Lidhje

OKB dhuron gjak në Shqipëri


Administrata e OKB në Tiranë dhuroi sot gjak në mbështetje të spitaleve shqiptare, si pjesë e një fushate kombëtare të Kryqit të Kuq Shqiptar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndaj çështjeve shëndetësore. Kooordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Zineb Touimi – Benjelloun dhe rreth 40 punonjës të tjerë morën pjesë vullnetarisht në këtë fushatë kombëtare që sjell përfitim të drejtpërdrejtë për shoqërinë për të nxitur dhurime të tjera vullnetare.

“Ne jemi shumë të lumtur që po e bëjmë sot këtë dhurim dhe u bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që të ndihmojnë me dhurimin e gjakut, sepse kështu shpëtojnë jetë. Gjaku është shumë i rëndësishëm për njerëz që kryejnë operime, që kanë aksidente, që humbi gjak dhe ai duhet zëvendësuar. Gjaku shpëton jetë, dhe duhen rezerva në mënyrë të vazhdueshme. Jemi krenarë që po marrim pjesë në këtë fushatë për të patur sa më shumë gjak për spitalet” – tha ajo.

Administrata shëndetësore përshëndeti nismën e OKB-së dhe fushatën e Kryqit të Kuq, si një ndihmë shtesë në suksesin e një reforme. Ministri Petrit Vasili tha se përfshirja e OKB në këtë nismë e rrit mbështetjen për reformën dhe ndjeshmërinë e shoqërisë shqiptare. Ministri i shëndetësisë, Petrit Vasili, thotë se pika e kyçe e kësaj reforme është dhurimi vullnetar dhe pa pagesë, sepse kjo garanton një shëndet të plotë për përfituesin e këtij dhurimi. Nga një grup dhuruesish me pagesë dikur, tani gjakun e dhurojnë rregullisht, gjithë familjarët e pacientëve, gjithë qytetarët dhe gjithë punonjësit e spitaleve, duke shumëfishuar jashtë mase rrethin e dhuruesve.

Ky është viti i gjashtë që Kryqi i Kuq organizon këtë fushata kombëtare për dhurimin vullnetar të gjakut, dhe nga viti në vit dhurimet po shtohen. Spitalet shqiptare kryejnë mesatarisht mbi 15 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, ndaj nevoja për gjak është përherë e lartë. Megjithatë, Shqipëria nuk blen gjak nga jashtë, gjithçka sigurohet me dhurime vullnetare nga vetë popullata dhe familjarët.

XS
SM
MD
LG