Lidhje

Nishani: e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vizitoi sot ish burgun famëkeq të Spaçit, ku gjatë regjimit komunist u burgosën me qindra intelektualë dhe klerikë të shquar, kundërshtarë të diktaturës komuniste. Duke folur përpara një grupi ish të burgosurish politikë, Presidenti Nishani tha se, të përndjekurit shqiptarë pësuan dëmtime dhe vuajtje të padrejta dhe, më e keqja është se ende edhe sot, në prag të 25 vjetorit të rrëzimit të rregjimit komunist, atyre ende nuk u është kërkuar falje:

“Ne të gjithë sot, nga ky vend, nga Spaçi, dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht dhe të bërtasim deri në kupë të qiellit për drejtësi, gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve, hapjen e dosjeve, pastrimin një herë e përgjithmonë të shoqërisë dhe, sidomos, të politikës tonë nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre, dënimin ligjërisht dhe, sidomos, moralisht të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen dhe ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktaturës, vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur.” - tha Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani bëri thirrje për kthimin e ish burgut të Spaçit në një muze të memories, me qëllim që, siç tha ai, e keqja jo vetëm të mos harrohet, por edhe të mos përsëritet kurrë më.

Po sot, Presidenti Nishani dekoroi një grup ish të burgosurish politikë, të cilët nuk jetojnë më.

XS
SM
MD
LG