Lidhje

Paneta: Askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit për sulmet ndaj këtij vendi


Paneta: Askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit për sulmet ndaj këtij vendi
Paneta: Askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit për sulmet ndaj këtij vendi

Kërcënimi i besueshëm por jo i konfirmuar, siç thonë zyrtarët amerikanë, në prag të 10 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nuk po e bën Presidentin Obama të ndryshojë planet për të vizituar Pentagonin në përvjetorin e kësaj ngjarjeje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Luis Ramirez na informon se ceremonitë përkujtimore filluan në Pentagon dje, nën masa të forta sigurie.

Megjithë shiun e imët, një numër i madh punonjësish të Petagonit u mblodhën në oborrin e ndërtesës për të kujtuar ditën kur rrëmbyesit përplasën një avion Boing 757 të shoqërisë ajrore American Airlines aty.

Sekretari i Mbrojtjes Leon Paneta ishte mes pjesëmarrësve në ceremoninë për punonjësit dhe viktima të tjera të pafajshme që u zhdukën kur avioni u përplas dhe shkatërroi një pjesë të madhe të kësaj ndërtese gjigante.

"Megjithëse e çara e madhe në ndërtesë u riparua shumë kohë më parë, një e çarë e madhe është ende në zemrat tona. Ne do të ndjejmë thellë humbjen e 184 njerëzve që u zhdukën këtu atë mëngjes”.

Sekretari Paneta tha se sulmet në Pentagon dhe në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork e bënë vendin të bashkohej dhe të forconte vendosmërinë ushtarake për të gjetur dhe ndëshkuar terroristët si Osama Bin Ladin.

"Një nga momentet për të cilat jam shumë krenar si drejtor i CIA-s ka qënë rasti që më është dhënë për të punuar me disa nga zyrtarët tonë më të mirë të zbulimit, me disa nga ekipet e forcave tona speciale për t’ia bërë të qartë vendit dhe botës se askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit për sulmet ndaj këtij vendi”.

Zoti Paneta e mbajti këtë fjalim ndërkohë që autoritetet në Pentagon dhe Nju Jork forcuan masat e sigurimit pas njoftimeve për një kërcënim të besueshëm por jo të konfirmuar, siç u shprehën zyrtarët, gjatë ceremonive përkujtimore të 11 shtatorit. Zyrtarët thonë se po përpiqen të konfirmojnë informacionin që morën se një ose më shumë atentatorë mund të kenë hyrë në Shtetet e Bashkuaragjatë ditëve të fundit për të kryer sulme.

Në fillim të javës, Pentagoni njoftoi shtimin e masave të sigurimit në istalimet ushtarake në teritorin e Shteteve të Bashkuara, në kuadër të përvjetorit të 11 shtatorit dhe përpara se të informohej për kërcënimin e besueshëm.

Marsha Zisman është punonjëse e ushtrisë dhe ndodhej në Pentagon kur ndërtesa u sulmua 10 vjet më parë. Zisman, e cila është e shurdhët, foli nëpërmjet një përkthyeseje dhe tha se ajo ishte dita më keqe në jetën e saj dhe shpreson që ajo të mos përsëritet më kurrë.

"Ndjehem e shëruar por me gjurmë, me shumë gjurmë që nuk do të zhduken kurrë”.

Zisman ishte dje mes punonjësve të parë në oborrin e Pentagonit që qepën një flamur amerikan që u shkatërrua në sulmin e 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë.

XS
SM
MD
LG