimi që shumica mbajti ndaj dekretimit nga ana juaj të guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, duke qenë se u gjet një mënyrë që ai të ishte dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës përpara se të kalonte kandidatura, ndërkohë që procedura që ju ndoqët krijonte një pengesë?

Presidenti Bujar Nishani: Procesi ka qenë pozitiv. Ka pasur brenda tij elementin shumë të domosdoshëm të konsultës midis Presidentit, Qeverisë dhe Parlamentit. Natyrisht vlerësoj çdo qasje pozitive dhe racionale në këtë proces. Nuk ka asnjë detyrim të presidentit për të emëruar një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës, nëse flasim për ligjin dhe çka është shkruar në ligj. Ne duhet të krijojmë një kulturë të konsoliduar të respektimit të ligjit. Unë besoj se është shumë e rëndësishme të mos shkojmë asnjëherë në interpretime individuale përtej asaj që ligji specifikon në mënyrë shumë të qartë. Gjithsesi unë besoj se procesi ka hyrë në një rrugë pozitive. Le të shohim e të presim përfundimin e këtij procesi.

Zëri i Amerikës: Por dhe Këshilli Mbikëqyrës deklaroi se po e propozonte zotin Gent Sejko si anëtar të tij pikërisht për të kapërcyer pengesën ligjore?

Presidenti Bujar Nishani: Këto janë interpretim që së pari nuk janë në kompetencën e Këshillit dhe së dyti nuk kanë asnjë bazë ligjore. Prandaj them që çdo institucion në momentin që merr një vendim, apo bën një interpretim, duhet të vendosë bazën ligjore mbi të cilën e ngre interpretimin apo merr vendimin. Ligji është mjaft I qartë. Kushtetuta është mjaft e qartë. Nëse në të ardhmen do të duhet të bëhet një ndryshim në kushtetutë apo në ligj kjo është një çështje që i takon vullnetit të parlamentit. Por duhet të flasim për aq sa parashikon ligji dhe kushtetuta momentalisht.

Zëri i Amerikës: Zoti President, pati disa kritika ndaj jush lidhur me organizimin nga ju të Ballos së fundvitit, për shkak të pranisë atje të ish-guvernatorit, Ardian Fullani. Disa e interpretuan këtë si një sinjal që ju doni t’i jepnit institucioneve të Drejtësisë ndërkohë që ai është ende nën hetim…

Presidenti Bujar Nishani: Ballo e fundvitit, së pari do desha ta shfrytëzoj këtë pyetje, për të konfirmuar faktin se ishte unike në llojin e saj për llojin e organizimit. Përse them unike? Për herë të parë organizohet një aktivitet me impakt publik, I financuar tërësisht nga kompanitë private. Pra nuk u shpenzua asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, në ndryshim kjo nga rastet e tjera kur buxheti I shtetit përdoret për aktivitete që financojnë apo organizohen nga kompanitë private. Së dyti ishte një aktivitet që tentoi të sillte në vëmendje ndihmë për një grup shoqëror siç janë fëmijët me kancer.

Pjesëmarrja e zotit Fullani, ishte si pjesëmarrja e gjithë personave të tjerë të cilët ishin përzgjedhur nga fusha të ndryshme për kontributet që ata kanë dhënë gjatë ushtrimit të detyrës në ekonomi, në art, në shkencë, në kulturë e kështu me radhë. Zoti Fullani ka qenë Guvernator i Bankës së Shqipërisë për një periudhë të gjatë, dhe më duhet të them, sepse unë kam qenë President i vendit, që në moment shumë të veçanta dhe shumë të rrezikshme për sistemin financiar shqiptar, ka ditur ta përballojë me sukses kalimin e këtyre situatave të cilat shpesh herë dhe nuk janë bërë publike. Përsa i takon çështjes konkrete, vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, është një çështje që tashmë është nën hetim nga Drejtësia dhe nuk ka asnjë influencë sikundër nuk ka pasur deri tani nga Presidenti apo dikush tjetër në këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në muajin tetor ju organizuat një takim të zgjeruar me të gjithë aktorët politikë, për t’i dhënë udhë reformës në Drejtësi. Sot kemi një komision të posaçëm parlamentar për këtë çështje. Ju si e shihni këtë proces?

Presidenti Bujar Nishani: Reforma në sistemin e Drejtësisë, është një domosdoshmëri. Është një rrugë e cila nuk ka kthim pas. Por ajo duhet bërë mbi bazën e parimeve dhe mbështetur në praktikat më të mira. Ne kemi shansin që të zgjedhim dhe shikojmë praktikat më të mira. Është një reformë e cila duhet të ketë një impakt afatgjatë dhe duhet që të përfshijë të gjithë aktorët politik, të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë që në asistojnë në këtë fushë. Në këtë kontekst, unë besoj që krahas domosdoshmërisë, është shumë e rëndësishme mënyra se si do të ndërtohet ky proces. Kështu që mbetet ende për t’u parë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kur do të emëroni Zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet e bëra nga shumica.

Presidenti Bujar Nishani: Unë do të pres të shoh zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese ka detyrime për parlamentin, do të pres zbatimin e vendimit të Gjykatës nga Parlamenti dhe do të marr dhe unë menjëherë hapat e nevojshëm për të kryer detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju keni dekretuar tanimë, datën e zgjedhjeve vendore. Nga njëra anë kemi opozitën, e cila thotë se nuk e njeh ndarjen e re administrative mbi bazën e së cilës do të zhvillohen këto zgjedhje, nga ana tjetër përshtatjet ligjore nuk janë bërë ende, ndërsa KQZ-ja vazhdon me katër anëtarë. Si e shihni të ardhmen e këtij procesi?

Presidenti Bujar Nishani: Për të qenë i sinqertë duket se ka sfida të shumta ky proces përpara, por unë do të shpresoja në angazhimin serioz të të gjitha palëve.

Zëri i Amerikës: Zoti President, cilat janë sipas jush sfidat kryesore për vendin, gjatë 2015-s?

Presidenti Bujar Nishani: Së pari angazhimi serioz në reforma që do të na sjellin ndikim pozitiv në ekonomi. Ekonomia mbetet një sfidë shumë e madhe për çdo qytetar shqiptar, duke nisur me punësimin, me sistemin e pensioneve dhe pagave, shërbimin shëndetësor veçanërisht në spitale, atë arsimor e kështu me radhë. Lufta kundër krimit të organizuar është një sfidë shumë e madhe për ne. Unë jam i bindur se shqiptarët do ta fitojnë betejën me krimin e organizuar. Duket se do të jetë një betejë e gjatë dhe jo e lehtë. Por është një betejë që duhet fituar me çdo kosto dhe me çdo çmim. Ashtu siç lufta kundër korrupsionit vijon të mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë sonë. Por unë jam i bindur se dinamika e shoqërisë, objektivat dhe angazhimet e qeverisë janë një aset që mund të bëjnë të mundur që të gjitha këto objektiva të realizohen.

Zëri i Amerikës: Zoti President, faleminderit për këtë intervistë!

Presidenti Bujar Nishani: Edhe për mua ishte një kënaqësi dhe i uroj një vit të mbarë redaksisë tuaj, gazetarëve të “Zërit të Amerikës” kudo ku janë dhe punojnë!

Trego komentet

XS
SM
MD
LG