Lidhje

Obama: NATO dakord për t'iu kundërvënë Shtetit Islamik

  • Luis Ramirez

Presidenti amerikan Barack Obama u kthye në Uashington pas takimit dy ditor të Natos në Uells. Në ditën e fundit të takimit, zoti Obama tha se ka besim se Shtetet e Bshkuara dhe aleatët e tyre do të mposhtin luftëtarët e Shtetit Islamik që kanë krijuar pika të fuqishme në Irak dhe Siri. Duke folur me gazetarët në mbyllje të takimit të Natos presidenti tha se anëarët e bllokut ranë dakord unanimisht se grupi ekstremist përbën një kërcënim të konsiderueshëm përtej Lindjes së Mesme. Zyrtarë të lartë amerikanë shkojnë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme për të marrë atë që zoti Obama e quajti mbështetje kritike kundër grupit Shtetit Islamik nga vendet arabe.

Takimi u përqëndrua kryesisht tek mënyra se si duhet trajtuar agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe përcaktimin e mënyrave për të mos lejuar që Moska të kërcënojë aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.

Presidenti amerikan i kushtoi vëmendje në takim edhe konfrontimit me kërcënimin që përbëjnë militantët e Shtetit Islamik, ose ISIL.

Zoti Obama la të kuptohet se nuk ka asnjë dyshim mes anëtarëve të NATO-s për rolin kritik të Aleancës në dobësimin dhe eventualisht mundjen e militantëve. islamikë.

"Gjatë këtyre dy ditëve të takimit pati një qëndrim unanim se ISIL paraqet një kërcënim për anëtarët e NATO-s dhe u pranua nga të gjithë se ne duhet të marrim masa."

Ai nuk njoftoi ndonjë masë specifike shtesë që vendet anëtare të NATO-s mund të marrin.

Aleatët i kanë mbështetur forcat amerikane dhe ato irakiane, duke i ofruar burime zbulimi, survejimi, ndihmë humanitare për personat e kërcënuar nga militantët, si dhe armë për forcat irakiane, përfshirë forcat kurde që luftojnë me militantët.

Presidenti po ashtu po përpiqet që vendet arabe dhe në mënyrë specifike shtetet me shumicën e popullsisë suni, të bashkohen në mënyrë aktive në luftime dhe tha se ai po e dërgon Sekretarin e Shtetit John Kerry në rajon, për t'u konsultuar me udhëheqësit e atjeshëm. Në kuadrin e takimit, presidenti zhvilloi bisedime me mbretin Abdullah të Jordanisë dhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Lidhur me Rusinë, udhëheqësit e NATO-s miratuan krijimin e një force të ndërhyrjes së shpejtë, e aftë të reagojë me shpejtësi ndaj kërcënimeve që mund t’u vijnë vendeve anëtare të Aleancës nga Evropa Lindore.

Plani lidhet me pozicionimin e më shumë trupave dhe pajisjeve të NATO-s, tregues i dukshëm, që Aleanca do t'i mbrojë vendet anëtare, mesazh që zoti Obama e theksoi gjatë gjithë udhëtimit të tij:

"Kjo do të thotë se NATO e pranon se nën dritën e veprimeve të fundit të Rusisë, si dhe retorikës së saj, ne duhet ta bëjmë të qartë si kristali: e kemi seriozisht kur flasim për Artikullin 5, që lishet me përkushtimet tona; një shtim i pranisë me forca dhe armatime shërben si pengesë për çdo agresion tjetër rus që mund të shohim".

Udhëheqësi amerikan tha se mbetet skeptik lidhur me armëpushimin në Ukrainë, që u arrit të premten. Ai tha se SHBA dhe Evropa po përgatisin sanksione, të cilat do të prekin sektorët kyç të Rusisë: energjinë, armatimet dhe sektorët financiarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG