Lidhje

Mandati i dytë i presidentit Obama


2013 po përfundon me nota të ulëta për fatin politik të Presidentit Barack Obama. Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se miratimi për punën e bërë nga zoti Obama ka rënë në nivelin më të ulët të presidencës së tij. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, presidenti Obama i është bashkuar dy paraardhësve të tij, George W. Bush dhe Bill Clinton, si presidentë që u përballën me vështirësi serioze politike gjatë mandatit të dytë në detyrë.

Problemet me të cilat ndeshet Presidentit Barack Obama në vendin e tij dukeshin si shumë të largta, ndërsa ai u prit si yll i Hollivudit në shërbimet e përmortshme për ish presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela.

“Ndërsa unë gjithnjë nuk do ta arrij shembullin e Madibas, ai më bën mua që të dua të jem një njeri më i mirë. Ai ka ringjallur tek unë aspektin më të mirë të qënies time njerzore”.

Ndërsa presidenti vazhdon të jetë popullor nëpër botë, mbështetja e publikut amerikan për të ka rënë në nivelin më të ulët, pjesërisht për shkak të problemeve me ligjin e kujdesit shëndetosr. Republikanët tani shikojnë një mundësi të re për ta sulmuar presidentin në këtë aspekt:

“Ligji i kujdesit shëndetësor i Presidentit Obama vazhdon të rëndojë mbi familjet amerikane, bizneset e vogla dhe ekonominë tonë. Nuk bëhet fjalë vetëm për faqen elektronike, që nuk funksionon, por ky ligj ka shumë të meta”.

Këto probleme kanë minuar besimin e publikut tek udhëheqja e presidentit, thotë John Fortier i Qendrës për Politikat Ndërpartiake.

“Gjatë 3-4 javëve të fundit miratimi i publikut për Presidentin Obama ka rënë në rreth 40 për qind. Kjo nuk është një shifër e mirë. Kjo mbështetje është e njëjtë me atë të George Bushit në të njëjtën pikë të mandatit të tij të dytë”.

Vështirësitë e Presidentit Obama gjatë mandatit të tij të dytë nuk janë të pazakonta, thotë analisti Rhodes Cook.

“Ekziston një faktor plogështie që herë herë pushton një administratë të caktuar dhe një faktor plogështie që disa herë përfshin elektoratin, i cili është gati për një administratë të re”.

Politikisht i dobësuar, Presidenti Obama mund të dëmtojë demokratët në zgjedhjet e Kongresit vitin e ardhshëm, thotë analisti Stuart Rothenberg.

“Në fund të fundit, zgjedhjet për në Kongres, që bien në mes të një mandati presidencial, kanë prirjen të reflektojnë popullaritetin e presidentit dhe nëse presidenti nuk është popullor, politikanët e partisë së tij përballen me vështirësi”.

Por zoti Obama ka demonstruar elasticitet politik në të kaluarën, thotë analisti tjetër, Rhodes Cook.

“Nëse bëhet fjalë për një president si zoti Obama, i cili për mendimin tim ende shikohet si një president historik, që ende tërheq shumë vemendje, pikërisht në kohën kur mund të mendohet se ai e ka humbur popullaritetin dhe mbështetjen, ai mund ta rifitojë këtë mbështetje duke bërë diçka të rëndësishme”.

Disa presidentë, në mandatin e tyre të dytë, kanë gjetur mënyra për ta rimarrë veten, thotë John Fortier.

“Si presidenti Reagan, edhe presidenti Clinton patën disa zig-zage gjatë mandatit të tyre të dytë. Ata patën disa momente të ulëta dhe u ngritën përsëri për sa i përket nivelit të arritjeve të tyre”.

Presidentët Reagan dhe Clinton u larguan nga detyra me një nivel popullor relativisht të lartë, ndërkohë që kjo nuk mund të thuhet për Presidentin George W. Bush, për të cilin mbështetja e publikut ka filluar të përmirësohet vetëm tani.
XS
SM
MD
LG