Lidhje

Sportdashësit olimpikë krijojnë energji të gjelbër


Shumë prej spektatorëve që shkojnë drejt stadiumit Olimpik po ndihmojnë në furnizimin me energji të një stacioni të metrosë në Londër

Shumë prej spektatorëve që shkojnë drejt stadiumit Olimpik po ndihmojnë në furnizimin me energji të një stacioni të metrosë në Londër, me këmbët e tyre. Kjo teknologji e fundit për mbrojtjen e mjedisit shfrytëzon një nga pak burimet natyrore të kryeqytetit britanik: njerëzit e shumtë.

Kjo pllakë e gjelbër që s'bie shumë në sy, në stacionin e metrosë West Ham, është në fakt një prodhues energjie. Kur një këmbësor ecën mbi të, ai është duke i dhënë pak energji baterisë së gjeneratorit. Në mbrëmje, ka energji të mjaftueshme të grumbulluar për të ndihmuar në ndriçimin e stacionit.

Kjo teknologji e rinovueshme është autorizuar nga Autoriteti Olimpik i Infrastrukturave (ODA), për një stacion metroje shumë të populluar pranë parkut olimpik, duke ndihmuar që Lojërat e Londrës të jenë më të gjelbrat në histori.

Gjatë periudhës së Olimpikeve, mbi një milion njerëz do të kalojnë aty për të shkuar për në stadium, duke mundësuar kështu grumbullimin e energjisë, që thjesht do të kishte humbur.

Secila prej pllakave përmban transmetues pa fije që dërgojnë informacion në një faqe interneti, duke lejuar spektatorët dhe organizatorët të monitorojnë se sa energji e ripërtëritshme është duke u krijuar.

Laurence Campbell-Cook, drejtor ekzekutiv dhe themelues i kompanisë Pavegen Systems, e cila krijoi këtë teknologji, është në stacionin West Ham për monitorimin e funksionimit të pllakave.

"Pra, pllakat Pavegen shndërrojnë peshën që përcjell hapi i njerëzve në energji elektrike. Pra konverton energjinë kinetike të çdo hapi të njerëzve që janë duke ecur prapa meje në energji elektrike. Ne mund të përdorim këtë energji, dhe ne jemi duke e bërë këtë, për shumë gjëra që kërkojnë elektricitet si ndriçimi apo reklamat dhe secila pllakë në vetvete është burim të dhënash mbi energjinë e prodhuar nga hapat e çdo personi."

Kompania Pavegen ka instaluar 12 pllaka grumbulluese të energjisë përgjatë një kalimi që lidh stacionin me rrugën Greenway, e cila përbën rrugën kryesore drejt Parkut Olimpik.

Kur shtypet, sipërfaqja e pllakës përkulet paksa duke transfomuar energjinë kinetike, në varësi të forcës së ushtruar gjatë ecjes.

Sipas parashikimeve të kompanisë Pavegen pllakat do të marrin rreth 12 milionë shtypje nga hapat e njerëzve. Por sa energji do të krijohet prej tyre?

"Sasia totale e energjisë së prodhuar, po ta shprehim me shembuj, ne presim të jetë e mjaftueshme për të bërë gjëra si gati 400 xhiro të një automjeti elektrik në pistën olimpike, apo sa energjia për mbi 10 mijë telefona celularë. Ndriçimi për çdo natë këtu në stacion do të mundësohet vetëm nga njerëzit që ecin mbi 12 pllakat pas shpinës sime."

Organizatorët e Lojërave Olimpike të Londrës 2012 kishin premtuar se kjo do të ishte Olimpiada më e gjelbër në histori dhe pllakat Pavegen ishin një mundësi për të shndërruar mbipopullimin e qytetit në energji.

Mostyn Woodhouse është menaxher i projektimit me Autoritetin e Olimpik të Infrastrukturave dhe ai ishte përgjegjës i ekipit për instalimin e teknologjisë në stacionin West Ham.

"Ne kishim mundësinë që këtu në stacionin e metrosë West Ham, si Autoritet i Infrastrukturave dhe si projektues e zbatues të këtij palni të përkohshëm pune, të merrnim në konsideratë shumë mënyra të reja për shrytëzuar numrin e madh të njerëzve gjatë lojërave, duke u përpjekur për ta kthyer këtë problem të mbingarkesës në diçka që mund të jetë një përfitim i rëndësishëm. Ne shpresonim që prej ecjes së sportdashësve gjatë ditës të mund të grumbullonim energji të mjaftueshme për t'u dhënë atyre ndriçim gjatë mbrëmjes."

Kështu, turma si këto mund të ndihmojnë duke dhënë kontributin e tyre për sistemin e gjelbër të energjisë. Dhe këta fëmijë të vegjël, që hidhen nga një pllakë në tjetrën, me siguri janë duke shijuar ndihmën që po japin për të bërë diçka të mirë për planetin.

XS
SM
MD
LG