Lidhje

Opozita: Qeveria dështoi më të ardhurat


PD reagon pas publikimit të shifrave për 6 mujorin e parë, sipas të cilave niveli i të ardhurave ishte 4.5 përqind më i ulët se parashikimi

Në Shqipëri, opozita foli sot për një dështim të qeverisë në mbledhjen e të ardhurave, pas publikimit dje të të dhënave për 6 mujorin e parë të vitit, sipas të cilave, niveli i të ardhurave ishte 4.5 përqind më i ulët se parashikimi

“Dështimi në mbledhjen e të ardhurave, dështimi në tatime e dogana, është në fakt dështimi kryesor i një qeverie. Kur një qeveri nuk mbledh të ardhurat, ajo pushon së funksionuari në rolin e saj më kryesor. Më e rënda për vendin është se këto 134 milionë dollarë që mungojnë në buxhet, që mungojnë në investime, në rrugë, shkolla, apo ujësjellës, kanë si origjinë korrupsionin. Janë 134 milionë dollarë që kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, e ministrave e klientelës së Edi Ramës”, deklaroi Edmond Spaho, deputet i Partisë Demokratike.

Të dhënat zyrtare dëshmonin për një ulje të ndjeshme të të ardhurave vecanërisht nga Tatimet dhe doganat me një mosrealizim prej të paktën 10 përqind me pak. Burime zyrtare të ministrisë së Financave, shpjegojnë se ka patur një sërë arsyesh që kanë cuar në mosrealizim, që nga një përllogaritje jo e saktë, për shkak se dhe në 2014 të ardhurat rezultuan me rënie, te konjukturat ndërkombëtare që kanë ndikuar në cmimet e naftë dhe rentën minerare, apo ulje e importeve të cigareve, rritja e prodhimit vendas për disa artikuj me peshë, apo dhe përjashtimi nga TVSH i disa artikujve.

Por, përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, megjithatë ka vlerësuar se ndër arsyet janë edhe moszbatimi i ligjit dhe rregullave tatimore, pra, probleme që lidhen më administrimin fiskal.

XS
SM
MD
LG