Lidhje

Obama dhe Hollande diskutojnë mbi Sirinë dhe Iranin


Presidenti amerikan Barak Obama dje e priti presidentin francez Francois Hollande në Shtëpinë e Bardhë, vizita e parë shtetërore nga një udhëheqës francez në gati 20 vjet. Të dy udhëheqësit përshëndetën fuqinë e aleancës dhe theksuan thellimin e bashkëpunimit mbi një gamë çështjesh globale.

Presidentët Obama dhe Hollande ndoqën me vëmendje himnet kombëtare franceze dhe amerikane dhe pastaj inspektuan rojen ushtarake të nderit.
Zoti Obama përmendi vizitën e tyre të hënën në Montiçello, shtëpia e Thomas Jefferson-it, presidentit të tretë të Shteteve të Bashkuara.

"Dje në Montiçello, ne reflektuam mbi vlerat tona të përbashkëta dhe idealet e aleancës sonë. Këtu nën ngjyrat e flamujve tanë, ne përsëri e deklarojmë përkushtimin tonë ndaj lirisë dhe kërkimit të lumturisë."

Presidenti Hollande tha se Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara nga një histori e përbashkët, dhe i kanë borxh lirinë njëri-tjetrit.

"Ju jeni njeriu i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ju përfaqësoni Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend ku çdo gjë është e mundur për ata që duan, një vend i përkushtuar ndaj lirisë dhe barazisë. Rroftë Amerika. Rroftë Franca. Rroftë miqësia franko - amerikane."

Bisedimet në Zyrën Ovale përfshinë çështjet si negociatat bërthamore me Iranin dhe luftën në Siri, duke përfshirë rezultate zhgënjyese të bisedimeve të paqes në Gjenevë dhe procesin e heqjes dhe shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.

Uashingtoni dhe Parisi janë të bashkuar në lidhje me atë që duhet të ndodhë më pas, tha Presidenti Obama.

"Siria duhet të përmbushë angazhimet e saj, dhe Rusia ka përgjegjësinë për t’u siguruar që Siria i respekton angazhimet e saj. Ndërkohë që vazhdojnë bisedimet në Gjenevë, ne do të vazhdojmë të forcojmë opozitën e moderuar, dhe i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të frenojë hyrjen e luftëtarëve të huaj në Siri."

Presidenti Hollande bëri thirrje për më shumë mbështetje për opozitën në Siri.

"Ne duhet të mbështesim opozitën. Ne duhet të sigurohemi që nuk duhet të ketë një zgjedhje mes diktaturës dhe kaosit."

Të dy udhëheqësit thanë se sanksionet ekzistuese ndaj Iranit do të zbatohen deri në arritjen e një marrëveshjeje bërthamore përfundimtare.

Presidenti Obama paralajmëroi kompanitë të cilat përpiqen t’i shmangen sanksioneve duke bërë biznes me Iranin.

"Unë mund t'ju them se ata që e bëjnë këtë do japin llogari. "

Presidenti Hollande vizitoi Varrezat Kombëtare në Arlington ku vendosi një kurorë me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur, përpara se të merrte pjesë në një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Obama e ka pranuar ftesën e Presidentit Hollande për të marrë pjesë në shënimin e 70 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi, të cilat më 1944 filluan çlirimin e Francës.
XS
SM
MD
LG