Lidhje

Obama: 2014, vit veprimi për ekonominë

  • Dan Robinson

Presidenti Barack Obama theksoi dje angazhimin për të hapur vende të reja pune dhe për të forcuar sektorin e prodhimit industrial, përmes krijimit të zonave me përqëndrim investimesh publike e private në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama njoftoi krijimin e një zone të re për prodhim industrial gjatë vizitës në shtetin e Karolinës së Veriut, ku recesioni i viteve të fundit ka shkaktuar probleme të shumta me papunësinë.

Zona e parë e kësaj natyre u njoftua vjet në Youngstown të shtetit Ohio. Në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut, qeveria federale dhe 18 kompani private po bashkojnë forcat dhe fondet për të krijuar një zonë të dytë që do të përqëndrohet në pajisjet elektronike për energjetikën.

Ndërkohë që ekonomia po tregon shenja të qarta drejt rimëkëmbjes, forcimi i sektorit të prodhimit industrial ka qenë një përparësi kryesore për presidentin.

Zoti Obama e vuri theksin tek prirja e kthimit të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara dhe u ndal tek një temë që pritet të përfshihet edhe në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit më 28 janar.

"Kemi kosto të ulët të prodhimit të energjisë, kemi punëtorët më cilësorë në botë, kemi sistemin universitar më të mirë në botë, kemi tregun më të madh në botë. Pra ekziston terreni për të kthyer klasën e mesme në gjendjen e mëparshme; të rifillojë rritja e të ardhurave për familjet amerikane. Por kjo kërkon veprim. Ky duhet të jetë viti i veprimit”.

Ky veprim, tha Presidenti, kërkon nga Kongresi të miratojë mbështetje federale për të papunët. Shtëpia e Bardhë ka kritikuar ashpër republikanët në Senat për bllokimin e ligjit.

Presidenti foli gjithashtu për qëndrimin e tij ndaj Kongresit, ku republikanët kanë bllokuar një numër nismash të politikës së brendshme.

"Është tepër e rëndësishme të garantojmë se kushdo që punon fort të ketë mundësi të ecë përpara dhe kjo sfidë nuk mund të presë për zgjidhje nga Kongresi. Aty ku më jepet mundësia për të vepruar pa Kongresin, do ta bëj një gjë të tillë”.

Presidenti i bëri thirrje Kongresit të miratojë ligje që nevojiten për të ngritjen e 45 zonave për prodhim industrial në mbarë vendin.

Zoti Obama vazhdon të ndeshet me kritika nga republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit që sjellin si shembull papunësinë e lartë dhe kundërshtojnë ligjin për kujdes shëndetësor.

Senatori republikan John Thune i bëri komentet të hënën në Kapitol:

“Muaji dhjetor u shoqërua me rezultatet më të dobëta në tre vje në aspektin e tregut të punës. Angazhimi i krahut të punës është në ritmet më të ulëta që nga administrata e Presidentit Karter 36 vjet më parë dhe populli amerikan vazhdon të ballafaqohet me lajme të këqija”.

Në komentet në Karolinën e Veriut, Presidenti Obama u ndal tek shifrat që tregojnë se gjatë mandatit të tij të parë u hapën 568,000 vende pune në sektorin industrial, përfshirë 80, 000 vende pune të hapura vetëm gjatë pesë muajve të fundit. Ndërkaq, mbi 8 milionë vende pune janë hapur që nga kulmi i krizës ekonomike.
XS
SM
MD
LG