Lidhje

Nusja indi, një modë e re në Los Anxhelos


Një modë e re po shfaqet në Los Anxhelos, ku vajzat po largohen nga tradita e organizimit të dasmës me kompani që menaxhojnë çdo element. Tani çiftet duan që në ditën e dasmës të shpalosin individualitetin e tyre. Kjo ka ndikuar edhe në zgjedhjen e fustanit të nuses. Shumë vajza preferojnë tani të shfaqin pavarësinë, nga i cili ka lindur edhe termi “nuset indi” – pra nuset indipendente, të pavarura.

Rachel Branwen po përgatitet për ditën e dasmës. Por, si shumë vajza të brezit të saj, ajo nuk do një ceremoni tradicionale, por diçka që pasqyronb natyrën e saj si në organizimin e dasmës, ashtu edhe në zgjedhjen e fustanit.

Rachel po provon fustane në studion e stilistes Shareen Mitchell në Los Anxhelos, një stiliste e preferuar për shumë “nuse indi”.

"Termi “nusja indi” nënkupton një vajzë me një sens pavarësie. Arsyeja që doli në modë nusja indi ishte kriza ekonomike, pra ishte diçka pozitive që doli nga kriza, pasi bëri të nevojshëm origjinalitetin. I bën njerëzit të shfaqin identitetin e vërtetë. Na bën të gjithëve më të ngrohtë, më të dashur, më të ndershëm dhe e bën jetën më të thjeshtë dhe më të përkushtuar ndaj familjes. Na bën ta kërkojmë jetën në çift pasi dy veta bashkë e kanë më të lehtë ta përballojnë jetën kur ka vështirësi ekonomike,” thotë Shareen Mitchell.

Stilistja modernizon fustane të përdorura. Ajo thotë se nuset sot duan fustane me material të lehtë si mëndafsh apo shifon, në prerje që tregojnë trupin.

"Nuk doja një fustan që ishte parë në dasma të tjera. Nuk doja një fustan tepër ekstravagant, por diçka të bukur dhe që ma nxirrte trupin bukur dhe tregonte shijen time individuale. Prandaj për mua stili indi është unik, por edhe më tregon mirë,” thotë nusja Teresa Riva.

Fustani kushton mesatarisht 1400 dollarë dhe vajzat janë shumë aktive në dhënien e ideve për stilin.

“Shumë vajza sot nuk e duan modën e vjetër të nuses në ditën e dasmës. E shohin si diçka pa fantazi. Por kjo lindi edhe nga zhvillimi i teknologjisë, tani njerëzit duan ta bëjnë gjithçka vetë. Sot vajzat duan që dita e dasmës të jetë reflektim i identitetit të tyre, të mos jetë e imponuar,” thotë stilistja Mitchell.

Kyle Brown, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kompanive Amerikane të Dasmave thotë se vajzat sot janë shumë më të informuara dhe kanë kërkesa të qarta për shërbimet që duan në ditën e dasmës.

Dasmat amerikane kushtojnë mesatarisht 27 mijë dollarë, por dasmat indi janë më të vogla dhe më intime dhe planifikohen përmes medias sociale.

"Tani nusja dhe dhëndri kanë faqe në Facebook. Shohin komentet e miqve, informacionin. Por nusja në 2018, 2019, 2020 nuk do të merret më me Facebook, do të komunikojë me Snapchat, Instagram dhe Tumblr. Pra vajzat do të jenë gjithmonë të familjarizuara me modën më të fundit. Pa diskutim që duhet të jesh aktiv në median sociale për të parë ç’po ndodh dhe që të marrësh rekomandime si për nusen ashtu edhe për dhëndrin,” thotë Kyle Brown, nga Shoqata e Kompanive Amerikane të Dasmave.

Rachel Branwen, redaktore e revistës Slush Pile, do e bëjë dasmën në një fushë të hapur dhe më pas do të ketë vallëzim në një magazinë në fshat të zbukuruar për këtë rast:

"Mendoj se në një farë mase po revolucionarizojmë gjithë përvojën e martesës. Ne si brez pamë që gjërat nuk ecën mirë për prindërit tanë. Prandaj ne martohemi më vonë në jetë. Ne kemi të tjera prioritete. E vëmë theksin më pak tek organizimi i një dasme të madhe dhe më shumë tek gjërat që ndikojnë tek jeta e çiftit,” thotë Rachel.

Lacey Calhoun nuk i ka qejf dasmat e mëdha, prandaj ka vendosur që të bëjë një dasmë të vogël në oborrin e shtëpisë së saj.

"Dasmën do e bëjmë në oborrin e shtëpisë, aty ku do të ndërtojmë familjen. Aty ku do të krijojmë kujtimet tona. Pra e kemi vënë theksin tek thjeshtësia, nuk do të ketë fustan tantelle, nuk do të ketë dekor të tepruar, nuk do të ketë dhurata për të ftuarit. Do të mblidhemi me njerëzit që duam më shumë, me miqë e të afërmit,” thotë Lacey.

Një sens pavarësie është shumë i rëndësishëm për këto vajza që duan që dita e dasmës të jetë një ceremoni unike dhe sa më reflektuese e karakterit dhe individualitetit të tyre.

XS
SM
MD
LG