Lidhje

Presidenti Obama paralajmëron militantët e ISIS-it

  • Luis Ramirez

Presidenti Barack Obama e dënoi vrasjen e një gazetari amerikan nga grupi militant Shteti Islamik, duke thënë se SHBA do të bëjnë çfarë është e nevojshme, për të vënë në vend drejtësinë.

Presidenti Obama i ndërpreu pushimet në shtetin e Massaçusetsit, për të bërë një deklaratë të ashpër dhe të prerë, pasi Shtetet e Bashkuara vërtetuan autenticitetin e një videoje që paraqet një militant duke vrarë gazetarin James Foley:

"Sot e gjithë bota është tronditur nga vrasja e gazetarit Foley nga militantët e ISIL-it", - tha Presidenti.

Grupi Shteti Islamik, gjithashtu i njohur si ISIL, ka përparuar gjatë javëve të fundit në Irakun veriperëndimor. Presidenti Obama kohët e fundit urdhëroi sulme ajrore, të cilat i kanë ndihmuar forcat irakiane, përfshirë luftëtarët kurdë, për të ndalur militantët që t'i afrohen qytetit verior të Irbilit. Sulmet gjithashtu i kanë krijuar mundësinë forcave irakiane të rimarrin kontrollin e digës kryesore që qytetit dhe bënë të mundur shpëtimin e mijëra refugjatëve Yazidi, të izoluar në malin Sinjar, në Irakun verior. Militantë thanë se e vranë gazetarin Foley si hakmarrje për sulmet ajore amerikane.

Presidenti Obama tha se operacionet amerikane do të vazhdojnë dhe paralajmëroi se SHBA do të kërkojnë që të vihet në vend drejtësia:

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të bëjnë atë që duhet për të mbrojtur popullin tonë. Ne do të jemi vigjilentë dhe të pamëshirshëm. Kur amerikanët bëhen viktima të dhunës, kudo qofshin, ne bëjmë çfarë është e nevojshme për t'u siguruar që drejtësia të vihet në vend."

Presidenti Obama e vlerësoi Jim Foley-n, një gazetar i pavarur 40-vjeçar, i cili raportonte për vuajtjet e popullit sirian gjatë luftës civile në atë vend dhe që nuk ishte parë, që kur militantët në Siri e kishin rrëmbyer rreth dy vjet më parë.

"Jeta e Jim Foley-i është në kontrast të thellë me vrasësit e tij. Le të jemi të qartë për ISIL-in. Ata kanë shkatërruar qytete dhe fshatra të tëra, duke vrarë civilë të pafajshëm, të paarmatosur, në akte dhune prej frikacakësh".

Zyrtarët amerikanë të zbulimit konfirmuan se video e publikuar këtë javë, po ashtu tregon Steven Sotloff, një tjetër gazetar amerikan që figuron i humbur. Fati i tij nuk dihet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG