Lidhje

Presidenti Obama përshëndet marrëveshjen me Iranin


Presidenti Barak Obama përshëndeti përpjekjet paqësore diplomatike që çuan në një marrëveshje me Iranin, pas afro një dekade tensionesh.

Zoti Obama i bëri komentet mbrëmë në Uashington, pasi gjashtë fuqitë që zhvilluan negociata me Iranin arritën një numër akordesh fillestare për të ndalur përparimin e programit bërthamor të Iranit dhe reduktimin e disa elementëve të rëndësishëm të tij.

Presidenti Obama tha se hapi i parë fillestar përfshin kufizime të rëndësishme në programin bërthamor të Iranit dhe merr në shqyrtim pjesën më të madhe të shqetësimeve më urgjente, përfshirë kapacitetet pasuruese të Teheranit, stoqet iraniane me uranium të pasuruar, numrin dhe aftësitë e centrifugave iraniane dhe aftësinë e këtij vendi për të prodhuar plutonium të nivelit ushtarak në reaktorin Arak.

Irani është zotuar gjithashtu të lejojë mbikqyrje më të madhe të programit të tij bërthamor, që mendohet se do të sillte prodhimin e një arme bërthamore.

Në kuadër të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Britania, Franca dhe Gjermania do të reduktojnë në mënyrë të kufizuar dhe të përkohëshme sanksionet ndaj Iranit. Sanksionet kryesore, përfshirë ato kundër sektorit të naftës, atij bankar dhe financiar do të mbeten në fuqi.

Marrëveshja u arrit pak pas mesnate në Gjenevë, pas pesë ditë negociatash të vështira.
XS
SM
MD
LG