Lidhje

Presidenti Obama në Meksikë dhe Kosta Rika


Ai do të diskutojë mbi çështje dy-palëshe, në prag të Forumit të Vendeve të Amerikës Qendrore mbi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që mbahet nesër

Presidenti Obama përfundoi vizitën e tij në Meksikë dhe po shkon në Kosta Rika, ku ai ka në plan të takohet me presidenten Laura Chinchilla, për të diskutuar mbi çështje dy-palëshe, në prag të Forumit të Vendeve të Amerikës Qendrore mbi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që mbahet nesër.

Gjatë vizitës së tij në Meksiko, zoti Obama tha se Meksika është duke u zhvilluar në një vend të ri, me një shoqëri civile të fuqishme dhe me parti politike që konkurojnë me njëra tjetrën, por që njëkohësisht e realizojnë paqësisht transferimin e pushtetit.

Këto vizita kanë për qëllim forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe për të diskutuar çështje si reforma e emigracionit, siguria e kufirit dhe shkëmbimet kulturore. Emigracioni ishte një nga çështjet delikate gjate vizites në Meksikë, pasi zoti Obama do një kontrolli i kufirit të jetë më i rreptë dhe disa meksikanë nuk duan të ketë asnjë masë kontrolli.

Në kryeqytetin Meksiko, protestuesit dolën në rrugë për të demonstruar kundër nxitjes së zotit Obama për masa më të rrepta kontrolli në kufi. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin meksikan Enrique Pena Nieto dje, zoti Obama tha se emigracioni i ligjshëm i bën të dyja vendet më të forta dhe më konkurrente.

“Dhe kjo pjesërisht reflekton përparimin ekonomik dhe më shump mundësi në Meksikë. Mendoj se ky përparim duhet të jetë një faktor që të ndikojë në debatin që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara dhe jam optimist se përfundimisht një reformë e gjithanshme imigracioni do të miratohet”.

Presidenti Obama tha se reforma e imigracionit dhe siguria e kufirit ishin ndër temat kryesore të bisedimeve që u përqendruan tek forcimi i ekonomisë si në Shtetet e Bashkuara, edhe në Meksikë.

“Së bashku me Meksikën, do të përqendrohemi tek rritja e lidhjeve mes bizneseve dhe punonjësve tanë, nxitja e novacioneve dhe sipërmarrjes dhe rritja e konkurrencës së ekonomive tona. Me këtë synim, ne rikofirmuam objektivin për mbylljen e negociatave për partneritetin trans-paqësor këtë vit. Ky do të ishte një hap tjetër madhor në integrimin e ekonomive tona dhe për të përmirësuar pozitat tona për të konkurruar në tregjet me rritje më të shpejtë në botë, ato në rajonin e Azi-Paqësorit”.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Meksikën në luftën kundër dhunës dhe krimit të organizuar.

Presidenti Pena Nieta vlerësoi bashkëpunimin e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës dhe tha se do të vazhdojë të ecë përpara.

“Ne vlerësuam bashkëpunimin që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar qeverisë meksikane dhe se strategjia e re e sigurisë në vendin tonë ka një objektiv të qartë që është lufta e krimit të organizuar e çdo forme, përfshirë trafikun e drogës, rrëmbimet, shantazhet dhe çdo lloj krimi tjetër. Ne nuk do të heqim dorë nga përgjegjësia e qeverisë meksikane”.

Zoti Pena Nieto tha se strategjia e Meksikës është rënia e dhunës. Dy udhëheqësit ranë dakord se Uashingtoni do të ndihmojë duke punuar për uljen e kërkesës për drogë në Amerikën e Veriut, që ushqen prodhimin dhe tregëtinë e drogës.

XS
SM
MD
LG