Lidhje

Plane për ndërprerjen e mbledhjes masive të të dhënave


Presidenti amerikan Barack Obama dhe krerë komisionesh të Kongresit, kanë propozuar që t’i jepet fund mbledhjes dhe ruajtjes së të dhënave të telefonatave të amerikanëve nga Agjencia për Sigurinë Kombëtare, NSA. Ndryshimet e propozuara erdhën si përgjigje e një vale shqetësimesh për të dhënat për jetën private brenda Shteteve të Bashkuara dhe vende të tjera, që morën shkas nga informacionet secrete të nxjerra nga ish kontraktori i NSA-së Edward Snowden.

Të martën u bëmë publike dy njoftime të reja për ndryshimet e propozuara për operacionet e përgjimit të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare. Në takimin e nivelit të lartë për çështjet bërthamore në Hagë, Presidenti Barack Obama tha se të dhënat për këto programe zbulimi, kanë nxjerrë në pah nevojën për të rifituar besimin e e qeverive, por sidomos të qytetarëve të zakonshëm.

"Prandaj është e nevojshmë dhe hapi që ndërmorëm sot është një nga shembujt, që gradualisht të vëmë në zbatim më shumë masa për të gjetur një balancë dhe procese ligjore. Ana pozitive është se unë mendoj që një gjë e tillë është e realizueshme”.

Sipas propozimit të presidentit, qeveria duhet të marrë leje nga Gjykata e Zbulimit të Huaj për Përgjimet për të siguruar të dhënat nga kompanitë telefonike lidhur me telefonatat që kanë lidhje me të dyshuar si terroristë. Kompanive do t’u duhet t’i japin NSA-së informacionet e nevojshme nëse bëhen telefonata të reja në ose nga një numër telefoni.

Kompanive telefonike nuk do t’u duhet që t’i ruajnë tabulatet telefonike për një kohë më të gjatë nga ç’i mbajnë aktualisht.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, krerët e Komisionit të Zbulimit kanë paraqitur një legjislacion të ngjashëm, të hartuar nga kryetari republikan i komisionit dhe antëtari më i lartë demokrat i tij. Ky projekt-ligj parashikon gjithashtu që NSA të mos grumbullojë të dhëna masive tabulatesh, por nuk e detyron qeverinë që të marrë një urdhër gjykate para se t’ua kërkojë të dhënat kompanive telefonike.

Ja ç’thotë kreu i Komisionit të Zbulimit, Mike Rogers:

“Mendojmë se kemi gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund grumbullimit masiv të tabulateve telefonike, duke mos sakrifikuar mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara”.

Kreu i demokratëve në komision, Dutch Ruppersberger tha se beson se propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve nuk ndryshon shumë nga ai i Shtëpisë së Bardhë dhe se një marrëveshje është e mundshme.

“Besoj se jemi shumë pranë marrëveshjes. Shtëpia e Bardhë e kupton që duhet vepruar për të zgjidhur çështjen e grumbullimit masiv, për shkak të perceptimit të qytetarëve. Kjo është kryesorja”.

Kongresmeni nuk paraqiti në mënyrë të detajuar fazat e veprimeve të mundshme për reformat e NSA-së në Kongres, ndërkohë që edhe Senati duhet të votojë para se projekt-ligji t’i dërgohet presidentit për nënshkrim. Propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve ka shkaktuar kritika nga disa anëtarë të Kongresit dhe veprimtarë të të drejtave civile që po bëjnë thirrje për masa më të rrepta kontrolli për përgjimet qeveritare, në mënyrë që të mbrohet privacia e qytetarëve.
XS
SM
MD
LG