Lidhje

Fjalimi i Presidentit Obama mbi gjendjen e vendit


Amerikanët presin të dëgjojnë sonte fjalimin e fundit të Presidentit Barack Obama mbi gjendjen e vendit. Presidenti dhe republikanët e Kongresit do të kenë vlerësime të ndryshme për shtatë vjetët e fundit dhe do të përplasen për nevojat që kanë Shtetet e Bashkuara për të ecur përpara. Është fjalimi i tij i fundit mbi gjendjen e vendit dhe presidenti Obama thotë se kërkon të parashtrojë vizionin e tij optimist për Shtetet e Bashkuara – jo vetëm për muajt e fundit që i kanë mbetur në detyrë por edhe për vitet e ardhshme. Shtëpia e Bardhë tha se fjalimi nuk do të jetë tradicional, pra presidenti nuk pritet të radhisë një listë të gjatë legjislacionesh për arsye se praktikisht nuk ka më kohë në kushtet kur Kongresi dominohet nga republikanët. Ndryshe nga herët e tjera, presidenti nuk do të kërkojë shumë nga Kongresi por do t’i drejtohet popullit amerikan. Presidenti pritet t’u hedhë një vështrim pozitiv arritjeve që ka shënuar Amerika nën udhëheqjen e tij, veçanërisht në aspektin ekonomik.

“Që kur erdha në detyrë shtatë vjet më parë në mes të krizës, nuk mendoj se kam qënë ndonjëherë më optimist sesa jam tani.”

Ky optimizëm është jo vetëm për 2016-ën por edhe për vite të tjera përpara – që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se do të parashtrojë sonte presidenti në fjalimin e tij të fundit mbi gjendjen e vendit.

Vitin e kaluar, presidenti parashtroi propozime konkrete si arsim pa pagesë në kolegjet e komunitetit dhe rritjen e sigurisë kibernetike.

Ndërsa këtë vit, Sekretari i tij i Shtypit Josh Earnest tha se presidenti do të përqëndrohet në një vështrim afatgjatë për vendin, dhe do të luftojë pesimizmin që dëgjohet në fushatat presidenciale dhe që pasqyrohet nëpër anketa.

“Shumë nga retorika që dëgjojmë nga pala tjetër përqëndrohet tek frika për të ardhmen, nervozizmi dhe pasiguria rreth një bote që po ndryshon. Fakti është se Shtetet e Bashkuara janë në një pozitë më të mire sesa çdo vend tjetër i botës për të përfituar nga mundësitë që kemi përpara.”

Kjo nuk do të thotë se presidenti nuk do të gjejë kohë në fjalim për të theksuar ato që ka arritur që kur erdhi në detyrë në 2009-ën, ashtu siç bëri edhe në fjalimin e fundit.

“Bizneset tona po krijojnë punë prej 70 muajsh, me më shumë se 14 milion vende të reja pune. Kemi bërë investime historike në energjinë e pastër dhe jemi në rrugën për një të ardhme me nivel të ulët karboni”.

Në frontin global, presidenti Obama ka të ngjarë të parashtrojë sukseset e fundit diplomatike në normalizimin e marrëdhënieve me Kubën, arritja e një marrëveshje bërthamore me Iranin, dhe punën për një marrëveshje mbi ndryshimet klimatike.

Por profesori i Universitetit George Washington Matthew Dallek thotë se presidenti Obama ka të ngjarë të flasë për sfidat e tanishme me terrorizmin dhe luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.

“Ai do të mbrojë arritjet ndaj ISIS dhe ndoshta do të kritikojë idenë se ne thjesht mund të dërgojmë trupa tokësore në Irak e Siri apo thjesht të vazhdojmë strategjinë e bombardimeve nga larg.”

Megjithë shqetësimet e publikut rreth sigurisë kombëtare, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti asnjëherë nuk ka patur më shumë besim në aftësinë e vendit për tu përballur me sfidat – një mesazh që presidenti pritet ta përçojë në fjalimin e sotëm.

Përgjigja e republikanëve do të jepet nga guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley, një indiane e Amerikës dhe një yll në ngjitje në partinë e saj që shumë analistë e shohin si kandidate të mundshme për postin e nënpresidentit.

XS
SM
MD
LG