Lidhje

Obama nënshkruan kompromisin që mban taksat të ulta për të gjithë amerikanët


Obama nënshkruan kompromisin që mban taksat të ulta për të gjithë amerikanët
Obama nënshkruan kompromisin që mban taksat të ulta për të gjithë amerikanët

Presidenti Barak Obama nënshkroi në ligj një kompromis që mban taksat të ulta për amerikanët dhe kompensimet për të papunët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë, se nënshkrimi i ligjit të premten i dha fund betejës politike mes presidentit dhe disa anëtarëve të vetë partisë së tij.

Presidenti Obama tha se marrëveshja me ligjvënësit republikanë është një lajm i mirë për popullin amerikan në këtë sezon festash.

"Me mbështetjen e të dy partive, të dyja dhomat e Kongresit, kanë miratuar një paketë për shkurtimin e taksave në favor të shtresës së mesme, për t’i dhënë shtysë ekonomisë dhe për të hapur vende të reja pune për popullin amerikan”.

Me një solidaritet të pazakontë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të premten vonë paketën prej $858 miliardë dollarësh. Projekt-ligji mori pothuajse numër të barabrtë votash nga të dy partitë.

Ligji i ri zgjat afatin e kompensimeve të papunësisë, ndërkohë që papunësia në Shtetet e Bashkuara është 9.8 përqind. Ai do të parandalojë ngritjen e madhe të taksave ditën e vitit të ri, duke vazhduar me taksat e shkurtuara edhe për dy vjet, por për të gjithë amerikanët, ligj që u miratua fillimisht gjatë presidencës së Xhorxh Bushit.

Shumë demokratë në Kongres e kundërshtuan fort vazhdimin e shkurtimit të taksave për amerikanët shumë të pasur dhe u ankuan se zoti Obama sakrifikoi parimet e tij për të aritur marrëveshjen. Megjithatë, më shumë se gjysma e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit votoi për kompromisin.

Zoti Obama pranoi se disa elemente të ligjit i kanë zëmëruar si demokratët ashtu edhe republikanët, madje ai tha se disa pjesë të ligjit edhe atij vetë nuk i pëlqejnë. Por ai tha se ajo është një marrëveshje e mirë për popullin amerikan.

"Kjo është natyra e kompromisit, të bësh lëshime për diçka që preokupon secilin prej nesh që të arrish atë që na preokupon të gjithëve. Dhe për momentin ajo që na preokupon të gjithëve është rritja e ekonomisë amerikane dhe krijimi i vendeve të punës për popullin amerikan”.

Presidenti e bëri kompromisin me republikanin me të fuqishëm në Senat, udhëheqësin e pakicës Miç Mekonëll, i cili mori pjesë për herë të parë në ceremoninë e nënshkrimit të një ligji që kur zoti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Demokratët më të lartë në Kongres, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nenci Pellosi, dhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Rid, nuk morrën pjesë në ceremoni, po ashtu edhe udhëhqësi i pakicën në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bojner.

Më herët të premten, Presidenti Obama u takua me udhëheqësit e sindikatave më të fuqishme të vendit që kanë qënë zakonisht përkrahës të tij të fuqishëm, shumica e të cilëve janë të indinjuar për marrëveshjen.

Udhëheqësit e sindikatave donin vazhdimin e kompensimeve të papunësisë, por ishin kundër vazhdimit me taksat e shkurtuara për individëd me të ardhura të larta, duke thënë se paraja duhet të ishte shfrytëzuar për të krijuar vende pune. Zyrtarët e sindikatave janë gjithashtu të pakënaqur me marrëveshjen tregtare të kohëve të fundit me Korenë e Jugut dhe çështje të tjera.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se takimi është pjesë e përpjekjeve të presidentit për të dëgjuar pikpamje nga më të ndryshmet se si të përshpejtohet rimëkëmbja ekonomike.

Presidenti Obama u takua për më shumë se katër orë të mërkurën me disa udhëheqës të korporatave më të mëdha të Amerikës. Ai zhvilloi gjithashtu takime të tjera me ekonomistë liberalë dhe konservatorë, për të cilët administrata thotë se mbështesin ligjin për shkurtimin e taksave.

XS
SM
MD
LG