Lidhje

Një familje në Pensilvani e shpëtuar nga paketa stimuluese


Një familje në Pensilvani e shpëtuar nga paketa stimuluese
Një familje në Pensilvani e shpëtuar nga paketa stimuluese

Presidenti Obama po përpiqet të sigurojë mbështetje për planin e tij për të ulur papunësinë, ndërkohë që propozimi do të hidhet së shpejti në diskutim nga Kongresi. Një pjesë e planit parashikon rritjen e shpenzimeve qeveritare për të hapur vende të reja pune, pak a shumë në të njëjtat linja si paketa stimuluese që u fut në fuqi në vitin 2009. Ka qëndrime të ndryshme kur bie fjala tek efektet e një politike të tillë, por siç mësojmë nga reportazhi në vazhdim, një kompani dhe familje në Pensilvani kanë arritur sukses të konsiderueshëm falë kësaj pakete:

Si shumë amerikanë të tjerë, Kristofer Zigelhofer po përpiqet të mbajë familjen në këto kohë të vështira ekonomike.

Ai punonte në industrinë kimike, por mbeti disa herë pa punë gjatë 7 vjetëve të fundit kur mbylleshin uzinat si rezultat i krizës ose pasi procesi prodhues transferohej jashtë vendit. Por në kulmin e recesionit, ai e kishte veçanërisht të vështirë të gjente punë:

“Kisha punë të përkohëshme, merrja asistencë papunësie dhe përpiqesha të gjeja punë”.

Ai mbeti pa punë për muaj me radhë dhe filloi të shqetësohej si do të arrinte të mbante familjen. Por çdo gjë ndryshoi kur kompania AE Polysilicon hapi një objekt prodhimi në Fairless Hills të Pensilvanisë, në qytetin ku banon Kristofer Zigelhofer.

“Gjeta punë. M’u duk sikur fitova lotarinë. Mund të tingëllojë si marrëzi ta krahasosh vendin e punës me lotarinë, por kur e shoh si po shkojnë gjërat, tani që gjeta punë për një periudhë të pakufizuar, s’kam ç’të kërkoj tjetër”.

Në punën e re, Zigelhofer mbikqyr prodhimin e materialeve tepër të rafinuara për panele diellore.

Kompania thotë se ky është një proces unik për prodhimin e paneleve diellore me kosto gjithnjë e më të ulët.

Kompania AE Polysilicone përfitoi në masën 44 milionë dollarë nga uljet e taksave si rezultat i paketës stimuluese, nën kapitullin për krijimin e vendeve të reja të punës në industrinë e gjelbër.

Kjo shumë i dha mundësi kompanisë të punësojë Kristoferin dhe dhjetëra punëtorë të tjerë që kishin nevojë për punësim.

Pikërisht në kompani si AE Polysilicon realizohet një ndërthurje e rritjes ekonomike amerikane dhe shtysës drejt një industrie të gjelbër. Paketa stimuluese ka krijuar këtu 450 vende pune dhe priten të hapen të tjera në të ardhmen.

Leo Tsuo, menaxheri i kompanisë për zhvillimin, thotë se i gjithë komuniteti ka përfituar:

“Ajo që i sjellim komunitetit janë vendet e reja të punës, në të gjitha nivelet. Kemi punë në prodhim, nevojë për inxhinierë, për drejtues biznesi dhe të gjitha këto janë vende pune të paguara mirë dhe në një industri me të ardhme”.

Ka gjithashtu edhe përfitime të tjera. Zoti Tsuo thotë se kur uzina të funksionojë në kapacitet të plotë, do të ketë shtim të prodhimit të energjisë në vend.

Pikërisht këtë lloj ndikimi të dyfishtë shpreson të krijojë presidenti Obama me paketën e tij prej 447 miliardë dollarësh kundër papunësisë:

“A të vazhdojmë t’u ofrojmë shkurtime taksash milionerëve dhe miliarderëve, apo të investojmë në arsim dhe teknologji si dhe infrastrukturë, pra në gjërat që do të na ndihmojnë të rrisim novacionin dhe të konkurrojmë me vende të tjera në të ardhmen”.

Por jo të gjithë mendojnë se propozimi i presidentit është ilaçi i duhur për ekonominë. Ekonomisti Xhon Makin, i Institutit konservator American Enterprise, thotë se idetë e presidentit nuk janë as të reja, as efektive.

“Të gjithë duan të ulin papunësinë. Deri tani kemi marrë gjithë këto masa. Tani ngrihet pyetja, po të vazhdojmë me këto masa, a do të japin rezultat. Nëse paketa e mëparshme do të kishte dhënë ritme më të larta rritjeje, atëherë do t’ia vlente ta merrnim në shqyrtim propozimin e ri”.

Megjithatë, sipas Zyrës së Kongresit për Buxhetin, programi i parë stimulues ka krijuar ose ka mbrojtur vendet e punës së 3.2 milionë amerikanëve.

Kristofer Zigelhofer, një ndër amerikanët që ka përfituar nga ky program, e mbështet idenë e paketës së re të presidentit:

“Nëse mund t’i japësh individit mundësinë të bëjë një jetë të ndershme, duke punuar çdo ditë, është gjëja më e mirë që mund të bëhet”.

Në rastin e Kristofer Zigelhoferit, mundësia e tij për të punuar është realisht një shtysë e re për ekonominë e së ardhmes.

XS
SM
MD
LG