Lidhje

OKB kërkon nga Kosova dhe Serbia që të zgjidhin mosmarrëveshjet


OKB kërkon nga Kosova dhe Serbia që të zgjidhin mosmarrëveshjet
OKB kërkon nga Kosova dhe Serbia që të zgjidhin mosmarrëveshjet

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Lamberto Zannier i tha Këshillit të Sigurimit të martën se pritja e opinionit të GJND-së shtyu përpjekjet për të zgjidhur çështje të rëndësishme në Kosovë. Ai tha se tani që opinioni i Gjykatës u dha, shpreson që bisedimet të mund të fillojnë.

"Ky dialog do të jetë shumë i rendësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit," tha Zannier.

Të dy ministrat e jashtëm, i Serbisë dhe i Kosovës i thanë Këshillit të Sigurimit se ata dëshirojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet ndërkohë që e hedhin vështrimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por citimet e tyre dhe interpretimet e ndryshme të opinionit të gjykatës lanë të kuptohet se pajtimi dhe normalizimi i marrëdhenieve nuk do të jenë as të shpejta dhe as të lehta.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç tha se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kishte lënë hapësirë "për keqinterpretim të rrezikshëm të pikëpamjeve të gjykatës dhe mund të legjitimojë lëvizje të tjera për shkëputje në mbarë botën.

"Një keqinterpretim i vendimit të gjykatës mund të shërbejë lehtësisht për disa pakica në mbarë botën si një mundësi për të bërë deklarimin e tyre të pavarësisë në bazë të modelit të Kosovës," tha Jeremic.

Ai tha se në asnjë rrethanë, Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Por Ministri i Jashtëm i Kosovës Skender Hyseni tha se vendimi i gjykatës ishte mjaft i qartë dhe nuk linte hapësirë për dyshim. Ai i tha Këshillit të Sigurimit se ka ardhur koha për të zëvendësuar rezolutën 1244, e cila krijoi misionin e përkohëshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me një rezolutë që pasqyron realitetet e pavarësisë së Kosovës.

"Kërkesa jonë për zëvendësimin e rezolutës 1244 është në përputhje me objektivin përfundimtar të Kosovës për tu bërë anëtare e OKB-së. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është një synim të cilin duam ta arrijmë sa më parë, një hap natyral pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë," tha Hyseni.

Por duke folur për shtypin pas takimit, ambasadori rus Vitaly Curkin, i cili është president i Këshillit të Sigurimit këtë muaj, tha se ai nuk mendonte se rezoluta 1244 do të ndryshojë apo që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

"Duhen kuptuar lidhjet reciproke të forcave në Këshillin e Sigurimit mbi këtë çështje. Kështu që nuk do të prisja që rezoluta 1244 të ndryshojë, të modifikohet apo shfuqizohet. Është e qartë se ajo është në bazë të rregullave," tha Curkin.

Rusia është aleate e Serbisë dhe kundërshton pavarësinë e Kosovës. Rusia është anëtare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje dhe ambasadori Curkin la të kuptohet se nuk pritet që Prishtina të marrë rekomandimin e nevojshëm nga këshilli për tu anëtarësuar në OKB.

Ndërkohë zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rosemary DiCarlo tha se vendi i saj ka shpresuar se opinioni i gjykatës do të shërbejë për Kosovën dhe Serbinë si bazë për të kapërcyer të kaluarën dhe për të bashkëpunuar në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ajo tha se opinioni i gjykatës riafirmoi qendrimin e Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera mbi deklarimin e pavarësisës së Kosovës.

Ne besojmë, tha ajo se opinioni i gjykatës do të inkurajojë vendet e tjera që ta njohin Kosovën e pavarur. Ajo i tha kryetarit të radhës të Këshillit të Sigurimit, Curkin, se Kosova është një rast i vecantë dhe nuk përbën precendent për konflikte të tjera. Diplomatja amerikane në OKB Rosemary DiCarlo tha se Kosova është një demokraci shumetnike dhe e pavarur. Pavarësia e saj, shtoi ajo, është e pakthyeshme dhe kufinjtë e saj të padhunueshëm. U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë, tha ajo, që të punojnë së bashku në çështje praktike të që do tu japin atyre shtytje drejt integrimit Euro-Atlantik.

XS
SM
MD
LG